Një grup familjarësh e pak kolegë ia kanë dhënë të martën lamtumirën e fundit piktores pioniere në Kosovë, Alije Vokshi. Disa prej tyre kanë kujtuar Vokshin si krijuese, kolege e familjare. Shembull i një femre që ndoqi ëndrrën që të bëhet piktore, kur nuk kishte një pararendëse, pedagoge e përkushtuar e artiste që u dha ngjyra përjetimeve të popullit të saj
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës i ka ndarë në dysh veprat e Alije Vokshit. Ato para 17 shkurtit 2008, ngjyrash më të errëta dhe të mëpastajshme, me akte e ngjyra më të çelura.
Në dysh ka qenë e ndarë edhe mbulesa e arkëmortit të piktores gjatë nderimeve që i janë bërë pak para varrimit të martën në varrezat e qytetit Prishtinës. Njëra anë ka qenë e mbuluar me flamurin kombëtar, e tjetra me atë të shtetit të Kosovës.
Vokshi është prej figurave që jo vetëm ka punuar, por edhe ka qenë inspiruese e zhvillimit shoqëror që kulmoi me mëvetësinë e Kosovës. Shembull i një femre që ndoqi ëndrrën që të bëhet piktore, kur nuk kishte një pararendëse, pedagoge e përkushtuar e artiste që u dha ngjyra përjetimeve të popullit të saj. Vdiq të hënën në moshën 77-vjeçare.
Në një ceremoni të thjeshtë e me prani policore shkaku i pandemisë, një grup familjarësh e pak kolegë e kanë nderuar atë në ditën e varrimit. Disa prej tyre kanë kujtuar Vokshin si krijuese, kolege e familjare.
Artisti e profesori universitar, Mehmet Behluli, pasi me kolegun e tij Genc Rezniqi kanë vënë një kurorë lulesh mbi varr, ka thënë se kanë respekt të jashtëzakonshëm për Vokshin, jo veç pse është e para e grua në Kosovë që përfundoi studimet për pikturë.
“Por kemi pasur afërsi me të si pedagoge dhe si artiste. Na la një grua shumë e rëndësishme për ne. Por veprat e saj ngelin”, ka thënë ai. E ka përshkruar si një kolege të jashtëzakonshme. Ka thënë ta kenë pasur për zemër dhe se me studentë ka kaluar shumë mirë.
“Të shkosh në Beograd në studime për pikturë në atë kohë është dashur të kesh përkrahje të madhe të familjes. Burrat mezi kanë studiuar në atë periudhë”, ka thënë Behluli. Sipas tij, Vokshi ka qenë person që nuk është imponuar kurrë e përndryshe do të mbërrinte shumë.
“Si artiste e mbajmë në nivel shumë të lartë, pasi mendojmë se është shumë kualitative si piktore dhe shumë specifike në formën që ka punuar”, ka thënë ai. Sipas Behlulit, Vokshi kishte marrë edukim në Beograd sa i përket artit, por në kontekstin kosovar ka qenë e veçantë.
“Sidomos me portretet e saj që janë bërë legjendë urbane. Në kohët e fundit i ka pasur disa punime krejt ndryshe”, ka thënë ai.

Piktorja e njohur u lind në Prishtinë. Pas Shkollës Pedagogjike në kryeqytetin e Kosovës, ku mes profesorëve kishte edhe grafistin me nam ndërkombëtar Gjelosh Gjokaj, studioi në Fakultetin e Arteve në Beograd. Në një kontekst socio-politik, ku pak gra kishin mundësinë ta ndiqnin arsimin e lartë, veçanërisht në art, Vokshi u bë pioniere e artit në Kosovë.
E vendosur për t’u bërë një piktore e njohur në një skenë të dominuar nga burrat, ajo u zhvendos në Paris për t’i ndjekur studimet në “Académie de la Grande Chaumière” para se të kthehej në Beograd për ta fituar gradën e magjistres. Prej vitit 1974 ishte e angazhuar si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku punoi deri në pensionim, më 2015.
Artisti Lorik Sylejmani, Vokshin e kishte teze. Ai ka thënë se në momente pikëllimi do të mundohet ta përmbledhë krijimtarinë artistike të piktores, e cila pa dyshim ka qenë pararendëse për gjeneratat në vijim e sidomos për gratë të cilat me tërë qenien e saj i ka cytur të ndjekin ëndrrat e veta.
