Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar se ka nisur punën Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit pas dhjetë vjetësh ndërprerjeje.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ministri Gonxhja ka thënë se ka nisur prapë tradita e botimeve të librave dhe materialeve të tjera publicistike.
“Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit pas 10 vitesh ndërprerje, AQSHF rinis traditën e botimeve të librave e materialeve të tjera publicistike që kanë në përmbajtjen e tyre të dhëna arkivore mbi kinematografinë shqiptare. Dhe, e filluam me ‘fillimet’…”, ka shkruar Gonxhja.
“Në vitin 1898, Janaq Manaqi (1878-1954) çeli në Janinë të parën studio fotografike. Një vit më pas, më 1899, u bashkua me të edhe vëllai i tij i vogël, Miltiadhi (1880-1964). Në vitet 1903-1904, vëllezërit Manaqi e zhvendosën studion nga Janina në Manastir, duke qenë se Manastiri në atë kohë ishte kthyer në një qendër të rëndësishme ekonomike. Aty njihen me kineastin anglez Charles Rider Noble të shoqërisë kinematografike “Charles Urban Trading Company” dhe mësojnë nga ai përdorimin e kamerës”, ka shkruar më tej ministri Gonxhja.
Në publikimin e tij ka ndarë historinë e nisjes së njërit prej botimeve të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Edhe
Artefaktet nënujore të Shqipërisë marrin mbrojtje nga shteti
“Janaqi udhëton për në Londër dhe blen atje të parën kamerë Bioscop 300, me të cilën nisin të xhirojnë filma dhe t’i shfaqin në Janinë e Manastir. Filmi i parë i xhiruar në Ballkan është ‘Tjerrëset’, ku vëllezërit Manaqi kanë fiksuar në kamera gjyshen e tyre 114-vjeçare, Dhespina, dhe gratë e tjera të fshatit të tyre të lindjes, Avdela, duke punuar leshin”, ka shkruar ministri Blendi Gonxhja derisa ka thënë se këto të dhëna dhe të tjera fakte interesante mund të gjenden në librin e studiuesit Abaz Hoxha.
Ai ka thënë se “Fillimet e kinemasë në trevat shqiptare (1897 – 1945)” është botimi i ri i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit i autorit të themeluesit të institucionit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka sqaruar se në fotot e publikuara në rrjetin e tij social janë Miltiadh dhe Janaq Manaqi me paratë e biletave të kinemasë së tyre. Imazhet janë të marra nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut – Departamenti i Manastirit.
“Libri mund të studiohet pranë bibliotekës së AQSHF-së si dhe pranë librarisë ‘Berk’. Së shpejti edhe në e-Book”, ka përfunduar Gonxhja.
Arkivi Qendror Shtetëror i filmit është institucion që merret me ruajtjen, përpunimin shkencor, pasurimin me materiale të reja dhe shfrytëzimin e materialeve arkivore filmike për krijime të veprave të reja kinematografike e televizive dhe veprave studimore, duke respektuar të drejtat morale dhe ekonomike të autorit. Ky institucion shkëmben materiale arkivore për zgjerimin e pasurimin e inventarit të tij me institucione homologe shtetërore e private brenda dhe jashtë Shqipërisë, në kushte reciprociteti.
Edhe
Propaganda në frymë sovjetike e Shqipërisë dhe pasioni për estetikë
Arkivi fillimisht ishte një depo e trashëguar nga lufta dhe e vendosur pranë Kullës së Sahatit në Tiranë.
Në vitin 1947 merret vendim të krijohet Ndërmarrja Kinematografike Shqiptare, fillimisht si një magazinë për ruajtjen e filmave të grumbulluar nga shtetëzimi i kinemave private.
Në prill të vitit 1963, Federata Ndërkombëtare e Arkivave të Filmit me qendër në Paris propozon anëtarësimin e saj në këtë federatë. U pranua pas shtatë vjetësh si anëtare me të drejta të plota.
Nga viti 1947 – 1996, Arkivi funksionoi si një nga degët e ish-kinostudios “Shqipëria e re”. Në fund të viteve ‘80 filloi ndërtimi i objektit të Arkivit, i cili përfundoi në fund të vitit 1990, kur filloi edhe transferimi i fondit.
Arkivi shkëputet nga ish-kinostudio “Shqipëria e re” më 1997 dhe hyn në radhën e institucioneve të tjera kulturore me përgjegjësinë që krahas librit, pikturës, muzikës e folklorit, shoqëria shqiptare të ruajë dhe të mbrojë edhe veprat e artit të shtatë, si ato shpirtërore historike vendore ashtu edhe të huaj.
Edhe
“Marubi” avancon standardet e konservimit të arkivit
Një vit më pas AQSHF kthehet në institucion të hapur dhe fillon programet e veta të shfaqjeve në fillim në salla të tjera dhe pastaj brenda ambienteve të veta. Në vitin 1999 hapet salla “Kolë Idromeno” me 40 vende e pas një viti inaugurohet edhe “Salla 2000” e shfaqjeve të filmit me 120 vende.
Në 2005 institucioni kalon nën administrimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike. Statuti i institucionit u miratua më 2006. Themeluesi i Arkivit ishte studiuesi Abaz Hoxha.