Shitjen e biletave e shndërroi në art, aty priste ata që ia mësynin përjetimit të botëve të shumta nëpërmjet skenës teatrore, e me një punë si kjo, ia dha vetes epitetin e imazhit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Arsim Abazi – Cimi vdiq të hënën në moshën 52-vjeçare, duke lënë në mendjen e shumëkujt portretin e tij të buzëqeshur, takimin miqësor me artin skenik
Larg dritave të skenës, famës prej artisti, duartrokitjeve, buqetave me lule a lëvdatave, ai do të shndërrohej në fytyrë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, qetas, në biletarinë e institucionit më të lartë teatror në vend a në foaje. Përherë i buzëqeshur, i afërt me shikuesit, me të gjithë punonjësit e TKK-së, po se po. Nuk ishte thjesht biletashitës. Ishte mik i teatrit, bileta e shumëkujt për t’u takuar me magjinë e artit.
Arsim Abazi – Cimi ka vdekur të hënën. Ai ishte 52 vjeç. Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar TKK-ja.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të kolegut tonë, Arsim Abazi! Teatri Kombëtar i Kosovës ua shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjithë kolegëve, familjarëve, miqve dhe të afërmve të Arsimit – Cimës sonë të dashur!”, ka shkruar TKK-ja në njoftimin mortor, shoqëruar me portretin e tij të shquar me buzëqeshjen e lehtë, njashtu siç e mbajnë mend të gjitha ata që së paku një herë kanë shkelur në Teatër. Varrimi i tij është bërë të hënën në fshatin Majac. Mbledhja komemorative mbahet në TKK, të martën në orën 12:00.
Kolegë të shumtë të tij e ata që e kanë njohur, e kanë kujtuar Cimin si njeriun fisnik të TKK-së, ikja e të cilit lë zbrazëtirë, por që s’e venit kujtimin për të. Për njeriun që shitjen e biletave e shndërroi në art.
“Arsimi ose ‘Cima i teatrit’ siç e kemi quajtur, ka qenë njeri i rrallë, i jashtëzakonshëm, pjesë e rëndësishme e asaj çka e definon sot Teatrin Kombëtar të Kosovës. Prandaj, kaq shumë tronditje e kaq shumë mërzi na dha lajmi për vdekjen e tij të parakohshme. Ai ka qenë pamja më e bukur e atij ritualit të shkuarjes në teatër. Punën krejtësisht teknike e burokratike të shitjes së biletave, ai e pati kthyer në art, në art të ndërveprimit njerëzor”, ka thënë për KOHËN, dramaturgu Jeton Neziraj. Sipas tij, nga Cima “nuk ke blerë sall një biletë teatri”. “Por ke blerë edhe buzëqeshje e ngrohtësi njerëzore, ke blerë mirësjellje dhe respekt”, ka thënë ai.
Ministria e Kulturës në një telegram ngushëllimi ka shkruar se ikja e hershme e Arsim Abazit lë një zbrazëti të pazëvendësueshme për familjen, miqtë, kolegët dhe për institucionin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Arsimi do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të veçantë për teatrin, si frymëzim i përkushtimit dhe korrektësisë”, shkruhet në telegram.
Baleti Kombëtar i Kosovës e ka cilësuar si fytyrë ikonike e Teatrit i cili do të kujtohet përherë si “shok, koleg dhe profesionist i përkushtuar”. Prej pasluftës, Arsim Abazi do të punësohej në TKK.
Gazetari i KOHËS, Shaban Maxharraj, e ka përshkruar si fotografinë më domethënëse të Teatrit, atë imazh të rrallë të biletashitësit në kabinën e tij tek lexonte autorë të huaj e vendorë. Një figurë idealisti. Ka rikujtuar edhe një detaj. “Prej krejt atyre që kanë qenë pjesë e UÇK-së, Arsimi e kishte më së afërti ndërtesën e Qeverisë. Nuk aplikoi për librezë veterani, s’pranonte ta bënte këtë. Besonte se pas luftës shteti u tregua gjeneroz me të duke e punësuar si biletashitës në Teatrin Kombëtar”, ka shkruar ai duke e kujtuar për humorin e për thumbimet ndaj politikave e qeverive pa dallim, se në ditët kur ishte me armë në mal, “ëndërronte për tjetër Kosovës”. “Kohëve të fundit i qe shtuar sensi i humorit. Dhe me atë humor prej idealisti Cimi iku nga kjo botë”, ka shkruar ai.
Urë midis dy botëve asaj të zakonshme dhe magjike të skenës, e ka cilësuar Arsim Abazin, skulptori Skënder Boshtrakaj në një përkujtim për “njeriun që dinte t’i japë peshë vendit ku shpirti përgatitet të hyjë në art”.
“Foajeu e teatrit nuk është vetëm një hapësirë pritjeje, ajo është një tempull i vogël ku ndahet jeta e përditshme nga jeta e skenës. Aty fillon rrugëtimi ynë drejt dritave të lojës, aty përgatitet shpirti për t’u përballur me heronjtë, me humbjet dhe fitoret e tyre, me katarzën që na bën më të pastër e më njerëzorë. Pikërisht aty, në foaje, ishte gjithmonë edhe Cimi. Ai e dinte se aty ku ndahen realitetet, edhe bashkohen. Se aty ku fillon loja, lind edhe kujtimi”, ka kujtuar Boshtrakaj. Ka shkruar se prania e Cimit do të mbetet gjithnjë aty ku takohen njerëzit me teatrin, “aty ku fillon e mbaron përjetimi ynë i artit”.
“Çdo hap në foaje do ta ketë edhe hijen e tij, buzëqeshjen e tij, kujdesin e tij. Ky shkrim është për ty, Cimi, për njeriun që dinte t’i japë peshë vendit ku shpirti përgatitet të hyjë në art. Në atë hapësirë mes jetës dhe lojës, mes të vërtetës dhe ëndrrës, ti do të jesh gjithmonë i pranishëm”, ka shkruar Boshtrakaj.
Arsim Abazi – Cimi është gravuar si portreti miqësor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, aty ku ai priste biletën për të hapur dyert e përjetimit të një bote tjetër.