Jo pak mesazhe janë përcjellë të shtunën mbrëma në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në edicionin e 81-të të Festivalit të Filmit në Venecia. “The Room Next Door” i regjisorit spanjoll Pedro Almodóvar ka marrë “Luanin e Artë”. “Besoj se t’i thuash lamtumirë kësaj bote pastër dhe me dinjitet është një e drejtë themelore e çdo qenieje njerëzore”, ka thënë ai dhe porosia e tij lidhet me rrëfimin e filmit. Mesazhet e tjera kanë qenë edhe ato pro Palestinës e mbi të gjitha ceremonia është hapur me konstatimin se “kinemaja është në formë”
Kur kryetarja e jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, aktorja franceze Isabelle Huppert u ngjit në skenë të shtunën mbrëma për të kumtuar fituesit e këtij edicioni, me të nisur fjalimin e saj tha: “Mirëmbrëma të gjithëve! Kam lajme të mira për ju. Kinemaja është në formë”.
Triumfues i edicionit të 81-të të Festivalit të Filmit në Venecia doli filmi “The Room Next Door” i regjisorit spanjoll Pedro Almodóvar. Filmi i parë në anglisht i regjisorit u pa i denjë nga juria për “Luanit të Artë”. Por të njëjtin mendim ndan dhe një pjesë e konsiderueshme e publikut që ka pasur mundësinë ta shohë filmin.
Së paku një përshtypje e tillë u krijua pesë ditë më parë, në premierën e filmit, kur ekipi, siç u raportua nga mediat botërore, mori plot 17 minuta duartrokitje e ovacione si vlerësim.
Ovacionet për “The Room Next Door” kanë eklipsuar ovacionet e tjera të mëdha të festivalit të cilat e karakterizuan këtë edicion.
Filmi “The Brutalist”, spektakli afro katërorësh i regjisorit Brady Corbet me aktorët Adrian Brody dhe Felicity Jones mori “Luanin e Argjendtë” për regjinë më të mirë. Siç qe raportuar, ishte duartrokitur në premierë për 12 minuta, “Maria” e Pablo Larrain me Angelina Jolie, që portretizoi sopranon legjendare Maria Callas, ishte duartrokitur tetë minuta, por nuk ia doli të marrë asnjë çmim. Ndërkaq me një minutë më pak ovacione dhe pa asnjë çmim ngeli edhe “The Order”, trilleri i Justin Kurzel me protagonist Jude Law. Por mbi të gjitha deklarata e kryetares së jurisë, Huppert, mund të thuhet se qëndron, ose përafrohet bindshëm me realitetin duke u bazuar në reagimet e vazhdueshme plot bujë gjatë gjithë javës.
Ceremonia është transmetuar direkt në platformat e Festivalit.
Almodóvar: Eutanazia është e drejtë themelore
Me “Luanin e Artë” në duar, regjisori spanjoll në fjalimin e tij u duk i emocionuar dhe zgjodhi që ndër të tjera të drejtohet në spanjisht.
Arsyen për këtë e tha qysh në fillim.
“Këtë film ia dedikoj familjes sime, që është këtu tani në mesin tonë... Ky film ‘The Room Next Door’, është filmi im i parë në anglisht... por shpirti i tij është spanjisht”, ka thënë Almodóvar i cili këtë film e solli si adaptim të romanit “What are you going through” të autores amerikane Sigrid Nunez. Tematika e tij favorizon eutanazinë si praktikë për të cilën ai avokon duke drejtuar gishtin nga vendet si SHBA-ja të cilat ende e konsiderojnë si praktikë ilegale, ndryshe nga shteti i tij, Spanja. Edhe në fjalimin e tij ai e ka thënë mesazhin e tij.
“Besoj se t’i thuash lamtumirë kësaj bote pastër dhe me dinjitet është një e drejtë themelore e çdo qenieje njerëzore”, ka thënë ai në spanjisht. Por filmi i tij fitues nuk kufizohet vetëm me aq. Sipas kritikës ofron dhe një këndvështrim nga ndryshimet klimatike duke e bërë atë kështu një prodhim i cili trajton dy tema jo fort të thjeshta. Ndryshe regjisori spanjoll kishte fituar në vitin 1999, çmimin “Oscar” me filmin e tij “All About My Mother”. I pritshëm në të gjitha parashikimet për fituesin e çmimit kryesor, “The Room Next Door” tani duket t’i jenë hapur dyert dhe për “The Oscars”. Por surprizë qe çmimi i dytë. “Vermiglio” i regjisores italaine Maura Delpero, e cila mori “Luanin e Argjendtë”, me një rikthim që sipas kritikës, kthehet pas në Luftën e Dytë Botërore në një narrativë plot dramë që zhvillohet në Alpet italiane.
Lajmëtarët e çmimeve “Oscar”
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia, i mbajtur çdo vit në Ishullin Lido, që nga viti 1932, ende mban primatin e një ngjarjeje historike e plot prestigj. Në skenën e këtij festivali kufijtë e rrëfimit të ndërthurur me shprehjen kinematografike janë tregues e shpesh edhe përcaktues të vazhdueshëm të formësimit të peizazhit global të filmit.
