Zhytja me “Dashni” për të cilën fton “Anibari”, sivjet mund të bëhet me hiç më pak se 138 filma në gjashtë kategori garuese e në dy jashtë garës. E programi ka edhe një veçanti: janë tre filma të Kosovës në garë. Edhe te kjo treshe ka një tjetër detaj
Krejt në fund të prezantimit të programit filmik për edicionin e 14-të, organizatorët e “Anibarit” bëjnë ftesën “për t’u bashkuar në Pejë, për t’u zhytur në botën e animacionit”. Datat dihen: prej 17 deri më 23 korrik. Tema po ashtu: “Dashni”. E, prej së premtes edhe pjesa më e madhe e programit të filmave. Që vijnë nga të katër anët e botës, po se po. Teknika e qasje të ndryshme po ashtu, njësoj si ngjyrat.
“Zhytja” për të cilën fton “Anibari” sivjet mund të bëhet me hiç më pak se 138 filma në gjashtë kategori garuese e në dy jashtë garës. Filmat e gjatë në garë pritet të shpallen së shpejti. E programi ka edhe një veçanti: janë tre filma të Kosovës në garë. Edhe te kjo treshe ka një tjetër detaj.
“Programi filmik, i cili përfshin një diversitet për nga tematikat do të jetë i ndarë në nëntë kategori ku shtatë prej tyre do të jenë kategori garuese ndërsa dy të tjerat janë kategori jashtë garës”, shkruhet në komunikatën për media të “Anibarit”, së cilës pos detajeve i janë bashkëngjitur edhe filmat e përzgjedhur tashmë. Janë 125 filma që do të garojnë. Prin Programi i audiencës së re me 31 filma, pasuar prej Garës së video-animacionit muzikor me 30 filma e Gara e studentëve me 24 filma. Në Garën ndërkombëtare projektorët do t’i ndezin 18 filma, ajo ballkanike vjen me 7 filma në garë e Kategoria e të drejtave të njeriut me 11 filma. Dy kategoritë jashtë garës janë Panorama me 4 filma dhe Programi eksperimental me 9 filma.
Kanë qenë fiks një mijë e 509 filma që ia kanë mësyrë sivjet “Anibarit”. Sipas organizatorëve, garuesit e ata jashtë garës “janë përzgjedhur pas një procesi të kujdesshëm vlerësimi”.
Teknike duken detaje si këto, por kur bëhet e ditur se janë tre filma kosovarë në garë, merr tjetër kuptim dhe organizatorët e kanë theksuar këtë në komunikatë.
Është animatorja Flaka Kokolli që e përfaqëson Kosovën në “Anibar”. “Ninulla F” dhe “Këtu – Different Dreams” , janë dy animacionet e saj në Garën e video-animacionit muzikor që konkurrojnë me 28 filma të tjerë. “The Root” i Finesa Pejës garon në Programin e audiencës së re.
Kokolli është emër që ka dalë prej “Anibarit”, fillimisht vullnetare, pastaj pjesë e stafit, bartëse e punëtorive dhe sivjet nuk është hera e parë që garon. Animatorja e parë profesioniste në vend, vjet në Garën ballkanike garoi me “Shpija” që u dha premierë. Qe njëri prej dy animacioneve kosovare në edicionin e vjetëm bashkë me “Magnetin” e Arvan Berishës “Shpija” u vlerësua me mirënjohje të veçantë në këtë kategori nga juria e përbërë prej Michaela Rezovàs, Kate Jessopit, Gala Fréconit. Programi i Audiencës se re ku “The Root” nga Finesa Pejës garon tok me 30 filma, i është shtuar Festivalit që prej edicionit të kaluar i cili erdhi me rreth 300 filma prej 1400 aplikimeve. “Anibari” ka vjet që e ka fuqizuar përkrahjen e animatorëve të rinj dhe me “Akademinë e Animacionit” ka nxjerrë shtatë gjenerata tashmë.
Prezantimi i programit të edicionit të sivjetmë, është bërë vetëm një javë pas lansimit të temës “Dashni”. Është një kundërpërgjigje ndaj realitetit dhe një gjë e tillë është paralajmëruar të bëhet në forma të ndryshme.
“Në një botë të konsumuar shpesh nga kaosi dhe përçarja, ne tentojmë t’ia rikujtojmë vetes dhe çdokujt që dashuria nuk njeh kufij dhe si e tillë nuk mund të definohet! Por mos kini frikë, kjo nuk është një mbretëri klishesh apo ëmbëlsie sakarine. Ne gërmojmë në dimensionet e shumta të dashurisë, duke hedhur dritë në kompleksitetin e saj dhe duke zbuluar manifestimet e saj të ndryshme”, kishte shkruar “Anibari” kur lansoi “Love - Dashni”.
Përgjatë shtatë ditëve të festivalit, “Anibari” kishte paralajmëruar zhytjen në një “kaleidoskop të çudirave të animuara”. “Përmes kësaj teme ne do të eksplorojmë fuqinë transformuese të lidhjeve njerëzore. Bashkohuni me ne, ndërsa përqafojmë natyrën e shumanshme të dashurisë, një forcë që tejkalon gjuhën dhe flet me thelbin e njerëzimit tonë. Le të festojmë format e panumërta që dashuria ndikon në jetët tona, ndez shpirtrat tanë, dhe na frymëzon për të qenë më të mirë, si individ dhe si shoqëri”, kishte shkruar ekipi.
Drejtoresha e festivalit “Anibar”, Arba Hatashi, kishte thënë se tema e dashurisë vjen pas disa vjetëve të vështira me pandeminë dhe kështu ky edicion do t’i kushtohet dashurisë në rrafshin e saj më të gjerë.
“I kemi pasur edhe disa vjet të cilat kanë qenë të rënda për neve si shoqëri prej pandemisë dhe të gjitha ato që i ka sjellë pandemia dhe zhvillimet e fundit që kanë ndodhur. Këtë edicion kemi vendosur që të fokusohemi më shumë në tema pozitive dhe të dashnisë të cilën e kemi përreth. Për këtë arsye në edicionin e 14-të festivali ka vendosur që t’i dedikohet dashnive të shumta që ne i ndiejmë si njerëz”, kishte thënë ajo për KOHËN.
Përzgjedhja e temave është një prej anëve të forta të “Anibarit”. Vjet, numrit 13-të të edicionit i ishte kundërpërgjigjur me “Besëtytnitë”.
“Një pikëtakim për krijuesit në të gjithë botën për t’u rritur, për të shkëmbyer njohuri, për të pasur një hapësirë për t'u ndier rehat dhe më e rëndësishmja: për t’u argëtuar. Si komunitet, ju mirëpresim (edhe gjyshërit tuaj besëtytë) që të bashkoheni me ne në këtë përpjekje të fatit që rrëfehet nga të gjitha skajet e botës”, kishte ftuar atëherë ekipi i “Anibarit”.
“Anibarit” që prej edicioneve të para nuk iu deshën shumë vjet për t’u shndërruar në festival unik jo vetëm në rajon. Pati rol parësor në fuqizimin e animacionit në Kosovë jo vetëm duke shfaqur filma, por edhe duke mbështetur prodhimin. Sivjet me tre filma vendorë në garë, është vetëm edhe një dëshmi. E në këtë edicion vjen me “Dashni” për animacionin, në radhë të parë.
{gallery}