Kulturë

“Anonim” me rrëfimet e luftës në Kosovë, para audiencës amerikane

Një seri me vepra të veçanta që kombinojnë qëndisjen e ngjyrat, e inspiruar nga rrëfimet e grave që kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë, do të ekspozohet për audiencën amerikane. “The Anonime” (Anonim) e artistes shqiptare që jeton në ShBA, Brikena Boci, do të jetë pjesë e aktiviteteve me të cilat do të shënohet dita e Frederick Douglass, më 23 të këtij muaji.

Shoqëria “Frederick Douglass Honor Society”, qyteti i Easton dhe biblioteka “Talbot County Free Library” i ftojnë vizitorët të festojnë për jetën dhe trashëgiminë e Frederick Douglas me një ngjarje që përfshin një paradë, ceremoninë e mirëseardhjes, ligjërata, ekspozita arti, turne e të tjera. Të gjitha aktivitetet janë të hapura për publikun. Mes tyre, siç ka shkruar portali “stardem.com”, që sot e transmeton “Koha Ditore”, është edhe një ekspozitë e veçantë që do të hapet në “Talbot County Free Library”.

“Një ekspozitë e veçantë, seria ‘The Anonime’ e artistes shqiptare Brikena Boci është përmbledhje e katërmbëdhjetë punëdoreve, ku shpërfaqen fytyra të grave, të cilat artistja i ka përjetuar në mënyrën e vet. Rrëfimet e këtyre grave janë të nevojshme të shpalosen, dhe për artisten kjo gjë ka qenë një proces shërimi gjatë rinisë së saj.

Këto rrëfime zënë vend gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, ku shumica e grave që ishin përdhunuar, ose kanë ikur nga vendlindja për shkak të turpit, ose janë refuzuar nga familjet e tyre”, është përshkruar ekspozita e artistes shqiptare në artikullin e publikuar në “stardem.com”. Tutje shtohet se në moshën 16-vjeçare Brikena dhe familja e saj u ndodhën në situatë që t’u ndihmonin këtyre refugjatëve dhe dëgjimi i rrëfimeve të tyre ka pasur ndikim të madh në shpirtin e artistes.

Koleksioni “The Anonime” ishte prezantuar edhe në galerinë “Studio 905 on Jupiter” që ndodhet në Midtown Atalanta, Georgia. Aty përshkruhet sesi disa prej grave në të cilat është frymëzuar vepra e Bocit kishin rënë pre e trafikantëve dhe ishin shitur për prostitucion.

“Shumë prej këtyre grave kanë përfunduar si refugjate në Shqipëri. Shqipëria ishte në kolaps ekonomik qysh kur doli nga komunizmi më 1992. Shkalla e lartë e varfërisë dhe e papunësisë, infrastruktura e dobët dhe politikanët e korruptuar, e bënë shtetin një tokë pjellore për trafikimin e fëmijëve, për prostitucion të detyruar, punë të detyruar dhe për fëmijë lypsarë me detyrim”, përshkruhet koleksioni “The Anonime” në ueb faqen e galerisë amerikane.

Aty shtohet se për Brikena Bocin, të bërit art është një mënyrë që të bëhet më e ndjeshme ndaj botës dhe ia mundëson ta përfshijë audiencën e saj në një bisedë për përvoja personale po edhe socio-politike.

“E lindur në Shqipëri, Boci thotë se një moment i rëndësishëm në zhvillimin e saj artistik ka ndodhur kur familja e saj ishte nikoqire e një fotografi e refugjati kosovar që i kishte thënë Bocit se fotografitë e tij të luftës ishin gjëja e vetme që kishin rëndësi për të. Boci vazhdon me të njëjtin pasion dhe përkushtim për punën e saj, duke krijuar tekstile dhe piktura për të krijuar portrete të gjalla të figurës femërore. Në botën e fantazisë së pikturave me qëndisje të Bocit, personazhet e saj shkëlqejnë, secila në mënyrë unike”, shtohet aty.

Siç shkruan “stardem.com”, njëri prej djemve më të famshëm të Talbot County, Frederick Douglass, ishte lindur skllav më 1818. Si fëmijë, Douglass ishte përballur me vështirësi të shumta. Ai e kishte parë të ëmën tek punonte nëpër fusha, mezi kishte rroba të mjaftueshme për ta mbuluar trupin dhe konsumonte ushqim nga një kovë sikur të ishte kafshë. Kur u rrit mjaftueshëm sa për të punuar, Douglas u ndodh në kontrollin e zotëruesve të shumëfishtë - disa prej të cilëve ishin pak më tolerantë e disa të tjerë të padurueshëm.

Me gjithë ambientin ku u rrit dhe sfidat me të cilat u përball, Douglass mbeti i palëkundur dhe i zhytur në dëshirën e zjarrtë për të shkruar dhe lexuar. Derisa gruaja e Thomas Auld, Shophe, ia lexoi Biblën, ai nisi të shtrojë pyetje për shqiptimin e fjalëve që thoshte ajo. Në atë moment Auld e kuptoi që gruaja e tij po e mësonte Frederickun të lexojë, dhe menjëherë ia ndaloi sesionet. Sidoqoftë, Douglass ishte i vendosur: ai vazhdoi të gjejë mënyra për të mësuar.

Në moshën 12-vjeçare ai i kishte shfrytëzuar kursimet e tija për të blerë një kopje të “Columvian Orator”, një libër ky i mbushur me fjalime të famshme. Pasi që nisi në mënyrë intensive ta studiojë këtë libër, ai formësoi shkathtësitë e tij dhe fitoi njohuri për botën, dhe u bë e qartë se Douglass nuk mund ta jetonte jetën si skllav.

Në vitin 1838 ai huazoi dokumentet e identifikimit nga një marinar i lirë me ngjyrë dhe mori trenin drejt veriut, për t’u ndalur në New Bedford, Massachusetts. Gjetja e lirisë ishte një detyrë monumentale, por ishte vetëm fillimi për Douglass. Brenda pak vjetësh ai u bë i famshëm si orator dhe autor. Ai kishte oratori aq brilante, saqë njerëzit kishin dyshime se kishte jetuar si skllav.

Sipas “Cornell University Press”, Douglass kishte shërbyer si agjent për shoqërinë anti-skllave të Massachusetts, duke redaktuar katër gazeta dhe duke u përkushtuar në disa lëvizje reformuese. Dita e Frederick Douglass do të nisë me një paradë në orën 10:00 paradite. Në një skenë që ndodhet në “West Street” do të performojnë artistë të shumtë. Biblioteka “Talbot County Free Library” do të jetë nikoqire e një serie ligjëratash dhe e ekspozitës së Bocit.