Kulturë

“Antigonat” me zërin e nënave që presin eshtrat e fëmijëve të tyre

Me “Antigonat” për më shumë se një orë shpaloset dhimbja njerëzore, por në esencë trajton çështje ekzistencialiste

“Antigonat”, pos me Ditën Botërore të Teatrit, ka përkuar edhe me 24-vjetorin e ditës kur Ferdonije Qerkezit iu morën burri dhe 4 djemtë e saj nga forcat serbe. Aty është zëri i saj dhe i nënave të tjera që kanë fatin e njëjtë. Shfaqja, nën regji të Erson Zymberit, lidh dramën antike me atë bashkëkohore dhe në tërësi i flet së tashmes

“Antigona” është drama në të cilën rebelimi kundër së padrejtës nuk ndalon deri në fundin tragjik. Ajo e Sofokliut dhe e Jean Anouilh janë shkrirë qëllimisht në një lëndë të re skenike me titullin “Antigonat” nga dramaturgu Jeton Neziraj, nën regji të Erson Zymberit. Në shfaqjen e dhënë premierë të hënën mbrëma, produksion i teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, për më shumë se një orë, shpaloset dhimbja njerëzore, por në esencë trajton çështje ekzistencialiste. Me koreografi të zhurmshme e kostume që përshkruajnë personazhet, ende pa u dëgjuar fjala ndizen dritat në skenë. Në fakt, “Antigonat” nuk ngjitet në skenë teatrore. Ajo merr formë në hapësirën e Galerisë së Qytetit dhe publiku bëhet një me të, pa një distancë fizike.

Antigona kishte dalë në orët e hershme të mëngjesit. Dadoja e saj, Nunu (Myrvete Kurtishi), tërë brengë e pyet se ku kishte shkuar duke ia kujtuar vazhdimisht se është e fejuar e sikur donte të sigurohej se nuk ka takuar ndonjë të dashur të ri. Ajo nuk e dinte se Antigona e ka lënë shtratin e ftohtë e të zbrazë në orën katër të mëngjesit për arsye krejt të tjera. Ato të varrosjes së eshtrave të vëllait të saj, të vrarë nga mbreti Kreon. Varrimi i vëllait bie ndesh me ligjet e mbretit. E di këtë, por ky s’e ndalon dot gjë. Përkundër kësaj, këmbëngulja e Antigonës vetëm sa bëhet më e fortë. Një prej skenave më kulmore është ajo e konfrontimit të saj me mbretin. As në këtë skenë nuk i trembet syri. Edhe kur e kupton se për veprimin e saj, pasojat janë tragjike. Antigona ekzekutohet e në varrin e saj vendosen gurë me emrat e të pagjeturve të qytetit të Gjakovës. Hapen dyert e në tavolinë të vetmuar është e ulur Nunu. Trupa e këndon një këngë me tekst të fuqishëm të Jeton Nezirajt. Fikën dritat e fillojnë duartrokitjet.

“Antigonat” – me kastën e aktoreve në përbërje të Vlora Dervishit, Bujar Ahmetit, Vlera Pyllës, Besfort Berberit, Myrvete Kurtishit, Edmond Hafizademt, Arbies Komonit dhe Altina Kusarit – ka përkuar edhe me 24- vjetorin e ditës së kobshme kur Ferdonije Qerkezit i janë marrë burri dhe 4 djemtë e saj.

Regjisori Erson Zymberi ka thënë se “Antigonat” janë nënat të cilat me vendosmëri e sfidojnë harresën, arrogancën e përbuzjen shoqërore, njëlloj si personazhi i Antigonës në shfaqje.

“Me përpjekjen e Jetonit që t’i lidhë këto dy tekste për ta krijuar një skenë të re, ka arritur që ta sjellë një format me disa prej skenave që kanë qenë shumë të veçanta për ta sjellë një përmbajtje çfarë publiku ka parë sonte. Antigona është personazh i shfaqur gjithandej nëpër botë, por ne kemi dashur që Antigona jonë të flasë në emër të shumë Antigonave të tjera. 27 marsi është Dita Botërore e Teatrit në analogji me këtë është edhe dita kur zonjës Ferdonije i janë marrë më të dashurit e saj”, ka thënë Zymberi.

Rolin e Antigonës, së bijës së Edipit, e luan Vlora Dervishi. Ka thënë se ky është ndër rolet që i ka pëlqyer më së shumti. Njëkohësisht, mbetet roli për të cilin ka ndier fort përgjegjësi.

“Ka qenë një prej roleve më të pëlqyera që i kam pasur në jetë. Çfarë më bën më së shumti ta pëlqej këtë vepër është fakti se është shumë e vjetër dhe problemet e njerëzimit i shpërfaq edhe sot. Mesazhi është lidhur midis Antigonës dhe nënave tona që ende presin eshtrat e fëmijëve të tyre. Për mua ka qenë edhe një përgjegjësi shumë e madhe ta luaj këtë rol. Kam pasur emocione, kam pasur momente të ndryshme, por në fund besoj se ia kemi dalë dhe i ka pëlqyer publikut”, ka thënë Dervishi.

Kënga që përmbyll “Antigonat” është kompozuar prej kompozitorit italian Gabriele Marangoni. “Mes gjetheve të malit, të kërkoj o bir, të kërkoj e nuk të gjej”, është vargu i parë i këngës, e cila e lidh krejt rrëfimin e shfaqjes. Aktorja Dervishi ka thënë se kjo ka qenë pjesa më e vështirë e provat nuk kanë kaluar pa të qara gjatë asaj pjese. Emocionet u shtuan edhe më gjatë interpretimit para publikut.

