Kulturë

Arbërishtja në kufijtë e mbijetesës

Ka kohë që alarmohet për rrezikimin e arbërishtes në Kalabri, se ka pak folës të saj prej brezit të ri, e një konkluzion si ky ka dalë edhe në Kuvendin e Dytë të Studimeve Arbëreshe të mbajtur në Tiranë. Të dhënat janë nxjerrë prej hulumtimit në terren. “Mbijetesa e Arbërishtes në shekullin XXI”, ka qenë tema e Kuvendit i cili mbahet me qëllim të gjetjes së mënyrave për të ruajtur gjuhën e kulturën arbëreshe

Gjuha arbëreshe është në kufijtë e mbijetesës në komunitetet e këtyre kantundeve arbëreshe në Kalabri, është njëri prej konkluzioneve që është rikonfirmuar edhe në Kuvendin e Dytë të Studimeve Arbëreshe, i mbajtur në dy ditë e para të kësaj jave në Tiranë. Një konstatim si ky – i kumtuar të martën në ditën e dytë dhe të fundit të Kuvendit – është nxjerrë prej hulumtimeve në terren.

Edmond Cane nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët ka kumtuar të dhënat në kumtesën me titull “Përcaktimi i niveleve të përdorimit të arbëreshëve, transmetimi i tij midis brezave dhe prioritizimi i faktorëve, si parakusht për zhvillimin e politikave gjuhësore”. Teksa ka paraqitur të dhënat parësore të marra nga puna në terren e kryer në kuadër të ekspeditës në komunat arbëreshe në qershor 2022, ka thënë se ato vijnë nga kërkimi sasior me studimin e variablave si numri i komunave, pesha specifike e popullsisë së këtyre komunave, shtrirja gjeografike, si dhe tipologjia e tyre. Të dhënat janë kombinuar me vëzhgimin e drejtpërdrejtë në terren, çuan në përfundimin se “gjuha arbëreshe është në kufijtë e mbijetesës në komunitetet e këtyre kantundeve arbëreshe në Kalabri”.

“Mbijetesa e Arbërishtes në shekullin XXI”, ka qenë tema e Kuvendit të Dytë të Studimeve Arbëreshe që u përmbyll me forumin e drejtuar nga Diana Kastrati dhe Eda Derhemi, mes aktorëve kryesorë, të cilët diskutuan për gjendjen e arbërishtes. Në këtë forum palët pjesëmarrëse të pranishme kanë qenë aktivistë arbëreshë, kryetarë të komunave arbëreshe, si dhe studiues arbëreshë, të cilëve iu drejtuan një seri pyetjesh mbi arbërishten. Sipas komunikatës, forumi ka ngjallur debat mes palëve, por dhe mes të pranishmëve në sallë, për nivelin e përdorimit të gjuhës dhe gjendjen e komuniteteve arbëreshe sot.

Ambrogio Bellizzi nga Firmo, Kalabri, ka ligjëruar në kumtesën bazuar në përvojën e tij të mësimdhënies në shkollat e Kalabrisë. Bellizzi ka paraqitur mënyrën si janë angazhuar fëmijët në procesin e mësimdhënies së gjuhës arbëreshe. Ai ka theksuar se gjatë viteve janë prodhuar materiale të ndryshme mësimore, disa prej të cilave janë mbledhur në botime e vëllime të botuara. Ndër to vepra kushtuar lojërave të së shkuarës, lojërat dhe lodrat në traditën popullore të Fermës dhe vëllimi “Kujtimet. Si qemë një herë”. Ai ka nënvizuar rolin e teatrit si instrument për mësimin e arbërishtes te fëmijët e shkollave fillore.

Fernanda Pugliese nga Montecilfone mbajti kumtesën me titull “Gjuha arbëreshe në bashkësitë arbëreshe të Molises”. Pugliese ka analizuar programet dhe strategjitë që duke përfshirë sferën institucionale dhe publike “mund të futen në përdorim për të ngjallur kuriozitet dhe interes, në mënyrë që gjuha e etërve të bëhet bartëse e vlerave të lashta të përfshira në transformimet e vazhdueshme”. Shtysa erdhi nga një studim i kryer nga profesorë të Universitetit të Monpellier-it si prof. Ksenija dhe Leo Lèonard, ku rezultoi se gjuha arbëreshe në bashkësitë shqipfolëse të Molises është ende e përhapur në popullatën e moshës madhore që praktikon përdorimin e saj gojor, por që përdorimi i saj është i rrezikuar ndër brezat e rinj.

Organizuar prej Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Kuvendi i Dytë i Studimeve Arbëreshe me temë “Mbijetesa e Arbërishtes në shekullin XXI” ka ardhur në vijim të dy veprimtarive shkencore ndërkombëtare të zhvilluara në dy vjetët e kaluar, përkatësisht Kuvendi i Studimeve Arbëreshe më 2021 dhe Konferenca e Gjuhëve në Rrezik në bashkëpunim me FEL (Federatën e Gjuhëve në Rrezik) me seli në Londër, në lidhje me rëndësinë parësore dhe emergjencën e strategjive dhe politikave të duhura mbi gjuhën arbëreshe.

Kuvendi synon të mbledhë së bashku emrat më të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar të fushës së studimit dhe të hartimit të strategjive politikëbërëse për rijetëzimin e gjuhëve minoritare; studiuesit, përfaqësuesit e institucioneve evropiane mbi politikat gjuhësore, si dhe përfaqësuesit e komunitetit arbëresh, të cilët pritet të sjellin ekspertizën e tyre dhe disa strategji bashkëkohore që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhëve në rrezik, siç është rasti i arbërishtes.

“Ky kuvend synon jo thjesht të nxjerrë në pah gjendjen aktuale të arbërishtes, por sidomos të koordinojë bashkëpunimin ndërinstitucional e komunitar për të mbrojtur dhe zgjeruar sferën e përdorimit të arbërishtes, në kuadrin e politikave të shtetit shqiptar ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme të diasporës sonë historike”, shkruan Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët në paralajmërimin e Kuvendit.