Kulturë

Arsyetimi me “probleme me e-maile” për mospropozim për “Oscar” shihet si joseriozitet i lartë

“Lëshimi me mosaplikim prej anës së QKK-së është një lëshim i madh”, ka thënë regjisori Besim Ugzmajli

“Lëshimi me mosaplikim prej anës së QKK-së është një lëshim i madh”, ka thënë regjisori Besim Ugzmajli

Arsyetimi i Qendrës Kinematografike me “probleme me e-maile” për moskandidim të ndonjë filmi sivjet për nominim për “Oscar” shihet si lëshim i madh. Kualifikimet si ky vijnë pasi drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiraj, me telashe teknike është munduar ta mbulojë këtë histori. Sivjet QKK-ja s’kishte hapur fare thirrje për filma që mund të synonin të jenë kandidatë për çmimin prestigjioz. 

“Ne kishim një problem me e-maile, po them është problem shumë teknik i cili na ndodhi ashtu siç ndodhi dhe nuk e kemi pranuar me kohë e-mailin për propozime që vjen nga ‘Oscari’. Momentin kur neve na u kujtua që, ‘pse nuk erdhi ai e-mail?’, dhe kur kemi shikuar pse nuk ka ardhur, veçse ishte shumë vonë. Kemi kërkuar, kemi telefonuar dhe kemi bërë çmos për të na lejuar ta krijojmë komisionin, mirëpo fatkeqësisht nuk ia arritëm”, ka thënë Zeqiri për emisionin “Nëpër film” të transmetuar të shtunën në KTV.

Për kinematografët ky është një skandal jo i vogël i institucionit kryesor të filmit. 

“Lëshimi me mosaplikim prej anës së QKK-së, është një lëshim i madh”, ka thënë regjisori Besim Ugzmajli. Por sipas tij, gabimisht ushqehet ambicia e regjisorëve në Kosovë për “Oscars” përderisa filmat e rinj nuk kanë suksese kulminante në festivale që kualifikojnë për “Oscar” ose festivale të tjera që janë njëfarë filtri që filmat e caktuar të kenë gjasa për “Oscars”. 

“Pa dashtë me arsyetu lëshimin e QKK-së që e ka pamundësuar kandidimin duke u arsyetuar me çështje teknike, mendoj se aplikimi sa i për sy e faqe  me filma që s’kanë pasur suksese për shembull të nivelit të filmit ‘Zgjoi’, gjasat janë minimale për të mos thënë të pamundshme që ata filma të nominohen. Filmat e këtij viti s’kanë pasur suksese të tilla. Por kjo s’do të thotë se duhet të harrohet për të aplikuar”, ka thënë ai. 

Një anëtar i komunitetit kinematografik që e njeh mirë këtë proces, por s’ka dashur t’i përmendet emri, pasi s’është aktiv në skenën vendore, ka thënë se bëhet fjalë për skandal të madh e joseriozitet të lartë në raport me “Academy Awards”. 

“Zakonisht në korrik ‘Academy Awards” dërgon të dhënat ku bëhen të ditura kriteret për filmat që mund të kandidohen e po ashtu për komitetin selektues. Dhe nëse hajde ta zëmë kanë pasur probleme me e-maile, prej korrikut deri në fund të shtatorit s’u ka rënë ndërmend se duhet pasur propozim për ‘Oscar?”, ka thënë ky kinematograf. 

Sipas tij, është shumë joserioze në raport me “Academy Awards” që arsyetimi të jetë me problem teknik e harresa. 

“Një institucion shtetëror të sillet kësisoj me Akademinë që ndan çmimin më prestigjioz në botë, kjo është e tmerrshme”, ka thënë ai. Vjet dhe sivjet QKK-ja ka thyer traditën e nisur para një dekade. 
Institucioni më i lartë i kinematografisë sivjet nuk kishte hapur fare konkurs nëpërmjet të cilit shtëpitë filmike do të propozonin filmat e tyre para komitetit selektues të “Oscar”. Mundësia ishte humbur pasi koha e shpalljes së kandidatëve ka qenë deri më 2 tetor. Vjet QKK-ja së paku e hapi thirrjen. Por në fund të shtatorit kishte njoftuar se nuk do të ketë kandidat. Kishte thënë se për një dekadë të tërë Kosova ka zhvilluar bashkëpunime dhe vazhdon si e tillë të rrisë marrëdhëniet me Akademinë e Çmimeve “Oscars” dhe komunitetin e tij vlerësues. Por, sipas QKK-së, pas trajtimit të aplikimeve të atij viti, anëtarët e Komitetit Selektues kishin vendosur të mos propozojnë film për edicionin e “Oscars 2024”.

