Skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës për rreth një orë është shndërruar në prapaskenë të Broadwayit. Aktorë nga Kosova e Shqipëria, si Ermira Hysaj-Çerkozi, Albulena Kryeziu-Bokshi, Adrian Morina, Kushtrim Sheremeti, Rovena Lule Kuka e Natasha Sela u bashkuan për një shfaqje nën regji të Hervin Çulit, që fokus kishte adaptimin e veprës kinematografike klasike nga vitet ‘50, “All About Eve” (Gjithçka rreth Eves” të Joseph L. Mankiewicz.
Shfaqja eksploron dinamikën interesante mes yllit legjendar të Broadwayt, Margo Channing.,(Albulena Kryeziu-Bokshi), dhe dishepullit të saj të përkushtuar, Eve Harrington (Ermira Hysaj-Çerkozi). Ngjarja ndërtohet në një dinamikë e cila paraqet ngritjen dhe rënien në famë si një proces dramatik që pikturon ambiciet e egot për karrierë si diçka që mund të shndërrohen në shkatërrimtare jetësh.
Që në aktin hyrës familjarizohesh me ambientet glamuroze të kinematografisë amerikane. Rrëfimi shpaloset me një njoftim nga Addison DeWitt (Hervin Çuli), i cili na njofton me karakteret. Ai vetë është një kritik teatri me ndikim, i cili luan një rol kyç në manipulimin dhe intrigat që ndodhin në prapaskena. Ciniku i rrezikshëm i industrisë së kinematografisë do të ishte epiteti i duhur për të.
Personazhet prehen në një valë komplekse ambiciesh, besnikërie dhe mashtrimi. Në qendër të historisë është Margo Channing, ylli i nderuar që përballet me plakjen dhe frikën nga zëvendësimi. Mikesha e ngushtë e saj, Keroll Richards (Rovena Lule-Kuka), shërben si një besnike dhe dëshmitare e dramës që zhvillohet, me besnikërinë e saj të ndarë midis Margos dhe burrit të saj, dramaturgut të njohur Lloyd Richards (Kushtrim Sheremeti). Ajo shton thellësi në narrativë duke naviguar miqësinë e saj me Margon ndërsa përpiqet të mbajë harmoninë në jetën e saj private. Eve Harrington që në fillim shfaqet si një vajzë e brishtë, adhuruese e devotshme e Margos, zhvillohet në një karakter të mprehtë e ambicioz e cila shfaq anët e errëta të ambicies duke pasqyruar një natyrë manipuluese që shkakton tension e konflikte.
Në mes të rrjetit të ndërthurur të marrëdhënieve është dhe Birdie (Natasha Sela), gruaja e besueshme e Margos, që i ndihmon asaj me veshjet, një prani qëndrueshmërie që ofron mençuri dhe mbështetje në kontrast me aleancat dhe ambiciet që ndryshojnë vazhdimisht. Ndërkaq Bill Simpson (Adrian Morina), i dashuri i Margos, i cili është në një luftë durimi e besnikërie në raport me egon e Margos.
Së bashku këto personazhe krijojnë një galeri tipash që paraqesin kompleksitetin njerëzor, duke zbërthyer kapacitetin që mbart një skenë teatri për të rrëfyer ngjarje, nga ato që kërkojnë impenjim të madh për t’u bërë të besueshme.
Audiencës i jepet një portal depërtues në prapaskenat e teatrit, në marrëdhëniet dhe dinamikat komplekse midis personazheve që zhvillohen aty. Ku pazaret e mëdha duket se bëhen pikërisht aty, te gardëroba e grimi.
Skena kryesore mund të konsiderohet se ndodh kur Margo Channing përballet me frikën dhe pasiguritë e veta, duke zbuluar vullnerabilitetet e saj para të dashurit Bill Simpson, i cili në një moment ia përplas asaj të gjitha të metat, skenë kjo e cila përcakton zhvillimin e mëtejshëm të dramës.
Audienca tutje vëzhgon ngritjen e Eves, e bërë krejt mjeshtërisht nga ajo duke arritur të manovrojë rrugën e saj drejt e në brendinë e rrethit të ngushtë të Margos. Nëpërmjet saj ngjet dhe majat. Atë majën që dëshiron secili, por që në brendi duket të jetë esenca e thatësisë.
Addison DeWitt, kritiku i teatrit, ka një prani udhëheqëse në skena ku herë bëhet pjesë e tyre duke ushtruar ndikimin e tij mbi jetët e personazheve e herë me komentet e tij që mbulonin sallën me një shtresë cinizmi e intrige.
Shfaqja përfundon me një reflektim mbi pasojat e ambicies dhe çmimin që duhet paguar për famën. DeWitt i dhuron Eves çmimin e saj për të cilin ajo kishte dhuruar gjithçka. Por nuk përfundon këtu. Epilogu vjen me një përsëritje të skenës fillestare ku tashmë një vajzë e re paraqitet sërish në audiencë si e re që admiron aktoren që mori çmimin, e cila kaplohet nga ndjenja e hakmarrjes të servirur akull të ftohtë, e sjellë si një mesazh dhe për audiencën.
Në mesin e duartrokitjeve entuziaste dhe ngritjeve në këmbë, pas performancës, aktorja Vlora Merovci, e pranishme në shfaqje si publik, ndau admirimin e saj për punën e kolegëve duke thënë se ajo që i pëlqeu shumë dhe i bëri përshtypje ishte bashkëpunimi i aktorëve të TKK-së dhe TK-së të Shqipërisë. “Kam dëshirë ta shoh kreativitetin e ndërsjellë, shfaqja kishte thjeshtësi dhe kthjelltësi. Ju lumtë”, është shprehur ajo.
Aktorja protagoniste që interpretonte rolin sfidues të Eves, Ermira Hysaj-Çerkozi, pas shfaqjes, e sfilitur nga loja afro dyorëshe, këtë radhë në prapaskenën e vërtetë të teatrit teksa hiqte grimin e shfaqjes ka treguar për KOHËN sfidat që kishte gjatë realizimit të rolit.
“Personazhi im ishte e vështirë të luhej për mua, sidomos në pjesën e parë, sepse unë nuk jam natyrë e qetë, nuk jam ajo vajza kokulur”, ka thënë ajo. Ka theksuar kontrastin e thellë midis vetë personalitetit të saj dhe atij të karakterit që ajo përfaqësonte.
“Kam kërkuar pafajësinë, fëmijën brenda meje, jam mundur ta luaj personazhin në fillim totalisht të pastër”, ka treguar ajo.
Përtej sfidave, interpretimi i saj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në suksesin e shfaqjes, duke i shtuar autenticitet karakterit të Eve Harringtonit, krahas roleve të tjera.