Kulturë

“Andorra” e dehumanizimit zhvendoset edhe në Kosovën e viteve ‘90

Trajtimi i temës së paragjykimit, urrejtjes, krimit dhe gjenocidit me ndërthurjen e kujdesshme e mjeshtërore edhe të ngjarjeve të përjetuara në Kosovë dhe në rajon në vitet ’90 të shekullit të kaluar, ka bërë që “Andorra”, bazuar në dramën e Max Frischit nën regji të Kushtrim Bekteshit, ta fusë publikun nëpër skutat e mbamendjes në përballje me sekuenca të përjetuara nga shumica e shqiptarëve. Nëpërmjet shembujve të dehumanizimit si mundësi për katarsis, “Andorra” kërkon anën humane

Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren ka realizuar premierën e radhës duke vënë në skenë tragjedinë “Andorra”, bazuar në tekstin e autorit zviceran Max Frisch, nën regji të Kushtrim Bekteshit. Ndonëse ka zgjatur më shumë se dy orë, kjo dramë ka lënë mbresa te publiku i pranishëm në sallën e shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha”, që në fund me duartrokitje të gjata ka përshëndetur trupën e teatrit të angazhuar në këtë projekt artistik.

Trajtimi i temës së paragjykimit, urrejtjes, krimit dhe gjenocidit me ndërthurjen e kujdesshme e mjeshtërore edhe të ngjarjeve të përjetuara në Kosovë dhe në rajon në vitet ’90 të shekullit të kaluar, ka bërë që kjo shfaqje si tërësi të përcjellë emocione të shumta te audienca.

Zbërthimi i modelit të paragjykimit, urrejtjes, gjenocidit...

Që në fillim të shfaqjes, aktorja Beslidhje Bytyçi, që është paraqitur në rolet e komentatores, përkthyeses së gjyqit, Senorës, gazetares dhe qytetares, ka shpjeguar se titulli i dramës “Andorra” – të cilën Frisch e shkroi më 1961 – nuk ka të bëjë asgjë me shtetin e vogël ekzistues me të njëjtin emër, por se bëhet fjalë për “sinonimin e një modeli të paragjykimit ndaj njëri-tjetrit, paragjykim që i nxitur nga fjalimet shoviniste të liderëve të caktuar politikë shndërrohet në urrejtje, që me kalimin e kohës rritet në histeri kolektive, histeri kolektive që shndërrohet në makineri dhune, vrasjeje dhe gjenocidi ndaj njëri-tjetrit”. Ka shtuar se njerëzimi në periudha të ndryshme të historisë ka njohur modele të dehumanizmit të skajshëm, ku viktima të një modeli të tillë kanë qenë edhe shqiptarët e Kosovës në një të kaluar të afërt.

Image

Titulli i dramës “Andorra” nuk ka të bëjë asgjë me shtetin e vogël me të njëjtin emër, por është “sinonim i një modeli të paragjykimit ndaj njëri-tjetrit, paragjykim që i nxitur nga fjalimet shoviniste të liderëve të caktuar politikë shndërrohet në urrejtje, që me kalimin e kohës rritet në histeri kolektive, histeri kolektive që shndërrohet në makineri dhune” (Foto: Teatri “Bekim Fehmiu”/Fecebook)

Ngjarja në vendin fiktiv tregon jetesën e djaloshit hebre me emrin Andri (interpretuar nga aktori Bujar Ahmeti), i cili në vigjilje të ardhjes së nazizmit ballafaqohet me paragjykimin dhe diskriminimin nga vendësit – ku pos familjes që e mbron dhe e trajton me dashuri si djalë të adoptuar – gjithë të tjerët përfshihen në ushtrimin e dhunës psikike dhe fizike ndaj tij. Në fund, padrejtësisht akuzohet për një vrasje dhe pastaj kur “të zinjtë” e udhëhequr nga “Gjahtari i çifutëve” zbarkojnë në këtë qytet, ai torturohet dhe ekzekutohet para syve të të gjithëve. Vepra me strukturë fragmentare është zhvilluar paralelisht në dy periudha kohore: në të kaluarën ku duke trajtuar antisemitizmin zbërthehet fati tragjik i Andrit, dhe në të tashmen ku trajtohet fajësia kolektive, ku pothuajse në formë dokumentare personazhet kryesore të veprës të gjendur para gjyqit përpiqen të shfajësohen për bashkëveprimin e tyre në vrasjen e Andrit.

Regjisori Kushtrim Bekteshi ka bërë të ditur se kjo ka qenë njëra prej shfaqjeve më sfiduese që ka realizuar në karrierë për shkak të tekstit të vështirë, që është dashur të zbërthehet dhe të ndërtohet si dramë, e që falë ekipit profesionist të aktorëve është vënë në skenë pas provave intensive për një muaj e gjysmë.

Image

“Njerëzimi në periudha të ndryshme të historisë ka njohur modele të dehumanizmit të skajshëm, ku viktima të një modeli të tillë kanë qenë edhe shqiptarët e Kosovës në një të kaluar të afërt” (Foto: Teatri “Bekim Fehmiu”/Fecebook)

“Vetë teksti i autorit flet për paragjykimin, urrejtjen, krimin dhe gjenocidin ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Edhe ne shumë shpejt, s’ka as sa vite, që qysh nga shpërbërja e Jugosllavisë kanë ndodhur ato ngjarje që kanë ndodhur në kohën e nazizmit në Gjermani. Edhe ndërlidhja ishte shumë e natyrshme, nuk ishte fare e imponuar. Sigurisht jemi fokusuar konkretisht te Kosova, sigurisht është përfshirë edhe Bosnja, por edhe të gjitha vendet ku kanë ndodh gjenocidet”, ka thënë ai, duke shtuar se shfaqja megjithatë ka universalitet. Sipas tij, shfaqja është humane sepse kur flitet për dehumanizimin kërkohet më shumë humanizmi.

