Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Antropologji e peizazheve

Shpeshherë kur përmendet fjala “peizazh” mendohet për aspektin vizual të një vendi, apo pamjen e tij. Kjo fjalë ka ardhur nga frëngjishtja, e ndoshta edhe nga italishtja, në gjuhën shqipe. Disa puritanë tentojnë ta përkthejnë si “vis” apo “visore”, disa e përkthejnë vetëm si “reliev” e disa e lënë si “peizazh”. Në gjuhën angleze peizazhi është “landscape” dhe kjo fjalë vjen nga gjermanishtja “landschaft”. Kjo kuptohet si vendi apo materialiteti i asaj që duket, por edhe vetë pamja. Në studimet gjeografike e antropologjike, peizazhi është trajtuar vetëm nga aspekti vizual, duke i dhënë kështu prioritet perceptimit. Fjalori i këtyre studimeve është kryesisht me fjalë vizuale, por edhe botëkuptimi mbi peizazhet është krijuar nga perceptimi.

Në dekadat e fundit, një prej antropologëve më të njohur të studimeve mbi peizazhet, ka krijuar një botëkuptim të ri mbi mënyrën e njohjes (metodën) dhe kuptimin e peizazheve si vende të cilat krijojnë marrëdhënie të ngjeshura mes natyrës dhe kulturës, lëvizjes dhe ndërmjetësimit, mirëqenies dhe estetikës, konfliktit dhe kontestimit, biografisë dhe historisë. Ky është Christoher Tilley. Tilley thekson se “peizazhi si subjekt i studimit, nuk i përket askujt” dhe e thotë këtë për faktin se prej poetëve deri te gjeologët e vullkanologët kanë studiuar peizazhin në mënyra të ndryshme. Deri tani, peizazhi ka qenë i veshur vetëm me anën përfaqësuese të tij: pyetja kryesore ka qenë “çfarë përfaqëson?”. Pra, peizazhi është konceptuar, kryesisht nga gjeografët si “imazh kulturor” që duhet të përfaqësojë diçka dhe kaq është gjithë qenësia e tij në kontekst të studimit antropologjik.

Por, peizazhi kuptohet më mirë kur të gjitha shqisat punojnë së bashku në njohjen e tij. Ai thekson se qasja kinestetike (e lëvizjes së trupit nëpër, në, rreth, anash, brenda peizazhit, çfarëdo qoftë ai) dhe sineastetike (shumëshqisore - përmes të gjitha shqisave) na ofron te domethëniet e peizazhit dhe nxit kuptime të ndryshme, më të plota. Këtë e thekson sidomos në raport me artin shkëmbor, vendbanimet e hershme parahistorike, tempujt, shpellat dhe gjithë relievin tjetër natyror. Por edhe me përditshmërinë aktuale të raportit aktiv të njeriut me të.

Chris Tilley ka shkruar një mori librash dhe ka qenë një ndër kontribuuesit kryesorë, në frymën postprocesualiste të studimeve arkeologjike të viteve ‘70 dhe ‘80. Si antropolog i specializuar në studime arkeologjike (kulturë materiale), Tilley ka qenë i inspiruar mjaft shumë nga teoritë semiotike, postmoderne dhe poststrukturaliste në përgjithësi, të cilat kanë ndikuar në mendimin e tij antropologjik mbi kulturën materiale. Por, në anën tjetër, dhe sidomos në dy dekadat e fundit, ai ka qenë lexues i zellshëm i Heidegger-it, Merleau Ponty-it, filozofë fenomenologë, prej të cilëve edhe ka distiluar idetë e tij fenomenologjike në studimin antropologjik. Në vitin 1994 shkruan librin e tij të parë mbi peizazhet, të cilin e quan “Fenomenologji e peizazhit” dhe pastaj edhe dy libra tjera, brenda trilogjisë mbi fenomenologjinë e peizazheve, deri në vitin 2012. Në këto botime, Tilley zhvillon një kritikë konsistente ndaj “perceptivistëve” duke argumentuar se peizazhet duhet të studiohen duke pasur parasysh objektifikimin, materialitetin, trupëzimin/mishërimin, e një mori konceptesh tjera që dalin nga qasja e njohja kineastetike, imersive e shumëshqisore. Terreni i tij shtrihet në Britani dhe në shumë vende të Evropës, përfshirë Maltën dhe Suedinë, por edhe në arkipelagun australian, në ishujt e vegjël oqeanikë. Tilley sjell evidencë nga njohja e tij prej dorës së parë si etnograf, si evidencë subjektive nga vrojtimi dhe pjesëmarrja e tij, por edhe nga konversacionet e tij të shumta me vendas. Madje, gjatë hulumtimeve të tij, ka qëndruar edhe në shpella të ndryshme, ku theksohet se ka pasur vendbanime apo art shkëmbor, për të rikonstruktuar “kuptimin shumëshqisor” që, sipas tij, kanë krijuar njerëzit parahistorikë, kuptim ky i cili në kohën tonë është i konstruktuar kryesisht nga perceptimi.

