Arkitekti që e projektoi i Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, kroati Andrija Mutnjakoviq, është shpallur Qytetar Nderi i Prishtinës në një ceremoni të mbajtur në pallatin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë. Mori pjesë kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Rama ka njoftuar të martën se Mutnjakoviqit i është dorëzuar edhe Çelësi i Prishtinës.
“Kënaqësi shumë e veçantë t’i dhurojmë Çelësin e Prishtinës, Andrija Mutnjakoviqit, arkitektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, si një simbol i mirënjohjes dhe vlerësimit nga unë dhe qytetarët e Prishtinës për kontributin e jashtëzakonshëm në krijimin e një veçantie dhe ekspresiviteti të guximshëm të qytetit tonë”, ka shkruar Rama në profilin e tij në Facebook. Kryetari Rama, edhe vetë arkitekt me profesion, ka shkruar se ka qenë ëndërr e kamotshme e tij ta takojë arkitektin e shquar, i cili e ka inspiruar atë dhe breza të tërë arkitektësh ndër vite. Ka theksuar edhe një tjetër lidhje.
“Pikërisht godina e Bibliotekës, e cila na jep një ndjenjë krenarie, identiteti dhe nderi, është arsyeja pse zgjodha të bëhesha arkitekt”, ka shkruar Rama, duke shtuar se shpreson që së shpejti do ta mirëpresin Mutnjakoviqin në Prishtinë.
Ceremonia në nderim të Mutnjakoviqit i cili më 29 nëntor feston ditëlindjen e 93-të, është mbajtur të hënën. Mutnjakoviq e projektoi Bibliotekën më 1971 Ndërtimi i Bibliotekës sipas projektit të tij, u përfundua më 1974. Një njoftim për ceremoninë e nderimit të projektuesit të saj, ka postuar edhe Ambasada e Kroacisë në Kosovë, në profilin e saj zyrtar në Facebook. Aty shkruhet se akademiku kroat pasi falënderoi Ramën për titullin Qytetar Nderi dhe dhënien e Çelësit të Prishtinës, ka thënë se gjatë 13 vjetëve të punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ka kaluar të paktën një muaj në vit atje.
“Projekti nuk ka ndryshuar në asnjë segment, është ndërtuar ashtu siç është konceptuar, gjë që ndodh rrallë. Më vjen mirë që shqiptaria e pranoi Bibliotekën si pronë dhe si pjesë të identitetit të tij”, citohet të ketë thënë Mutnjakoviq.
I pranishëm, sipas njoftimit, ka qenë edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, akademik Velimir Neidhardt, i cili ka kujtuar lidhjet e tij me Kosovën dhe arkitektët atje dhe ka theksuar meritat e akademikut Mutnjakoviq për arkitekturën kroate, si dhe për promovimin e trashëgimisë arkitekturore kroate në librat e tij.
Edhe
Andrija Mutnjakoviq: Arkitekturën ia kam kthyer natyrës
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, Martin Berishaj, citohet të ketë thënë se dita e ndarjes së Çelësit të Qytetit të Prishtinës akademikut Mutnjakoviq është festë për të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe për mbarë shtetin e Kosovës. “Jemi jashtëzakonisht të lumtur, sepse nuk jemi vetëm në ruajtjen dhe promovimin e identitetit dhe trashëgimisë së Kosovës dhe i jemi mirënjohës shtetit kroat që na ka ndihmuar në këtë”, citohet të ketë thënë ai.
Objekti i Bibliotekës Kombëtare është një prej monumenteve më unike në Kosovë dhe jo vetëm. Në një intervistë të gjatë për revistën kroate “Zarez”, botuar në Shtojcën për kulturë të KOHËS Ditore më 24 maj dhe 31 maj, Mutnjakoviq kishte zbërthyer në detaje projektin e tij, frymëzimin, idenë dhe mënyrën se si u realizua. “Ideja ime bazike në projektimin e Bibliotekës së Kosovës është bizantine, derisa modelet lokale të konceptimit të Bibliotekës fillojnë me forma të Hamamit të Prizrenit, vazhdojnë me hapësira strukturore të Patrikanës së Pejës dhe përfundojnë me forma të xhamive të Prishtinës”, kishte thënë ai. Ky projekt është një nga realizimet më të shquara të një arkitekti kroat jashtë Kroacisë. Mutanjkoviq në atë intervistë, kishte folur edhe për atë se si kishte ardhur deri te angazhimi i tij për projektin. Kam marrë pjesë në konkursin për Bibliotekën në Sarajevë, ndërsa një vit apo dy pas kësaj, me rekomandim të një arkitekti të njohur kosovar, Bashkim Fehmiut, u takova me Ismet Spahiun, asokohe drejtor i Bibliotekës së Prishtinës. Pasi më tha se si projekti im i Bibliotekës së Sarajevës e kishte impresionuar, shprehu dëshirën e tij që unë ta krijoja projektin e Bibliotekës së Kosovës. Projektin e ri e kam realizuar me të njëjtat elemente strukturore, kjo do të thotë zona kubike të mbuluara me kupola, si objekte kryesore, që i kam ideuar edhe për projektin e Bibliotekës në Sarajevë. Pra, Biblioteka e Prishtinës është krijuar si një asociim në projektin tim të Sarajevës Megjithatë, derisa Bibliotekën e Sarajevës e kam projektuar si një vëllim tërësisht horizontal njëkatësh, në Prishtinë vendi për ndërtimin ka pasur më pak hapësirë andaj Bibliotekën e Kosovës e kam projektuar me më shumë kate. Kështu u krijua një përbërje krejtësisht e re hapësinore, ashtu siç është ndërtuar”, kishte thënë ai.