“Kur flasim për dehumanizimin e skajshëm të njerëzve, të një shoqërie që ka ndodhur në botë, edhe ndodh, dhe vazhdon të ndodhë, por fatkeqësisht ne kemi qenë viktima të atij modeli të dehumanizimit, ne flasim sa shumë e duam paqen dhe sa shumë duam të kthehet humaniteti. Fatkeqësisht ky realitet ende vazhdon, në ato vende ku kanë ndodhur krimet ende nuk kanë arritur të pastrohen nga ato krime dhe unë kam pasur nevojë ta them këtë. Realisht ne i kemi folur të vërtetat, një e vërtetë e trishtë, një vërtetë të dhimbshme. Kemi hapur ca plagë”, ka thënë Bekteshi.

Katarsisi përballë traumave të brendshme

Regjisori Bekteshi ka thënë se mendon që shfaqja do të jetë një katarsis për të gjithë ata që vijnë e shohin, sepse ato trauma që janë përjetuar, ende janë brenda njerëzve.

“Mendoj se kjo shfaqje dhe shumë gjëra tjera që duhet të merren në këtë drejtim mund të jenë një ventil për të zbrazur ose për të çliruar nga këto trauma, sepse vetëm duke e parë me sy të vërtetën vetëdijesohemi për traumat tona dhe mendoj se kjo ndikon që të çlirohemi por edhe mos të harrojmë”, është shprehur Bekteshi.

Image

Ngjarja në vendin fiktiv tregon jetesën e djaloshit hebre me emrin Andri (interpretuar nga aktori Bujar Ahmeti), i cili në vigjilje të ardhjes së nazizmit ballafaqohet me paragjykim dhe diskriminim nga vendasit (Foto: Teatri “Bekim Fehmiu”/Fecebook)

Ndërsa aktori prizrenas Xhevdet Doda që ka luajtur rolin e Mësuesit ka theksuar se porosia e kësaj tragjedie është e rëndë, por që pikërisht këtu qëndron edhe madhështia e teatrit.

“Kjo shfaqje ka përçuar një mesazh shumë të rëndë dhe të vështirë, dhe shihet edhe një herë që teatri e ka rolin e vet magjik pikërisht për shkak të mënyrës se si i përçon ato mesazhe qofshin edhe të rënda për mbamendjen tonë kolektive”, ka thënë Doda.

Ai ka pohuar se drama, përkatësisht tragjedia është zhanri i tij dhe se me këtë rol të realizuar me pasion është arritur që të transmetohet porosia te publiku. Njëherësh ka uruar që kjo porosi të kuptohet edhe nga akterët politikë.

“Çdoherë temat që kanë të bëjnë me popullin tonë, temat që drejtpërdrejt janë të lidhura me faktet historike dhe fatet e popullit tonë janë të rënda, sepse shpesh identifikohemi me fatkeqësitë që i kanë ndodhur këtij populli. Besoj që mesazhi të cilin kjo shfaqje e ka dhënë do të kuptohet mirë edhe prej politikanëve mbamendja kolektive e të cilëve është shumë e brishtë dhe harrojnë çka ka ndodhur para 20 vjetësh”, ka deklaruar Doda.

Në premierën e kësaj shfaqjeje në audiencë, pos të tjerëve kanë qenë të pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Image

Drama e Max Frischit në esencë flet për paragjykimin, urrejtjen, krimin edhe gjenocidin ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore (Foto: Teatri “Bekim Fehmiu”/Fecebook)

Para tyre në rolin kryesor është paraqitur aktori nga Gjakova, Bujar Ahmeti, me rolin e Andrit, i cili gjithashtu ka theksuar se trajtimi i kësaj teme është i rëndësishëm për të nxjerrë mësimet e duhura nga e shkuara.

“Ka qenë sfiduese për shkak se tema është e jona, është një folder të cilin nganjëherë po refuzojmë ta hapim e ta shfletojmë. Të shohim se kah kemi kaluar, ndonëse absorbimi i asaj ngjarjeje që kemi kaluar nganjëherë duhet të dalë prej asaj. Të shohim e të kujtojmë se ku kemi qenë dhe me të t’ia bëjmë vetes me dije që ne nuk duhet ta harrojmë të kaluarën tonë”, ka thënë Ahmeti. Ai është shprehur i kënaqur me reagimin e publikut, që ka pasur durimin për të ndjekur shfaqjen në kohëzgjatje prej 2 orësh e 20 minutash, pothuajse me një frymë.

Kjo premierë ka mundësuar edhe debutimin si aktor profesionist për Labeat Bytyçin që ka luajtur rolin e Idiotit dhe të Ziut 1. Ai ka theksuar se kjo përvojë ka qenë e veçantë për të, sidomos për shkak të energjisë së mirë të punës së gjithë ekipit të angazhuar në këtë dramë.

“Ka nisur shumë mbarë, shpresoj që të vazhdojë kështu”, ka deklaruar ai.

Drejtuesit e teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren kanë bërë të ditur se “Andorra” – me muzikë të Trimor Dhomit, kostume të Samka Ferrit, skenografi të Mentor Berishës e asistente regjie Zanë Durakun – është premiera e tretë e realizuar gjatë këtij viti. Sipas tyre, deri në fund të vitit po planifikohet që të inskenohet edhe një mjuzikëll.