Antropologjia, sikurse gjithë dijet tjera, qe sulmuar nga postmodernistët si dije kolonialiste, subjektive, gjysmë-fiksionale dhe jo reflektive.
Madje, disa nga këta kritikë thanë se antropologjia është vetëm një lloj shkrimi, një ndër “tregimet” e shumëta të filozofisë perëndimore, duke nënkuptuar se është vetëm “tekst”. Dhe duke qenë se teksti është i përpiluar nga autori, atëherë teksti është një shprehje e autorit plot figura, shprehje, stil e mjeshtëri rrëfimi. Kjo tregon se teksti është subjektiv e poetik.
Në anën tjetër, kritikë të tjerë theksuan se autori shkruan në funksion të ideologjisë, ai është servil ndaj “formacioneve diskursive”. Pra, edhe teksti antropologjik është vetëm një shkrim i antropologut që është bërë marionetë e diskursit perëndimor. Dhe sipas postmodernistëve, asgjë në etnografi nuk mund të jetë objektive, pos një riprodhim i subjektivitetit eurocentrik, kolonialist, logocentrik, etj. Por, mos të harrojmë se këta kritikë ishin nxënës besimtarë të mjeshtërve të dyshimit, Foucault-së e Derrida-së, që apriori mohojnë se mund të arrihet objektiviteti në dije.
Pa dyshim, se objektiviteti i plotë shkencor është ideal. Por, për Foucault-në e Derrida-në, gjithë diskursi perëndimor është i bazuar mbi mit, andaj secila përpjekje shkencore ose filozofike është peng i kësaj tradite dhe do të dështojë. Prandaj, në vend që të bëjnë kritikë përmirësimi drejt arritjes te e vërteta filozofike, edhe pse si cak ajo është jo fort e qartë, ata synojnë të shlyejnë edhe cakun e synuar, duke e shndërruar filozofinë në një lojë fjalësh kritike në kujri. Derrida madje kishte krijuar pedagogjinë e tij “sublime” apo dekonstruksionin, përmes të cilit, së bashku me apostujtë e tij, bluante secilën përpjekje për të krijuar kuptim. Kështu, edhe antropologjia qe një nga dijet që u blua e stërblua nga mullinjët e erës dekonstruktive. Dhe nga kjo stërbluarje u thërmizua deri në zhbërje.
Megjithatë, bluarjet e njohura si “kthesa”, “kritika” e “izma” të gjysmës së dytë të shekullit 20, e sidomos ato të viteve 70, i dhanë antropologjisë një miell të ri. Thënë me metaforë kulinare: konceptet, argumentet, teoritë, qasjet u rafinuan për të krijuar shije të re. Së pari, antropologjia u kalit në debatin filozofik dhe doli nga disa pengje njëdimensionale.
Edhe
Buka si recetë e autenticitetit, flia përtej feve e perandorive
Thjesht u bë më dialogjike, më sensitive, më refleksive dhe më përfshirëse. Së dyti, atropologët ruajtën dy aspekte unike: vrojtimin e ngeshëm me pjesëmarrje nëlokalitet specifik. Kjo dukej të ishte krypa e përhershme e bukës antropologjike. Sepse, pavarësisht rafinimit të shijes së re nga bluarjet e stërbluarjet e kritikave, antropologjia ka arritur të ruajë legacinë e saj të vrojtmit pjesëmarrës dhe prodhimin e etnografisë si zhanër përshkruas të jetës shoqërore.
Kjo është ende praktika kryesore që e bën unike. Po ashtu, ajo është e kushtëzuar nga hisja që ka në lokalitetin empirik apo vendin e caktuar. Secili antropolog vendoset në një vend, sado i lëkundshëm të jetë ai dhe prej aty shkruan “zërin” e tij (dialogjik me vendasit) në atlasin interpretativ të gjendjes së shoqërisë e kulturës njerëzore.
Një ndër antropologët që ka gërshetuar mjaft mirë kritikën, pa u ndalur vetëm në kujri kritike, ndonëse i trajnuar në vlugun e saj, është antropologu amerikan Paul Stoller. Ai fillimisht ka dashur të bëhet shkrimtar, por, sipas tij, nëna e ka qortuar “Le atë punë se s’ka bukë prej saj!”. Pastaj, kur ka zgjedhur antropologjinë, ka synuar ta bind nënën se do t’ia dalë. Te nëna e tij s’ka pasur sukses retorika. Por, megjithatë, Stoller-i ia ka dalur (pos tjerash është profesor me rrogë!) dhe zëri i tij në antropologji është mjaft unik. Kjo për faktin se Stoller-i është autor në antropologji, në kuptimin se shkruan një prozë autoriale që ka vulën e vet. Në prozën e tij vërehet yshtja për të shkruar letërsi, sepse edhe proza ka stil, narracioni tingëllon poetik, dialogjet janë të zgjedhura me finesë.