Sa i përket dështimit të sivjetmë me kandidatin për nominim për çmimin prestigjioz “Oscar” në QKK nuk kishin dhënë kurrfarë përgjigjeje. KOHA i ishte drejtuar drejtoreshës Blerta Zeqiri e cila kishte rekomanduar që pyetjet t’i adresohen zyrtarit Lum Çitaku. Por Çitaku nuk ishte përgjigjur fare. KOHA kishte insistuar prapë te drejtoresha Zeqiri, por edhe ajo ka rizgjedhur heshtjen. 

Deri tash, kur edhe për “problemin teknik” ka thënë se e merr përgjegjësinë. Ka paragjykuar se edhe sikur të hapej konkursi, mund të mos kishte propozime për nominim. 

“Mendoj që sivjet kemi pasur një vit shumë të suksesshëm sa i përket filmit të shkurtër. Filmi i metrazhit të gjatë ka qenë i suksesshëm, por sa kemi pasur informata ne, asnjë nga filmat nuk i ka plotësuar kushtet që duhet t’i kishte, që premierat t’i kenë shënuar në vend dhe në kinema e të tjera, e që do të mund të aplikonte. E them me aq informata që kemi pasur. Megjithatë, kjo nuk na shfajëson, sepse ne nuk do të thotë se i dimë të gjitha dhe duhet secilin vit të hapet konkursi. Ka ndodhur një problem teknik shumë banal, i cili më mirë është të mos flitet sesa të flitet, dhe ai ka qenë shkaku, të themi një mosmenaxhim i situatës, barra e së cilës më bie mua në këtë rast si drejtuese e institucionit”, ka thënë Zeqiri. 

Por sipas vetë asaj, disa prej filmave kanë pasur mundësi të shfaqen nëpër kinematë e Kosovës për t’i plotësuar kushtet për aplikim. 

“Kanë qenë ‘Bota jonë’ i Luana Bajramit, ‘Okarina’ dhe filma të tjerë. Nuk u humbet shansi, sepse mund ta bëjnë këtë edhe vitin e ardhshëm dhe do të ketë më shumë filma në momentin kur e hapim konkursin për aplikime. Prapë po e them, ky ka qenë një... nuk shfajësohet fakti që nuk e kemi hapur konkursin sivjet, është një rrethanë lehtësuese që nuk ka pasur filma të cilët i kishin plotësuar kushtet, por kjo nuk ka qenë arsyeja e mos-hapjes së konkursit”, ka thënë Zeqiri. 

Pavarësisht humbjes së shansit për “shkaqe teknike” sipas drejtoreshës së QKK-së, viti 2024 ka qenë i suksesshëm. 

“Mendoj se viti 2024 ka qenë shumë i suksesshëm për QKK-n dhe filmin në përgjithësi. E kemi filluar vitin me disa suksese të mëdha dhe të papritura të filmit të shkurtër dokumentar në Festivalin e Rotterdamit ku edhe e fituam çmimin kryesor me ‘Krahët e punëtorëve’ të regjisorit Ilir Hasanaj. Po në atë festival që është i kategorisë A, ku është vështirë të jesh pjesëmarrës, ne në mesin e 11 pjesëmarrësve i kemi pasur dy filma nga Kosova dhe kjo është një mundësi unike”, ka thënë Zeqiri, duke përmendur edhe filmin e “Rrugës” të Samir Karahodës me premierë në Festivalin e Cannes. 
“Diçka tjetër që e veçon këtë vit dhe besoj do të mbahet në mend është Rregullorja për të drejtën e rabatit, e cila ka hyrë në fuqi muajin e kaluar. Është diçka për të cilën komuniteti ynë ka punuar me vite, duke lobuar dhe kërkuar një gjë të tillë, sepse kjo mundëson investime nga jashtë për filmin dhe të vijnë e të prodhohen filma në Kosovë dhe jo vetëm”, ka thënë ajo.