Chris Tilley njihet edhe si një ndër antropologët më të shquar të kulturës materiale, një dege të antropologjisë sociale-kulturore që merret me materialitetin, me kulturën materiale në tërësi, duke nisur nga studimet mbi artefaktet arkeologjike, lokalitetet arkeologjike, muzetë, shtëpitë e deri te studimet mbi teknologjinë, veshjet, ushqimin, etj. Brenda kësaj kategorie, kontributi i tij më i madh mbetet studimi fenomenologjik i peizazheve. Në librin e tij të fundit, Tilley ka maturuar pikërisht këtë pikëpamje, për të cilin ka hulumtuar dhe e ka shkruar bashkë me Kate Cameron-Daum. Ky është libri i quajtur “Antropologji e peizazhit: e jashtëzakonshmja në të zakonshmen”, botuar më 2017 nga UCL Press, shtëpi botuese universitare e universitetit “University College London”, e cila mundëson edhe botimin digjital të librave ku secili mund ta zbarkojë falas si dosje elektronike e tipit PDF.

Edhe Letërsia shqipe si moszbuluese e kontekstit Shtojca për Kulturë 2 j. më parë Letërsia shqipe si moszbuluese e kontekstit

Tilley na fton t’i njohim peizazhet jo si imazhe apo “reprezentime” apo tekste, por si vende materiale të cilat na formësojnë dhe të cilën e formësojmë. Sipas tij, peizazhet lidhen me jetën e njeriut, si punëtorë, si vizitorë, si banorë, si zhvillues, si bari, si ushtarë, etj. Në studimin e tyre Tilley dhe Cameron-Daum janë përqëndruar në një lokalitet mjaft të vogël guror në Devonin lindor të Anglisë juglindore, i cili shërben edhe si bazë trajnimi për marinsa. Kjo për të pasur një studim të thellë brenda një hapësire të ngushtë e jo të gjerë e të cekët. Lista e subjekteve të intervistuara është e madhe (rreth 150 persona) dhe përfshin ushtarë, ambientalistë, zyrtarë shtetërorë, çiklistë, kalërues, njerëz që kanë dalë për të ecur, artistë, pilotë lokalë, gurthyes, arkeologë, etj. Tilley dhe Cameron-Daum na sjellin një interpretim që del nga njohja fenomenologjike, ashtu si paraqitet, e botëkuptimit të atyre që kanë hise në peizazhin shkurror e guror të Devonit lindor, një cepi të vogël të Anglisë.