Po ashtu, Stoller ka shkruar edhe romane të bazuara në përvojën e tij etnografike. Por, a do të thotë kjo se shkrimi i tij është vetëm një lloj shkrimi poetik, sikurse i shkrimtarit që shkruan fiksion. Natyrisht që jo. Kjo nuk do të thotë se antropologjia është më e rëndësishme apo më e vërtetë se letërsia. Proza letrare apo përralla bart në vete kuptime që s’mund t’i bart asnjë prozë filozofike. Por, Stoller-i shkruan tekst antropologjik të latur me përqëndrim sinekdodik të letrarit. Në shkrimin e tij mbrumet evidenca e vjelë nga puna intensive në terren, nga vrojtimi, intervista, metodologjia e planifikuar enkas për temë specifike, konteksti i gjerë historik e shoqëror, konteksti i literaturës antropologjike e me radhë. Teksti i tij qëndron si pjesë përfaqësuese, e thurur mirë nga evidenca e vjelë, për kulturën e zgjedhur, por edhe gjendjen shoqërore të njeriut sot.
Paul Stoller është rast sui generis, sepse ndonëse shkruan tekst që identifikohet nga të gjithë antropologët si tekst i ngjeshur antropologjik i traditës së latuar antropologjike, ai shkruan shkruan edhe fiksion i mbrumë me evidencë etnografike. Dallimi mund të bëhet nga lexuesit, por autori është i njëjti, i informuar nga vrojtimi i tij, vrojtim të cilin e dëshmon literalisht në dy tipe diskursive: etnografi dhe fiksion. Ai thekson në shumë raste se antropologu duhet të zgjedh më shumë se një formë, pse jo, që të përkthejë përvojën e njohjes së përvojës së tjetrit, të vetes me tjetrin, të tjetrit me tjetrit.
Nuk ka fare problem forma e zhanri përderisa antropologu mbërthen vrojtimin e tij në formë inteligjente. Jo pa arsye ka punuar edhe me Jean Rouch dhe madje pa hezitim e ka quajtur punën e tij "etnofiksion" pa asnjë ndjenjë inferioriteti ndaj antorpologëve të statistikave racionaliste shkencore. Megjithatë, duke qenë antropolog i trajnuar ai preferon që të shkruajë etnografi mbi të gjitha sepse pikërisht përmes etnografisë arrihet më së miri të jepet urtia e diferencës kulturore.
Vepra e Stoller-it është kryesisht etnografi dialogjike e translative. Stoller mendon se në antropologji teoria shkon e vjen ndërsa etnografia mbetet. Përzgjedhja e metodave, tipi i shkrimit, përqëndrimi përshkrues, krahasimi dhe interpretimi tregojnë se Stoller është antropolog që synon që përmes vrojtimit e përshkrimit të arrijë te një përkthim etnografik i gjendjes kulturore të grupit e individit (sepse ka shkruar edhe për individ mjaft shumë).
Stoller nuk është racionalist i gjetjes së funksioneve të sakëta apo strukturalist i gjetjes së modeleve esencialiste. Por nuk mund t’i themi as poststrukturalist e postmodernist që synon të shkruaj pa përfillur asgjë. Atë që Stoller përfillë duket të jetë “mesi” i përvojës së ndjerë nga vendasi dhe antropologu, “mesi” i kuptimit të nxjerrë nga vendasi që e përjeton dhe antropologu që synon empati duke e vrojtuar. Libri i tij “Pushteti i nermjetzës: odisejadë antropologjike” [The Power of Between: An Anthropological Odyssey, 2009] është testament i mendimit të tij antropologjik.
Libri nis me një parathënie në fund të së cilës Stoller-i tregon një bisedë, gjatë një dreke në një treg në New York, me miq nga Nigeri, ku ka qëndruar si antropolog dhe shkruan për ta dekada me radhë. Fjala bjen për fjalën “vëlla”, të cilën një mik i miqve të Stoller-it e konteston si term që mund ta përdorin për Stoller-in, ndonëse ky nuk është afroamerikan. Stoller-isqaron për mikun e rastësishëm në tavolinën e miqve të tij se ajo fjalë përdoret për të treguar afërsinë që kanë miqtë e tij me të, për shkak se njeh gjuhën tradita, të afërmit e tyre në Niger e me radhë.
