Kulturë

Aleksandër Rrapi – lavdia e aktrimit që nuk harroi identitetin

Biri i një familjeje sojlike beratase me dashuri për artin, ai do të çante si pak të tjerë në skenat greke.

Si shumë histori të tjera që lidhen me mërgimin, edhe Aleksandër Rrapi do të kishte një fat të njëjtë.
Me ëndrrën e pashuar për t’u ngjitur në skenë, emri i shqiptarit të talentuar do të apostrofohej shpesh në shtypin helen që e cilësoi atë edhe si “Alvanosi me portretin e tragjedisë greke”.

Me akordimin e titullit të lartë presidencial “Mjeshtër i Madh”, kryetari i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka vlerësuar talentin e spikatur dhe interpretimet me cilësi të lartë artistike të artistit nga Berati, Aleksandër Rrapi.

Në njoftimin e afishuar në faqen zyrtare në “Facebook”, kreu i shtetit ka vlerësuar se Rrapi i përket “brezit atdhetar të shqiptarëve të ndritur, të cilët kurrë nuk mund të harrojnë, përkundrazi, krenohen me identitetin shqiptar duke mbrojtur njëkohësisht traditat, gjuhën, zakonet dhe kulturën tonë”.

Me këtë rast, Presidenca shqiptare ia ka ndarë aktorit të njohur titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për talentin e spikatur dhe interpretimet me mjeshtëri të lartë artistike të roleve të shumta në fushën e artit skenik, televizionit e kinematografisë, veçanërisht në skenat greke të teatrit e telenovelave dhe në diasporë. Me cilësitë dhe aftësitë e shquara artistike ka shënuar arritje të larta personale, si dhe ka demonstruar kudo vlerat më të mira të traditës së shkollës shqiptare të dramaturgjisë, artit dhe kulturës së vendit amtar”.

Në ceremoninë solemne të mbajtur në mjediset e Presidencës, ku ishin të pranishëm familjarë të aktorit, miq e emra të kulturës, Meta ka vlerësuar se aktori beratas është pinjoll i një familjeje artistësh që kanë dhënë kontribut në dramaturgjinë dhe kulturën shqiptare.

“Ai ka ardhur në skenën e artit nga një qytet i lashtë si Berati, një prej qendrave më të spikatura të trashëgimisë sonë kulturore e monumentale. I pajisur me talentin, përkushtimin dhe pasionin për artin e aktrimit dhe kinematografinë, ai do të gdhendte faqe të rëndësishme suksesi në skenat e teatrit, filmit dhe ekranet e televizioneve, duke u konsideruar sot si njëri prej artistëve bashkëkohorë më të njohur të diasporës shqiptare”, ka thënë Meta.

Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, ai po ashtu ka vlerësuar se arritjet artistike të Rrapit i kanë kapërcyer prej kohësh kufijtë e Shqipërisë. Sipas Metës, me mjeshtërinë dhe aftësitë shprehëse, “fama dhe emri i Aleksandrit u bënë të dashur dhe të kërkuar për spektatorin dhe shtypin grek”. “Aktualisht ai renditet në ata pak aktorë shqiptarë nëpër botë që kanë interpretuar mjeshtërisht dhe me sukses tragjeditë dhe komeditë e lashtësisë greke”, ka thënë ai.

Tutje në fjalim, kryetari Meta ka përmendur se Rrapi, edhe kur arriti majat e lavdisë, kurrë nuk e mohoi identitetin shqiptar dhe faktin që i përket shkollës shqiptare të aktrimit.
“Ai i përket brezit atdhetar të shqiptarëve të ndritur, të cilët kurrë nuk mund ta harrojnë atdheun e dashur! Ky brez po shënon histori suksesi personal, duke mos e mohuar, përkundrazi, duke u krenuar me origjinën e vendit, si dhe duke mbrojtur njëkohësisht traditat, gjuhën zakonet dhe kulturën tone”, ka thënë mes të tjerash kreu i shtetit shqiptar.

I lindur me 18 gusht 1963 në Berat, Aleksandër Rrapi përftoi dashurinë për aktrimin nga i atij i tij, Thoma Rrapi që kishte punuar si aktor në ish-Teatrin Popullor. Pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ai emigroi në Greqinë fqinje. Shumë shpejt arriti të inskenonte në teatrot greke komedinë “Kërkohet gënjeshtari”.

Me inskenime edhe të komedive dhe tragjedive të tjera në skenën greke, Rrapi do të binte në sy për ekspresivitetin e tij artistik. Ishte aktivizuar edhe në filmat “Amnistia”dhe “Askushi”, për çka edhe fitoi çmime në festivale filmash.

Dashuria e tij për artin vazhdon edhe sot: ai është pjesë aktive e bashkësisë shqiptare në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.