Është një udhëtim 360-shkallësh si në “shuplakë dore” mes mbetëzave të antikitetit, kishave bizantine, ullinjve dhe diellit në fushëtirën e Myzeqesë. Aplikacioni “Apolonia e Ilirisë” sjell për të pasionuarit qytetin ilir që arkeologët e quajnë “Pompei” i Shqipërisë
Gati 100 vjet më parë arkeologu francez Leon Rei përjetoi eurekën e tij të karrierës profesionale. Nga nëntoka e fushës së Myzeqesë dolën në dritë ndërtesa njëra pas tjetrës të atij që në antikitet ishte një nga qytetet më të përmendura të Mesdheut. Një kundrim virtual prej Ardenicës e kodrave të Libofshës me kisha ortodokse e deri te mbetëzat arkeologjike të Apolonisë, tashmë është pjesë e një aplikacioni digjital për telefona mobilë. “Apolonia e Ilirisë” është programi falas që përthekon krejt pasurinë e Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë.
“Parku Kombëtar Arkeologjik i Apolonisë është një nga më të bukurit dhe më të vizituarit. Tani ka një mundësi më shumë për ta njohur e vizituar”, ka bërë me dije ministrja e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, Elva Margariti, në një njoftim të afishuar në llogarinë e saj në Facebook. Sipas saj, aplikacioni “Apolonia e Ilirisë” është i pari i këtij lloji në Shqipëri që “mundëson vizitën virtuale në këtë thesar të trashëgimisë sonë kulturore”.
Aplikacioni përfshin pamje aeriale të krejt hapësirës arkeologjike në fshatin Pojan të Fierit. Në zemër të qytetit, që dikur ishte banuar nga rreth 60 mijë frymë, është “Qendra Monumentale” që përfshin asetet ikonike të Parkut Arkeologjik të Apolonisë: dy shëtitoret kryesore, Harkun e Triumfit, Bibliotekën, Buleterionin, Odeonin, sanktuarin e tempuj të tjerë.
“Apolonia ilire”, që shërbimet i ofron në shqip dhe anglisht, përbëhet nga turi virtual, monumentet, rrugët religjioze, muzetë dhe informacione të tjera.
Udhëtimi virtual e ka të pamundur shkëputjen nga i quajturi “Monumenti i Agonotetit”, si ndërtesa më e dukshme e gjithë parkut që shërben edhe si simbol i arkeologjisë shqiptare.
I njohur për arkeologët edhe si “Buleterion” (pas fjalës “bule”, Këshilli i Qytetit), ai njihet për gjashtë kolonat e stilit korintik që mbajnë arkitraun kryesor.
“Monumenti është ndërtuar në periudhën romake, në shekujt e parë pas Krishtit. Fasada e restauruar me 6 kolona të stilit korintik mban arkitraun ku është gdhendur një mbishkrim në greqishten e vjetër, i cili na tregon se ndërtesa e këshillit të qytetit është ndërtuar nga prytanis (drejtues i qytetit), njëkohësisht agonotet (i ngarkuar për organizimin e garave dhe festave sportive) dhe kryeprift, në kujtim të vëllait të vet i cili gjithashtu kishte qenë agonotet, nga e ka marrë edhe emrin monumenti”, thuhet në informacionin për “Buleterionin”.
Veç klasikes që kronologjizohet në periudhën helenistike dhe atë romake, ana tjetër e Apolonisë janë edhe pasuritë jo të vogla kishtare. Më kryesorja është Kisha e Shën Mërisë që ishte ndërtuar në rrënojat e qytetit të moçëm duke përdorur gurë e tulla të marra prej monumenteve.
“Stili bizantin i manastirit daton nga shekulli i 13-të dhe ishte i rrethuar me mure mbrojtëse”, thuhet në informacionin që jep “Apolonia ilire”.

Vetë aplikacioni është menduar edhe si një lloj kallauzi turistik për të gjithë të interesuarit që nisen nga Tirana drejt Parkut Arkeologjik: për 1 orë e 47 minuta udhëtim me makinë arrihet në Ardenicë, pas së cilës janë kodrat e Libofshës plot me kisha bizantine.
Aplikacioni “Apolonia ilire”, që funksion në dy platforma të mëdha android dhe IOS, u krijua duke zënë fill nga nevojat që krijuan masat kufizuese të pandemisë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kohë më parë kishte paralajmëruar se ky aplikacion do të bëhet një praktikë e zakonshme edhe për site të tjera arkeologjike në Shqipëri.
Ai është prodhuar nga fondacioni SIG në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Apolonisë në kuadër të projektit “Rrugët e besimit, drejt kulturës, natyrës dhe traditës për zhvillim të qëndrueshëm” dhe është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës.
Si më i madhi park arkeologjik brenda territorit shqiptar, Apolonia qysh prej vitit 2005 funksionon si park arkeologjik kombëtar, duke u bërë një nga pikat më të vizituara nga turistët.
Me gërmime që kishin nisur qysh në shekullin e 19-të, evoluimi shtetëror i pasurisë arkeologjike filloi më 1936, kur u hap në Vlorë muzeu arkeologjik “Zogu I”. Me rifillimin e gërmimeve arkeologjike të lëna në gjysmë nga francezët, më 1958 do të krijohej muzeu arkeologjik brenda mjediseve të manastirit.
E ndodhur 10 kilometra larg qytetit të Fierit, Apolonia shtrihet mbi një kodër 100 metra mbi nivelin e detit.
U themelua në shekullin e shtatë para Krishtit si ngulim i korinthasve në tokat e fisit ilir të taulantëve. Emrin e mori nga hyjnia Apolon duke u bërë kështu një nga 24 qytetet në pellgun mesdhetar që mbanin këtë emër. Duke qenë në afërsi të lumit Aoos (Vjosa e sotme), Apolonia pati zhvillimin e vet nëpërmjet tregtisë mes botës greke dhe asaj ilire.
Qyteti ishte mbi 100 hektarë brenda mureve rrethuese dhe numëronte rreth 50 mijë banorë në periudhën helenistike dhe atë romake. Apolonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apoloniate e arteve të bukura ishte me famë në të gjithë botën antike. Në Apoloni kanë kaluar figura të rëndësishme të Romë si Çezari ashtu sikundër edhe Oktaviani që studioi aty filozofi dhe oratori. Në shenjë mirënjohjeje, ky i fundit ia dha Apolonisë statusin “Civitas Liberi et Imunis” (i lirë dhe i paprekshëm”).
Tatëpjeta nisi pas tërmetit të shekullit III të erës sonë, kur lumi Aoos ndërroi shtrat duke e shkëputur qytetin nga deti. Apolonia e humbi rëndësinë ekonomike duke mbetur veç qendër e thjeshtë fetare.