Por, ia citon një thënie të moçme nigeriane se “cungu mund të rrijë në lum me qindra vite, por kurrë nuk bëhet krokodil” duke shtuar edhe ai nuk mund të bëhet kurrë afrikan, ndonëse din gjuhën, doket, i njeh fort mirë ata. Dhe në fund ai shton:”Unë jam në mes Afrike e Amerike”. Kjo fjalë nis diskutimin e tij në këtë libër të shkurtër, të përpiluar nga fragmente e argumente veçse të shkruara në vende tjera por të kompozuara në argument të ri. Në fakt, libri në tërësi, me 24 kapituj të shkurtër për tema relevante, është testament personal i Stollerit për antropologun e nermjetzës dhe nermjetëzat e antropologjisë.
Edhe
Letërsia na bën të lirë, devijimet e përditshme nga standardi janë art
Stoller flet për pragjet, liminalen, kufinin, dyfishësinë, “edhe-edhe”-në, “as-as”-inë, “hem-hem”-in e shumë gjendje që dyllosin përvojën antropologjike. Antropologu merr botën në sy e bahet sy e vesh në shtëpinë e tjetrit, shkruan edhe si antropolog, edhe si poet, xhiron edhe si kineast edhe si etnograf, krjon empati duke “hy në këpucë” të tjetrit, e me radhë. Ai është sikurse magjistari songaj nga Nigeri, që rrnon mes malit dhe fshatit, mes botës sociale dhe animike. Në kapitullin e parë dhe të dytë flet për “kërkimin e të vërtetës” dhe “të vërtetat e ndryshme”, përkatësisht për njohjen me strukturalizmin dhe poststrukturalizmin, përmes studimeve linguistike.
Aty qëmton temën e strukturalizmit si tendencë për të gjetur modele universale që rregullojnë sjelljen shoqërore. Paul Stoller kishte qëndruar në Francë në fund të viteve 70 dhe kishte ndjekur ligjëratat e Claude Levi-Strauss-it, por edhe të Roland Barthes-it, Michel Foucault-së në Le Collège de France. Pastaj tregon edhe për dilemat që kishte hasur në interpretimin e të dhënave të tij të mbledhura në Niger për botën e magjisë dhe gjithë botën shpirtërore përmes lentës strukturaliste. Qëndrimi një vjeçar në Paris e kishte bindur se nuk ekziston një racionalitet i vetëm universal që shpjegon botërat e ndryshme sociale e shpirtërore. Ai kishte mënjanuar strukturalizmin si universalizëm.
Por, kishte vërejtur po ashtu se edhe relativizmi radikal është po aq i paarsyeshëm sepse legjitimonte gjithçka në emër të relatives. Në kohën e tij, logu antropologjik ishte i përshkuar krejtësisht nga beteja me racionalizmit universal të strukturalistëve dhe relativizmit të interpretativistëve. Por, edhe kjo betejë nuk ishte krejtësisht e ndarë sepse kishte antropologët të mesit që përmes interpretimit të lokales në kontekst të universales mëtonin të zbusinin nefcin e universales, por edhe gulçin e afirmimit vetëm të partikulares, si Clifford Geerzt-i.
Por, pyetja që kishte pasur Stoller-i, megjithatë, qe: çfarë duhet të bëjnë antropologët në këtë betejë? Ai sjell në këtë kontekst pikëpamjen fenomenologjike si nisje e mirë për njohje empirike dhe teorike, duke cituar punën e Merleau Ponty-t dhe Stanley Tambiah-ut. Sipas tij, ideja është se nuk mund të heqim dorë tërësisht as nga universalizmi as nga relativizmi, e sidomos nga kjo e dyta, por duhet rrokur idenë e “relativizmin të matur”. Po ashtu, evokon edhe punën e Clifford Geerzt-it, që rrin mes relativizmit dhe universalizmit, por kritikon edhe të parën, kur bëhet klishe edhe të dytën kur tenton të reduktojë gjithë diversitetin kulturor. Kështu, Paul Stoller thekson idenë e “mishërimit” si pikëpamje fenomenologjike për të njohur lokalitetin, variantin dhe diversitetin në kontekst të universales kognitive.