Shpeshherë i atribuohet titulli i festivalit i cili e hap sezonin e festivaleve botërore, e filmat që marrin vlerësime në të, shihen si favoritë për çmimet “Oscar”. Një gjë të tillë mund ta shpresojë dhe Nicole Kidman. Ajo mori çmimin për aktoren më të mirë për rolin e saj në trillerin erotik “Babygirl” ku luajti krah Antonio Banderas dhe Harris Dickinson, gjë që konfirmoi se këtë edicion Festivali po shpaloste një qasje tjetër karshi erosit në filma. Fatkeqësia këtu qëndroi te fakti se Kidman nuk ishte e pranishme ta pranonte çmimin në ceremoni pasi nëna e saj, Janelle Ann Kidman, kishte ndërruar jetë. Këtë lajm në emër të Kidman e ndau regjisorja e filmit, Halina Reijn kur e pranoi çmimin në emër të aktores. Reijn lexoi një letër të shkruar nga Kidman që ndër të tjera shkruante: “Jam në shok dhe më duhet të shkoj te familja ime, por ky çmim është për të, për nënën time... Jam shumë mirënjohëse që mund ta them emrin e saj në mesin tuaj. Përplasja e jetës dhe artit është shpesh zemërthyese dhe zemra ime është thyer sot”, ka shkruar Kidman.
Filmi “The Brutalist”, i regjisorit Brady Corbet me aktorët Adrian Brody dhe Felicity Jones i cili mori Çmimin për regjinë më të mirë “Luani i Argjendtë” – xhiruar në shirit celuloid 70 milimetrësh dhe rrëfen tregimin epik të një të mbijetuari të holokaustit hungarez të luajtur nga Adrien Brody, që kërkon ta rindërtojë jetën e tij në Shtetet e Bashkuara – u rikujtua mes fjalimit të gjatë e plot mesazhe të regjisorit.
“Ne kemi fuqinë ta mbështesim njëri-tjetrin dhe t'u themi korporatave gjigante që përpiqen të na shtyjnë: ‘Jo, filmi është tre orë e gjysmë i gjatë dhe është në 70 mm. Ne kemi vizionin për një kinema më të mirë, një botë më të mirë për vajzën time, për fëmijët e gjithë juve. Ata meritojnë një botë pa kufij, pa barriera, diçka të re”, është shprehur mes emocioneve Corbet. Tutje, aktori francez Vincent Lindon u vlerësua si aktori më i mirë për interpretimin e tij në filmin “The Quiet Son”, që trajton raportin midis një babai dhe të birit të cilët i ndajnë ideologjitë e tyre politike. Çmimi special i jurisë shkoi për filmin “April”, nën regji të regjisores gjeorgjiane Dea Kulumbegashvili.
“Horizontet” e së ardhmes
Çmimi “Orizzonti” për aktorin më të mirë këtë edicion shkoi për Francesco Gheghi për aktrimin e tij në “Familia”, një film që eksploron natyrën ciklike të dhunës, me regji nga Francesco Costabile. Në këtë kategori Kathleen Chalfant u vlerësua si aktorja më e mirë për rolin e saj në filmin “Familiar Touch” të Sarah Friedland. E vetë Friedland mori çmimin “Orizzonti” për regjisorin më të mirë dhe filmin më të mirë debutues, çmimin “Luani i së Ardhmes”, me “Familiar touch”. Ajo përdori fjalimin e saj të pranimit të çmimit për t'i thënë audiencës: “Po e pranoj këtë çmim në 76-vjetorin e gjenocidit të Izraelit në Gazë. Unë qëndroj në solidaritet me popullin e Palestinës dhe luftën e tij për çlirim”, u shpreh regjisorja. Ndërkaq në kategorinë e filmit të metrazhit të shkurtër, çmimin e rrëmbeu regjisori kanadez Arshia Shakiba me “Who loves the sun”. Pikërisht në këtë kategori “Orizzonti” për Çmimin e filmit të shkurtër vitin e kaluar e mori “A Short Trip” nga regjisori shqiptar Erenik Beqiri. Në film kishin luajtur edhe aktorët nga Kosova, Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj, bashkë me Tristan Halilajn, që mbajtën peshën e roleve kryesore.
Ikonat në spektakël
Paraqitjet e disa figurave të famshme shërbejnë rëndom si “show” më vete. Të këtij kalibri ishin dhe parakalimet në tapete e në premiera të artistëve si Gerorge Clooney, Angelina Jolie, Brad Pitt, e Lady Gaga, ani pse në fund nuk u shpërblye asnjëri.
Në festival, këtë edicion u shfaqën dhe filma që priten të bëjnë bujë kinematografi. “Beetlejuice Beetlejuice” i Tim Burton dhe “Maria” e Pablo Larraín, janë dy nga ta. Ndërkohë, George Clooney dhe Brad Pitt i çuan peshë adhuruesit e tyre qysh në premierën e “Wolfs”.
Luca Guadagnino dhe Daniel Craig bashkuan forcat këtë vit për të debutuar në “Queer”, dhe vazhdimi i filmit të Todd Phillips “Joker: Folie à Deux”, me Lady Gaga dhe Joaquin Phoenix, përmbylli maratonën e festivalit këtë të mërkurë me shumë zë. Lista e pasur e këtij viti me 21 premiera, i dha vulën një 11 ditëshi intensiv i cili përveç se edhe si një dëshmi tjetër e rëndësisë së filmit, rikujtoi rolin e tij edhe në prodhimin e mendësive, shtigjeve, ideologjive e pyetjeve të reja.
Ky tekst bazohet edhe në raportimet e “The Variety” dhe “ScreenDaily”