Kulturë

“Arbri” përballë amnezisë që cenon identitetin

Janë skena të shpejta që mjegullojnë aty për aty kujtesën, e pikërisht amnezia apo ajo që shtjellohet në esencë në shfaqjen “Arbri” nën regji dhe me tekst të Lirak Çelajt. Trajton temën e shëndetit mendor, sfidat e shoqërisë në ballafaqimin me të dhe të kaluarën. Nëpërmjet simbolikave, “Arbri” shtjellon edhe amnezinë kombëtare

Para se të ndriçohet skena, dëgjohet zëri i Arbrit (Shkumbin Istrefi) tek thërret të bijën e tij Anën (Qendresa Jashari). Kur ndizen dritat shfaqet dhoma e banesës, në shikim të parë aq e rehatshme, në kontrast me gjendjen e Arbrit, i cili s’gjen dot asnjë grimë rehati në mendjen e tij. Endet nga njëri qosh në tjetrin duke i kërkuar lajmet në telefon. Ana vjen nga jashtë për t’i treguar se po shkon në Bruksel në ndjekje të një lidhjeje të re dashurie. Dialogu merr tjetër drejtim, larg prej një të zakonshmi, pak minuta pasi nis shfaqja “Arbri” nën regji e me tekst të Lirak Çelajt, e dhënë premierë të hënën mbrëma në teatrin “Oda”. E bazuar në filmin “The Father" me Anthony Hopkinsin në rol kryesor, shfaqja ku luajnë edhe Labinot Raci, Daniela Markaj dhe Blend Sadiku përkon edhe me 20-vjetorin e “Odës” si institucion i pavarur kulturor që u shënua në ditën e parë të marsit.

“Arbri” nis e shpalos skenat duke e çuar publikun në qoshet e mendjes të cilat shumëkush do të preferonte t’i linte të paeksploruara. Shtjellon sëmundjen e demencës jo vetëm në kuptimin mjekësor të termit. Arbri vuan nga kjo sëmundje. Vitet e jetës nëpër të cilat ka kaluar duket sikur janë copëtuar në mijëra pjesëza e në asnjë mënyrë nuk mund t’i bashkojë për ta formësuar një kujtim. Kjo e shqetëson Anën, e cila me çdo kusht mundohet ta bindë që të pranojë një kujdestare kur ajo vendosi të shpërngulet në Bruksel dhe s’mund ta lë vetëm. Arbri kundërshton duke i thënë se motra e saj Lulja është më e kuptueshme. E pyet Anën nëse e ka takuar së voni. Nuk e di se Lulja kishte rënë dëshmore në luftë.

Me ndërrimin e skenës shfaqet para publikut pjesa tjetër e kastës. Njëherë Ana me të dashurin e ri (Labinot Racin) diskutojnë për shëndetin e të atit. Në tjetrën, Ana e Arbri njoftohen për kujdestaren. Tutje, në çdo skenë ndërrohet nga një mur për ta shndërruar pamjen e dhomës së shtëpisë në dhomë të shtëpisë për të moshuar. Laura (Daniela Markaj) dhe Petriti (Blend Sadiku), në skenën e fundit shfaqën si infermierë. Koha ishte që Arbri t’i marrë ilaçet dhe aty dukshëm humb temperamentin, ndryshon humorin dhe mundohet t’i japë kuptim asaj se çka është duke ndodhur. Nuk është në gjendje ta kuptojë. Skenat kanë kapërcime të shpeshta dhe provokojnë theksueshëm kujtesën. Kur bie perdja, “Arbri” lë shumë pyetje, përgjigjet në të cilat vijnë menjëherë pas duartrokitjes përmbyllëse.

Lirak Çelaj ka thënë se mundësitë e mangëta për trajtimin e sëmundjeve të tilla, mungesën e mbështetjes institucionale e harresën kombëtare i përçon si mesazh teksti i shfaqjes “Arbri”.

“E kam përmendur vazhdimisht që këtu janë dy dimensione. E para është një situatë reale që po i ndodhë shumë familjeve në Kosovë, njerëz të cilët kanë sëmundje të ndryshme, në këtë rast demencën. Mundësitë për t'i trajtuar këto sëmundje nuk janë të mjaftueshme, si nga ana institucionale e më gjerë. Dhe kjo është një dramë nëpër të cilën kalon familja. Ajo që shkon paralelisht me këtë ngjarje që unë jam munduar t’ia jap dimensionin tjetër është nëse mund ta përdor shprehjen ‘demeneca kombëtare’ ose ‘amnezia kombëtare’. Ne shpesh po e harrojmë edhe historinë shumë të afërt që na ka ndodhur e lëre më atë më të largët. Po e harrojmë identitetin tonë, po i harrojmë rrënjët tona dhe orientimin tonë. Jam munduar me pakë fjalë, me disa batuta, të jap edhe këtë mesazh i cili mendoj se është shumë me rëndësi për ne”, ka thënë Çelaj, teksa po merrte urimet pas premierës. Mbi muaj prova intensive janë prapa inskenimit të “Arbrit”. Çelaj ka thënë se momenti i premierës është ai kur zbrazet e tërë ngarkesa e provave dhe hamendjes për paraqitjen para shikuesit.

“Natyrisht premiera është një moment i zbrazjes emocionale, i relaksimit pas një periudhe më se një muaj e gjysmë të provave. Ndonëse kanë qenë prova shumë të mira, shumë të relaksuara dhe kam punuar me një ekip shumë të mirë ku kam ndjerë kënaqësi edhe unë. Mund të them se ka qenë ndoshta prej punëve më të lehta që i kam bërë, në kuptimin e mënyrës se si ka shkuar. Ka shkuar mbarë puna, sepse ka qenë edhe kasta e mirë edhe jemi kuptuar shumë mirë, kështu që ndjehem mirë. Nuk më takon mua ta vlerësoj. shpresoj se u ka pëlqyer shikuesve. Tash e presim vlerësimin nga ta”, ka thënë ai.

Çelaj konsideron se qëllimin me të cilin e ka shkruar shfaqjen e ka arritur për sërish është kthyer te publiku.

“Që të jem i sinqertë, i marr me rezervë komentet menjëherë pas premierës. E di që njerëzit ndonjëherë ta bëjnë edhe qejfin. Atë çka kam dashur ta sjell në skenë e kam arritur atë rezultat. Jam i kënaqur me punën e aktorëve dhe të gjithë ekipit. Kjo është ajo që kam dashur të shfaq në skenë, kështu që unë jam i kënaqur me punën time”, ka thënë Çelaj.

Aktori Shkumbin Istrefi, thotë se më lehtë do të ishte po ta luante demencën vetëm si sëmundje. Ka vlerësuar se dimensioni tjetër të cilin Çelaj ia ka dhënë bartë një barrë simbolike.

“Ky ka qenë qëllimi i Lirakut kur e ka shkruar tekstin. E ka shkruar me atë qëllim. Për mua ka qenë provokuese si aktor, sepse është shumë më lehtë të luash ndoshta vetëm demencën pa e pasur këtë barrën tjetër, barrën simbolike. Në këtë aspekt ka qenë shumë provokuese për mua por po besoj që ka funksionuar”, ka thënë Istrefi.

Për pjesën tjetër të kastës ka qenë me i lehtë aktrimi në këtë shfaqje. Kjo, për arsyen se rolin kryesor e ka Istrefi dhe tërë studimin e sëmundjes dhe manifestimit të saj e kanë bërë në bashkëpunim me të.

“Ka qenë vështirë, por edhe ka qenë proces i kënaqshëm. Përparësia e neve të tjerëve është që rolin kryesor e ka profesori Shkumbin Istrefi, i cili e ka studiuar në mënyrë fantastike. Edhe pse është kthyer pas 13 vjetëve në teatër e ka studiuar në atë mënyrë që na ka ndihmuar edhe ne. Kemi diskutuar çdo ditë, kemi studiuar çkado që ka për demencën, në mënyrë që ta shfaqim siç duhet”, ka thënë aktori Labinot Raci.

Interesimi nga publiku për shfaqjen “Arbri” qe i madh. Në mesin e audiencës ishte edhe sociologia Aurela Kadriu, për të cilën tema dhe mënyra se si u trajtua në shfaqje ishin shumë të rëndësishme.

“Shëndeti mendor në përgjithësi është temë për të cilën flasim pak dhe të cilën e shohim pak të trajtuar mirë në teatër. Një çështje e tillë për rastet të cilat i kemi ndër ne, me e pa kështu dhe me u ballafaqu me të, qe njëfarë përvoje jo edhe aq e këndshme, sidomos edhe me qasjen që institucionet shtetërore e kanë ndaj rasteve të tilla. Natyrisht në shfaqje pamë që kjo dinamikë e brendshme familjare ka shumë nuanca. Aty hyn edhe një realitet me të cilin ballafaqohen shumë familje në Kosovë, të cilat nuk kanë metoda që të ballafaqohen me të kaluarën e tyre, e cila është pjesë e një narrativë më të madhe historike", ka thënë Kadriu.

Reprizën e parë pas premierës shfaqja e pati të martën mbrëma, për të vazhduar më 16 dhe 30 mars.