Më vonë në libër ai vazhdon diskutimin e vendeve tjera, jetës në New York, familjen, kujtesën, drurin, shqisat për të cilat ka shkruar shumë e deri te muzetë dhe arti bashkëkor. Ndërsa kapituj 16 e tutje flet për jetën e tij personale si i diagnostifikuar me kancer. Gjithë përvojën e tij personale e jep në kontekst të diskutimit të imunologjisë. Ai dallon botën e të shëndoshve, apo “fshatin e të shëndoshve” dhe “fshatin e të sëmurëve” si dy bota që janë në betejë me njëra tjetrën, sepse i shëndoshi lufton sëmundjen dhe kanceri konceptualizohet si “tjetër” që duhet luftuar.
Në kapitullin 17 të quajtur “Hyrja në fshatin e të sëmurëve” ai jep një dimension mjaft unik të diskutimit, duke marrë veten si rast për të interpretuar botën e tjetërsuar të pacientit me terapi, i cili qëndron në nermjetzën mes shëndetit të mirë dhe sëmundjes së pashërim.
Në kontekst të përshkrimit të imunologjisë dhe filozofisë së antropologjisë si disiplinë që merret me veten dhe tjetrin, si pasqyrë e dyanshme, Paul Stoller thekson:
“I ballafaqur me sëmundjen që mund të “menaxhohet” por nuk mund të “shërohet”, kam menduar për obligimet si antropolog. A duhet të vazhdoj të shkruaj tregime të përshkruara në mënyrë të “thukët”? Apo duhet të vazhdoj të përpiqem të përsosë teorinë shoqërore? Tani besoj se një nga obligimet tona kryesore është aftësia për të dëshmuar, Duke dëshmuar ne priremi të tregojmë rrëfime si për farefisin ashtu edhe për kancerin, që na ndihmojnë të kuptojmë realitetit shoqërore. Si pjesëmarrë dhe dëshmitar të jetës shoqërore, jemi të obliguar të zgjdhim një numër zhanresh si esetë, etnografitë, filmi, fotografia, poezia, fiksioni dhe arti që t’i bëjmë tregimet tona sa më të hapura për të gjithë.” Sipas Stoller-it etnografia është një nga dhuratat më të mira që antropologjia i ka dhuruar botës intelektuale sepse në etnografi mund të kuptohen variantet e botëkuptimit dhe urtisë njerëzore, sa specifike aq edhe me elemente të përbashkëta. Por, në këtë libër, Stoller-i përmbyll rrëfimin duke bërë apologjinë ndaj nermjetzës së tij personale, si e ka përjetuar dhe e përjeton ai, dhe nermjetzës së gjërave në realitetin shoqëror.
Gjendja në nermjetëz të kulturës është gjendje provokative dhe inspiruese. Pa të, imagjinata është statike. Nermjetëza është kujria që krijon. Por, çfarë ndodh kur gjendja e pragut simulohet për të krijuar ideologji të empatisë radikale dhe relativizmit kulturor? Çfarë ndodh, thënë kushtimisht, kur njeriu ulet vetëm në prag të shpisë? Pragu ka problemet e veta. Pragu është vendi i vajtimit. Pragu është edhe vendi ky pritet koka e autoritetit. Nermjetëza konoton temporalitetin, por jo stabilitetin. Njeriu që kalon nëpër nermjetëza, që nga lindja e deri në vdekje, bëhet më i fortë, më syçelë dhe më i hapur ndaj risive. Por, esencializimi i nermjetzës është ikje nga trolli, nga shtëpia. Tani, për lojë fjalësh, kundërargumenti mund të jetë se edhe shtëpia është një ndërmjetëz, por nëse vazhdojmë këtë udhë, diskutimi shndërrohet në filialzë të dekonstruksionit jofilozofik derridean.
Edhe
Letërsia në epokën e inteligjencës artificiale
Pavarësisht argumentit parimor akademik që njeriu mund të ketë për nermjetzën si ontos të përvojës njerëzore, Paul Stoller ka argumentuar fuqishëm për këtë koncept dhe kur vjen prej pikëpamjes së tij fort të sinqertë dhe personale, por edhe të rrahur në konversacion antropologjik, argumenti i tij është mjaft i fuqishëm. Libri i tij, por edhe vepra në tërësi, është një dhuratë, apo një shej antropologjik, që mund të na ngushëllojë në udhën tonë të përthyer nga nermjetëza të ndryshme kulturore.
(Arsim Canolli është antropolog e profesor universitar)