“Këtë pjesën e këngës e kemi pasur shumë problem. Kemi qarë, jemi mërzitur shumë se është dhimbje që e kemi përjetuar edhe vetë, edhe pse kemi qenë të vegjël, ato kujtime i mbajmë edhe ne. Dëshirojmë të tregojmë se nuk i harrojmë sakrificat falë të cilave ne jemi këtu”, ka thënë Dervishi.

Në rolin e Kreonit vjen aktori Bujar Ahmeti, i cili ka thënë se shpreson në jetëgjatësinë e shfaqjes “Antigonat”.

“Jam shumë i lumtur dhe shumë me fat që e kemi këtë shfaqje dedikuar njerëzve tanë më të dashur, të cilët nuk janë më në mesin tonë. Ende është emocioni që të mban edhe pasi shfaqja të përfundojë. Po i presim edhe komentet nga kolegët e shikuesit. Dhe besoj se shfaqja do të ketë jetë të gjatë”, ka thënë Ahmeti.

Image
Në fakt, “Antigonat” nuk ngjitet në skenë teatrore. Ajo merr formë në hapësirën e Galerisë së Qytetit dhe publiku bëhet një me të, pa një distancë fizike

Dramaturgu Jeton Neziraj, angazhimin e tij në shfaqjen “Antigonat” nuk e konsideron me peshë të madhe. Megjithatë është shprehur i kënaqur me punën e regjisorit dhe të aktorëve.

“Kam qenë i përfshirë kryesisht ne adaptimin e teksteve të dy dramave që kanë lëndën e njëjtë, por që janë stilistikisht të ndryshme dhe kanë qasje po ashtu të ndryshme. Drama e Sofokliut është baza, megjithatë, ne kemi marrë një pjesë të mirë edhe nga Jean Anouilh. Pjesa tjetër e punës sime ka përfshirë shkrimin e këngëve dhe të disa skenave e episodeve të shkurtra. Por, u ndava i kënaqur me punën e Ersonit, me aktorët dhe me produksionin në tërësi të shfaqjes. Ishte një mbrëmje e shkëlqyeshme. Një feste teatrore për ta mbajtur në mend”, ka thënë Neziraj.

Pjesë e publikut ka qenë edhe aktori Adrian Morina. Ai ka thënë se shfaqja erdhi si frymë e re për teatrin dhe me një tekst i cili e shpërfaq një realitet të hidhur të qytetit të Gjakovës, “duke e ditur që është një tekst antik edhe pritjet janë të mëdha”.

“E kam parë shfaqjen ‘Antigona’, diku rreth viteve ’95, ’96 dhe me vjen shumë mirë që është rikthyer më ndryshe prej atij të viteve ’90. Një tekst i kontestuar, me një trupë të aktorëve ndër më të mirët të Gjakovës. Ersoni vazhdon të vijë me një frymë të re për teatrin që nuk e has shpesh. Kjo është edhe e bukura e regjisorëve të rinj si Blerta, Ersoni e Kushtrimi. Është kënaqësi t’i shoh punët e tyre. Pjesa e fundin e arsyeton edhe hapësirën ku është shfaqur, meqenëse aty shpërfaqet një realitet i hidhur. Ajo çka Gjakova e ka përjetuar më së rëndi. Publiku i Gjakovës do të ketë interesim për shfaqjen. Konteksualizmi i tekstit, skena me tulla lë shenja realiste dhe simbolike dhe e kompleton mozaikun me stil te veçantë”, ka thënë Morina.

Premierës i ka paraprirë edhe një ceremoni modeste, ku është inauguruar edhe muri me emrat e udhëheqësve, të aktorëve, regjisorëve e punonjësve të tjerë që kanë lënë gjurmë në teatrin “Hadi Shehu” me histori gati gjysmëshekullore. Aty janë edhe disa prej posterëve dhe kostumeve të shfaqjeve. Mirëseardhje të pranishmëve u ka dëshiruar Albulena Kryeziu Bokshi, e cila prej janarit të sivjetmë ka marrë pozitën e drejtoreshës së këtij teatri. E kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se disa prej rekuizitave që janë aty dëshmojnë se çfarë ka ngjarë me teatrin vit pas viti.

“Nëse ka kësi lloj këmbënguljeje, kësi lloj entuziazmi dhe kur bëhen bashkë me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm midis udhëheqjes dhe trupës, atëherë Gjakova po që po, por edhe Kosova, do të ketë diçka të jashtëzakonshme në duart e veta”, ka thënë Gjini, duke uruar që hapësira e inauguruar të pasurohet disa ditës me emra, e rekuizita të tjera të shfaqjeve.

Të pranishmëve në ceremoninë para premierës u është drejtuar edhe aktorja doajene, Muradije Muriqi, laureate e sivjetme e Çmimit kombëtar për vepër jetësore në fushën e teatrit, bashkë me Mejreme Berishën. Muriqi e ka cilësuar si mrekulli punësimin e saj në Teatrin e Gjakovës dhe bashkëpunimin me aktorin e madh Hadi Shehu. Ka kujtuar rolin e parë kryesor në “Orën e kukuvajkës”, nën regji të Fadil Hysajt. “Këtu e kam gjetur veten jashtëzakonisht mirë”, ka thënë aktorja e rreth 50 roleve.

Shfaqja “Antigonat” vjen reprizë edhe me datat 3 dhe 4 prill.