Figurë vizionare e idealist është vlerësuar akademiku Feriz Krasniqi, i cili vdiq të premten në moshën 93-vjeçare. Vepra e krijimtaria e tij shkencore është konsideruar trashëgimi e dijes shqiptare dhe jo vetëm, në mbledhjen përkujtimore në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Homazhet aty kanë qenë edhe nderimi që i kanë bërë veprimtarisë dhe personalitetit të shkencëtarit kolegët, miqtë e familjarët.
Në institucionin ku ishte anëtar për gati tri dekada, fillimisht anëtar korrespodent e më pas i rregullt, arkëmorti i tij u ndal të dielën para se të bëhej varrimi. Salla për mbledhje, promovime botimesh e edhe përkujtime u kthye edhe vendin ku u thurën kujtime e vlerësime për kontributin shkencor të Krasniqit.
Njerëzit qetas i janë afruar e ndalur një grimë para arkivolit të vendosur në tavolinën e mbuluar me beze të kuq. E zeza në këtë rast ka ardhur nga prania e flamurit kombëtar me të cilin qe mbuluar arkivoli. Ngjan në simbolikën për kontributin për vendin sa i përket përkushtimit në shkencë e dije për breza të tërë. Fotografia e tij qëndroi aty si imazh që nuk ndahet nga historia e shkencës së Kosovës. Si emër e figurë, intelektual që kaherë ka lënë gjurmë.
Krasniqi u vlerësua për virtytet prej njeriu e veçmas për përkushtimin në fushën e tij.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, ka thënë se Krasniqi me punën e tij prej biologu i bënte të tjerët ta duan e çmojnë natyrën e Kosovës. E ka quajtur idealist që njerëzit e njihnin nëpërmjet veprës së tij.
“Unë kam pasur fat të punoj me profesorin e nderuar në hartimin e monografisë ‘Kosova’ dhe ju them me sinqeritetin më të madh se shumë rrallë më ka ndodhur të bashkëpunoj me një njeri që përkundër diferencës në moshë ka një sens bashkëpunimi, sa që është i gatshëm ta sakrifikojë durimin për të mirë të një arritjeje të përbashkët. Ai ishte idealist i madh dhe i tillë mbetet deri në fund të jetës”, ka thënë akademik Kraja në fjalën e tij duke e vlerësuar si njeri të sinqertë.
Sipas tij, mbledhja përkujtimore ishte çasti më i përshtatshëm që të gjithë të njohin meritat e akademikut të ndjerë dhe të lartësojnë figurën e tij.
“Ishte lajm i hidhur për kolegët e Akademisë dhe të Universitetit të Prishtinës, për studentët e tij të shumë gjeneratave, të cilët mësuan ta njohin dhe ta çmojnë natyrën e Kosovës, ta duan dhe ta studiojnë florën e saj, të cilën e ai e mblodhi dhe e përzgjodhi, për ta vendosur në herbariumin e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe për ta ruajtur për të gjitha gjeneratat, të atyre që ishin të kohës së tij, të kohës sonë dhe të tjerave që do të vinin më pas”, është shprehur akademiku Mehmet Kraja.
Akademiku Fetah Podvorica ka thënë se Krasniqi ka vënë themele të sigurta për kërkime shkencore. