Janë 50 mijë turistë që kanë vizituar Parkun Arkeologjik të Apollonisë në 7 muajt e fundit. Me këto shifra kjo hapësirë e trashëgimisë kulturore është duke u bërë atraksion i veçantë në Shqipëri. Investimet e shtetit shqiptar bashkë me promovimin që i është bërë, kanë dhënë rezultat të lartë sa u përket vizitave.
“Parku Arkeologjik i Apollonisë, një nga xhevahiret e trashëgimisë sonë kulturore, i cili falë edhe restaurimit tërësor si dhe rrugës së re lidhëse me infrastrukturën kombëtare, është kthyer në një atraksion të dëshiruar gjithnjë e më shumë nga turistët e vizitorët”, ka shkruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në rrjete sociale.
Apollonia është një thesar i pasur i historisë dhe kulturës shqiptare. Ky qytet antik ndodhet në juglindje të Shqipërisë, afër qytetit të Fierit. Historia e Apollonisë është e ndërlikuar dhe interesante, dhe vizituesit mund të kenë shumë për të kuptuar dhe eksploruar në këtë vend. Eksplorimi në atë hapësirë kishte nisur para një shekulli kur arkeologu francez, Leon Rei, përjetoi eurekën e tij të karrierës profesionale. Nga nëntoka e fushës së Myzeqesë dolën në dritë ndërtesa njëra pas tjetrës të atij që në antikitet ishte një nga qytetet më të përmendura të Mesdheut. Një kundrim virtual prej Ardenicës e kodrave të Libofshës me kisha ortodokse e deri te mbetëzat arkeologjike të Apolonisë, tashmë janë hapësirë fort e vizitueshme. Digjitalizimi e ka bërë të veten. Janë edhe pjesë e një aplikacioni digjital për telefona mobilë. “Apolonia e Ilirisë”. Është program falas që përthekon krejt pasurinë e Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë.
Aplikacioni përfshin pamje aeriale të krejt hapësirës arkeologjike në fshatin Pojan të Fierit. Në zemër të qytetit, që dikur ishte banuar nga rreth 60 mijë frymë, është “Qendra Monumentale” që përfshin asetet ikonike të Parkut Arkeologjik të Apolonisë: dy shëtitoret kryesore, Harkun e Triumfit, Bibliotekën, Buleterionin, Odeonin, sanktuarin e tempuj të tjerë.
“Apolonia ilire”, që shërbimet i ofron në shqip dhe anglisht, përbëhet nga turi virtual, monumentet, rrugët religjioze, muzetë dhe informacione të tjera.
Udhëtimi virtual e ka të pamundur shkëputjen nga i quajturi “Monumenti i Agonotetit”, si ndërtesa më e dukshme e gjithë parkut që shërben edhe si simbol i arkeologjisë shqiptare.
I njohur për arkeologët edhe si “Buleterion” (pas fjalës “bule”, Këshilli i Qytetit), ai njihet për gjashtë kolonat e stilit korintik që mbajnë arkitraun kryesor.
“Monumenti është ndërtuar në periudhën romake, në shekujt e parë pas Krishtit. Fasada e restauruar me 6 kolona të stilit korintik mban arkitraun ku është gdhendur një mbishkrim në greqishten e vjetër, i cili na tregon se ndërtesa e këshillit të qytetit është ndërtuar nga prytanis (drejtues i qytetit), njëkohësisht agonotet (i ngarkuar për organizimin e garave dhe festave sportive) dhe kryeprift, në kujtim të vëllait të vetë i cili gjithashtu kishte qenë agonotet, nga e ka marrë edhe emrin monumenti”, thuhet në informacionin për “Buleterionin”.
Veç klasikes që kronologjizohet në periudhën helenistike dhe atë romake, ana tjetër e Apolonisë janë edhe pasuritë jo të vogla kishtare. Më kryesorja është Kisha e Shën Mërisë që ishte ndërtuar në rrënojat e qytetit të moçëm duke përdorur gurë e tulla të marra prej monumenteve.
“Stili bizantin i manastirit daton nga shekulli XIII dhe ishte i rrethuar me mure mbrojtëse”, thuhet në informacionin që jep “Apolonia ilire”.
Vetë aplikacioni është menduar edhe si një lloj kallauzi turistik për të gjithë të interesuarit që nisen nga Tirana drejt Parkut Arkeologjik: për 1 orë e 47 minuta udhëtim me makinë arrihet në Ardenicë, pas së cilës janë kodrat e Libofshës plot me kisha bizantine.
Aplikacioni “Apolonia ilire”, që funksion në dy platforma të mëdha Android dhe IOS, u krijua duke zënë fill nga nevojat që krijuan masat kufizuese të pandemisë.
E ndodhur 10 kilometra larg qytetit të Fierit, Apolonia shtrihet mbi një kodër 100 metra mbi nivelin e detit.
U themelua në shekullin e shtatë para Krishtit si ngulim i korinthasve në tokat e fisit ilir të taulantëve. Emrin e mori nga hyjnia Apolon duke u bërë kështu një nga 24 qytetet në pellgun mesdhetar që mbanin këtë emër. Duke qenë në afërsi të lumit Aoos (Vjosa e sotme), Apolonia pati zhvillimin e vet nëpërmjet tregtisë mes botës greke dhe asaj ilire.
Qyteti ishte mbi 100 hektarë brenda mureve rrethuese dhe numëronte rreth 50 mijë banorë në periudhën helenistike dhe atë romake. Apolonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apoloniate e arteve të bukura ishte me famë në të gjithë botën antike. Në Apoloni kanë kaluar figura të rëndësishme të Romë si Çezari ashtu sikundër edhe Oktaviani që studioi aty filozofi dhe oratori. Në shenjë mirënjohjeje, ky i fundit ia dha Apolonisë statusin “Civitas Liberi et Imunis” (i lirë dhe i paprekshëm”).
Tatëpjeta nisi pas tërmetit të shekullit III të erës sonë, kur lumi Aoos ndërroi shtrat, duke e shkëputur qytetin nga deti. Apolonia e humbi rëndësinë ekonomike duke mbetur veç qendër e thjeshtë fetare.