Si puna e vullnetarëve në krasitje, mbjellje, pastrim e aspekte tjera ambientaliste, ashtu edhe puna e marinsave britanikë, në ushtrimet e tyre përgatitore, si rekreacioni i çiklistëve, të gjitha janë mishërime peizazhore. Të gjithë të intervistuarit e tyre theksojnë se ndjenjë se i përkasin peizazhit në fjalë por edhe ai u përket atyre në kuptimin e përkohshëm. Në anën tjetër libri po ashtu shpalos edhe raportet mes gurëthyesve dhe banorëve lokalë, protestat lokale, mënyrat e negocimit të konfliktit mes kompanive të mëdha gurëthyese, qeverisë lokale dhe banorëve. Aty shpaloset qëndrimi për shfrytëzimin të peizazhit për zhvillim industrial dhe shfrytëzimin e peizazhit për rekreacion dhe konservim të biodiversitetit, në pikëpamjen e ambientalistëve, qeverisë, industrisë dhe banorëve lokalë.

Po ashtu, në këtë monografi specifike jepen edhe pikëpamjet, ndjenjat dhe përvojat e përshkruara hollësisht, të atyre që e vizitojnë këtë pjesazh për arsye rekreative. Tilley dhe Cameron-Daum e quajnë “leisurescape” (peizazhe kënaqësie/peizazhe rekreacioni), duke diskutuar mënyrën se si të gjithë vizitorët ndihen kur e vizitojnë, arsyet pse e vizitojnë, raportet e tyre kujtesore, somatike, psikologjike e shoqërore të krijuara dhe mbajtura në raport me peizazhin e vizituar. Hapësira e hapur, pamja dhe udhët e ndryshme të ecjes, janë aspektet që vizitorët i pëlqejnë. Një ndër faktet e nxjerra nga anketa e realizuar është mjaft interesant: 68% e të anketuarve e kanë konsideruar peizazhin e kësaj zone, guror dhe plot shkurre, si peizazh natyror dhe vetëm 6% e kanë ditur se menaxhohet, ndërsa të tjerët s’kanë ditur. Kjo tregon se, pavarësisht kritikave me vend të ambientalistëve, shkurroret e kësaj zone menaxhohen aq mirë sa që syri i njeriu nuk e vëren se menaxhohen. Ajo që del si botëkuptim kryesor i vizitorëve është ndjenja se peizazhi shkurror në fjalë nuk ka rëndësi të madhe konservuese, si vend i faunës specifike, as rëndësi arkeologjike, apo gjeologjike. Këto janë forma abstrakte të mendimit. Përgjigjet e të intervistuarve theksojnë mundësitë personale për ta kënaqur trupin dhe mendjen në këto vende, më shumë se sa aspektet tjera të cilat ata nuk i kuptojnë. Megjithatë, mënyra se si ruhet, konservohet, mbrohet, kujtohet e punohet natyra, edhe pse shpesh e padukshme për syrin dhe këmbët e vizitorit, është esenciale për mirëqenien e kulturës. Në fakt, Tilley dhe Camron-Daum theksojnë se koncepti natyrë, si koncept puritanist, është fort i rëndësishëm për njerëzit.

“Natyra ende shihet, si kemi treguar ne në këtë monografi, si një entitet që është krejtësisht ndryshe nga kultura. Por, shihet edhe si manifestim i aktivitetit njerëzor. Ajo që është e qartë, pavarësisht pozitës që merr, është fakti se natyra shihet si vlerë dhe i bën njerëzit të veprojnë apo të punojnë në natyrë. Ideja e natyrës dhe e ekzistencës së botës natyrore është burim i pashtershëm i vlerës dhe kuptimit. Natyra është koncept që ka dobi praktike. Natyra është koncept që kryen punë dhe lehtëson imagjinaren shoqërore, ëndrrën e një bote më të mirë se sa kjo që kemi, për ne dhe fëmijët tanë. Politikat e natyrës janë protestë kundër mënyrës se si ekonomitë kapitaliste prodhojnë kriza ambientaliste. Ndonëse mund ta përjashtojmë natyrën sepse e dimë se nuk ekziston, neve na duhet natyra për të kryer punë praktike. Pra, natyra është mjet dhe rezultat i praktikës politike” (fq. 289)