“Kjo afërsi mes saj dhe artistëve, që për vokacion kanë zgjedhur artet vizive, është shpërfaqur edhe gjatë procesit akademik, gjatë ligjëratave në Fakultetin e Arteve. Një kulturë e gjerë artistike e dhënë dhe e përvetësuar nga studentët e shumtë nëpër gjenerata”, ka thënë Sylejmani. Sipas tij, sa i përket punës artistike, opusi i saj kap një numër të madh veprash të krijuara në pëlhurë, por patjetër një thesar i çmuar janë edhe numri i madh i vizatimeve në dimensione të mëdha. Ka përmendur edhe faktin se krejt këto janë shpalosur në shumë ekspozita si në vend edhe jashtë Kosovës.
“Nëse do ta përshkruaja në aspektin familjar, më duhet të them se ka qenë një grua energjike, e drejtë, përkrahëse e ideve përparimtare, një nënë dhe gjyshe shumë e përkushtuar ndaj familjes. Një person i kompletuar si artiste dhe si karakter i mëvetësishëm”, ka thënë ai.
Familjarëve nëpërmjet një telegrami të ngushëllimit të martën u është drejtuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Piktorja Alije Vokshi që u specializua në Paris, përpos aktivitetit kreativ artistik, me një korpus të madh të veprave që la pas, ajo u angazhua edhe në edukimin e artistëve si ligjëruese në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës”, shkruhet në telegram. Aty thuhet se krijimtaria dhe vlerat artistike që ka lënë si pasuri e trashëgimi, do të mbeten të paharruara, siç do të mbetet edhe kujtimi për të.
“Ndarja nga jeta e piktores Alije Vokshi ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm në fushën e artit pamor në Kosovë”, shkruhet në telegram.
Deri në vitin 2016 brenda Kosovës numëronte tetë ekspozita personale e shumë sosh kolektive. Dy ekspozita të pastajme do t’ia ndreqnin fort disponimin. Më 1973 në Prishtinë kishte marrë çmimin “Mosha Pijade”, përderisa më 1976 ishte fituese e Sallonit të Nëntorit në kryeqytetin e asaj që në atë kohë quhej Krahina Socialiste Autonome e Kosovës.
Në janarin e vitit 2017, me titullin “Përmes shpirtërores në art” ishte hapur ekspozita e radhës personale e Vokshit në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Bashkëkuratori Genc Rezniqi kishte thënë se ekspozita ndahet në ciklin e parë që është punuar gjatë studimeve, pastaj ai i portreteve, i paraluftës, gjatë e pas luftës.
“Është më të vërtetë një ekspozitë interesante. E kemi titulluar ‘Përmes shpirtërores në art’. Ideja e kësaj është se ajo është njëra nga artistet që e shkrin shpirtin e vet në pikturë. Është piktore që me dorën e djathtë ka pikturuar e me të majtën ka rritur fëmijët dhe i ka mësuar studentët”, kishte thënë Rezniqi.
Me krijimtarinë e saj ishte marrë edhe artisti nga Kosova me nam ndërkombëtar, Petrit Halilaj. Në kohën kur analizonte dhe vështronte veprat e saj i erdhi ftesa nga revista e njohur britanike “Frieze” për të nominuar një vepër ose një artist që është i rëndësishëm për të. Revistës ia dërgoi një shkrim për jetën dhe krijimtarinë e piktores Alije Vokshi. Bashkëngjitur ua nisi edhe pikturën e saj “Dy fytyrat” (vaj në pëlhurë, 2005–07). Gjithë ky material i dërguar nga Halilaj u botua në numrin e tetorit të kësaj reviste themeluar më 1991 në Londër e që del tetë herë në vit.
“Me gjithë rezistencën e saj, ajo në fund të fundit ia arriti që të linte gjurmë të rëndësishme. Sot veprat e saj janë të njohura në Kosovë, por të njëjtat nuk janë ekspozuar kurrë jashtë vendit. Arti i saj meriton vëmendje ndërkombëtare”, kishte shkruar Halilaj për “Frieze”. Kësisoj, më 2020 u kthye vëmendja ndërkombëtare për Vokshin. Kjo ndodhi dy vjet pasi ajo ekspozoi edhe në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.
E në mars të vitit 2021, veprat e Alije Vokshit për herë të parë dolën jashtë vendit me ekspozitë personale. “I Decided to Draw Bigger Hands” (Vendosa të vizatoj duar të mëdha) titullohej ekspozita e hapur në “ChertLüdde”, në Berlin, me kuratore Hana Halilajn.
Vokshit të martën i është dhënë lamtumira në kodrinat e zbardhura nga bora në perëndim të Prishtinës. Por veprat e saj me dimensione e ngjyra të ndryshme mbesin dëshmi e një krijimtarie sa frymëzuese aq edhe përshkruese për vitet kur jetoi.