Kulturë

“Aroma e hënës” në tentativën për ta ndërgjegjësuar shoqërinë

Shfaqja “Aroma e hënës”, si drama e fundit e trilogjisë “Hëna prej letre” e akademik Mehmet Krajës, të martën mbrëma ka hapur sezonin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nën regji të Rozi Kostanit, shfaqja ec nëpër problemet e vendit në një stil teatror të njohur në Kosovë, e edhe më shumë në Shqipëri. U takon atyre shfaqjeve që para publikut i denoncojnë fort zhvillimet shoqërore, por këtë e bëjnë në kontura të konsumuara regjisoriale

Është një redaksi gazete që ka mbetur thuajse bosh. Botuesi nuk ia del t’i bëjë pagat për punonjësit. Jo veç pse gazetat gjithandej përballën me krizë, por edhe për faktin se gjendet në një ambient të vrazhdë. Në Kosovë botuesi vërtitet ta ndalojë një plan të madh: ndarjen e Kosovës. Është i shantazhuar sa s’ka më. Pos brenda ekipit të gazetës, grupet e interesit i kanë hyrë edhe në familje.

Prokuli (Ismet Azemi) di gjithçka. Por nuk e di asgjë për veten e as sigurinë e tij. Shfaqja “Aroma e hënës” si drama e fundit e trilogjisë “Hëna prej letre” e akademik Mehmet Krajës, të martën mbrëma ka hapur sezonin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nën regji të Rozi Kostanit, shfaqja ec nëpër problemet e vendit në një stil teatror të njohur në Kosovë e edhe më shumë në Shqipëri. Vet autori, akademik Kraja nuk është parë në premierë. U takon atyre shfaqjeve që para publikut i denoncojnë fort zhvillimet shoqërore, por këtë e bëjnë në kontura të konsumuara regjisoriale.

Te “Hëna prej letre” autori ironizon se liria nuk është e plotë. E krahason atë me një hënë joreale, por thjesht prej një copë letre, e cila shqyhet shpejt. Nëpërmjet një kaste aktorësh, kryesisht të ansamblit rezident të TKK-së, regjisorja paraqet dramën e shoqërisë, që manifestohet në një redaksi gazete.

Botuesit i hyn mendja që të shesë një pjesë të aksioneve. Ka prej gazetarëve që punojnë për grupe interesi dhe informojnë ata për politikën redaktuese e deri te tekstet që planifikohet të botohen. Krejt këto telashe janë te realiteti, ku liria dhunohet në kohë paqeje. Për ironi, ngjarja zhvillohet dy dekada pas çlirimit të Kosovës. Botuesi mundohet ta ruajë njëfarë idealizmi, por në rrethanat që është nuk mund ta shpërfaqë atë.

Bile në një rast, banditët i futen brenda e torturojnë atë. Ia ndalojnë të publikojë dosje të rënda. E në monologë, si ai i llojit të Armend Balokut, publikut i bëhet thirrje që t’i hapë sytë kur po u dhunohet personaliteti, familja e shoqëria. Shfaqja tenton fort që të ngacmojë publikun në bazë të rrethanave shoqërore, por shkaku edhe i mënyrës se si është shtruar, të paktën në premierë, nuk ka manifestuar ndonjë fuqi të cilën e ka pritur regjisorja.

“Artisti është ai që duhet t’i ndërgjegjësojë masat. Është ai që duhet të provokojë mendimin dhe ta emocionojë fuqishëm publikun. Një ndër pikat më të forta është kur unë i kam ndezur dritat dhe kam thënë: po përse nuk qani që na e kanë bërë këtë. Përse ne përpiqemi të harrojmë ose çfarë është kjo arsye që na bënë të harrojmë”, ka thënë Kostani pas shfaqjes. Ajo e ka lëvduar goxha tekstin.

“Ky tekst është provokues dhe e vë gishtin në plagë”, ka thënë ajo. Për tekstin janë pajtuar shumë nga të pranishmit, por jo edhe për mënyrën si është punuar me të.

“Nuk do të doja ta komentoj...” ka thënë një ish-profesor i regjisores, i cili edhe ka inskenuar drama të Mehmet Krajës, duke aluduar në inskenim që lë për të dëshiruar.

Por si një shfaqje të arrirë “Aromën e hënës” e ka përshkruar dramaturgu, Besim Rexhaj.

“Kemi një bashkëdyzim shumë adekuat e shumë funksional të një teksti të guximshëm, mbase më të guximshmit pas luftës së vitit 1998-1999, tekst i cili me e pasë në dorë të një regjisoreje me përvojë e të ditur, të përkushtuar, që ka ditur të artikulojë dramën e pasluftës, dramën e lirisë apo të të ashtuquajturës liri”, ka thënë Rexhaj. Sipas tij, atë që nxjerr në pah shfaqja është se shoqëria nuk mund ta realizojë imazhin e saj.

Për Ismet Azemin, i cili e ka barrën kryesore në shfaqje, ky projekt teatror tregon se të gjithë janë njerëz të shantazhuar e të keqpërdorur.

“Janë servilë të dikujt e shërbestarë të dikujt, më së paku të vetvetes. Uroj që kjo të ketë ardhur te publiku si zgjim, si vetëdijesim, si afrim me veten dhe familjet tona”, ka thënë ai.

Botuesi i gazetës përfundon duke bërë vetëvrasje. Nuk i ngelet rrugë tjetër pos litarit. Pos Azemit e Balokut kasta e aktorëve përbëhet edhe nga Donikë Ahmeti, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci, Veton Osmani, Naim Berisha, Adhurim Demi, Basri Lushtaku, Butrint Lumi e Ramadan Malaj. Salla e TKK-së ka qenë e mbushur goxha, përtej 50 për qindëshit që e lejojnë masat kundër pandemisë. Por përqindja e atyre që ka arritur t’i ngacmojë shfaqja duhet të jetë më e vogël.