Megjithatë, theksohet po ashtu edhe aspekti emocional që ngjizet në marrëdhëniet njerëzore mes natyrës dhe njeriut. Në fakt, Tilley dhe Cameron-Daum japin shembuj të shumtë të raporteve emocionale që banorët lokalë, vizitorët dhe të tjerët kanë në lidhje me peizazhet shkurrore të Devonit në Britani. Por, ideja e natyrës si koncept politik, i theksuar në paragrafin e përkthyer, është mjaft e pranishme. Kjo për faktin se natyra shihet ende, si “e virgjër”, si “natyrë” ku nuk ka prekur ekonomia industriale, që shihet kryesisht si shkatërrimtare. E kjo ide zgjon njerëzit, ndjenjat e e tyre afektive, për të reaguar politikisht.

Në një vend brenda librit, një menaxher i një kompanie gurthyese, thotë se të gjithë duan gurë për shtëpi, asfalte të mira, etj. por askush nuk do gurthyes pranë shtëpisë së tyre. Megjithatë, fakti se ekziston një plan menaxhimi dhe konservimi dhe secili gurthyes duhet t’i përmbahet rregullave të konservimit, tregon se në Britani ekziston një vetëdije shtetërore për mbrojtjen e natyrës duke pasur plan konservimi. Kjo e forcon deri diku argumentin se natyra është mjet dhe rezultat i politikës praktike. Por, çfarë bëhet në vendet ku nuk menaxhohet shfrytëzimi i natyrës? Në fakt, në bazë të argumentit kryesor të librit, kur nuk ka plan konservimi atëherë nuk dhunohet natyra, por dhunohet kultura, si vetja ashtu edhe tjetri. Sepse natyra është prodhim kulturor i atyre që jetojnë, e vizitojnë, e punojnë, e mirëmbajnë e me radhë. Nëse na duhet fjala “natyrë” për të kryer punë praktike apo për të protestuar kundër politikave publike, pakujdesisë ligjore e gjyqësore, manipulimit ekonomik, etj., atëherë le ta përdorim këtë fjalë sa më shumë. Për shembull: mund ta veçojmë fjalën “natyrë” dhe ta bëjmë të jashtëzakonshme, nëse u dashka si koncept për të protestuar kundër ngritjes së HEC-eve në Shqipëri, gurthyesve të papërgjegjshëm në Kosovë dhe gjykatave e qeverive në Tiranë e Prishtinë. E pse jo. Absolutisht po, sidomos në momente kritike si këto të sotshmet.

Por, si thonë Tilley dhe Cameron-Daum, e jashtëzakonshmja është në të zakonshmen. Protesta kundër shfrytëzimit teprues ndaj natyrës dhe shkatërrimit të saj duhet të jetë kulturore, e përditshme, konservuese, dietale, rekreacionale, etj. Protesta më e mirë aftagjate është kur përfillim filozofinë se natyra është kulturë e kultura është dhuratë që merret e jepet në mënyrë reciproke, pa tepri. Nuk them se nuk duhet të protestohet, por protesta më e mirë kundër shkatërrimit të natyrës është kultura përditshme e konservimit të natyrës: kjo nisë nga qesja e bërllokut në shtëpinë tënde e deri te vota për ata që kanë kulturë për të krijuar politika publike që konservojnë natyrën. Protesta nuk bëhet vetëm për shkatërrimet e jashtëzakonshme, por edhe për moskujdesjen e zakonshme.

Edhe Letërsia shqipe e paçliruar nga ideologjitë fsheh kontekstin Kulturë 2 muaj më parë Letërsia shqipe e paçliruar nga ideologjitë fsheh kontekstin

Sepse nuk është bindëse protesta për ruajtjen e natyrës në Valbonë, kur gjithë Shqipëria e Kosova janë plot bërllok. Nuk është bindëse protesta kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë, kur secili del me veturë për të blerë bukë. Së pari secili duhet ta bindë veten se natyra është e tij, pastaj ta bindë dhe ta ndalojë tjetrin.

(Arsim Canolli është antropolog, profesor në Universitetin e Prishtinës)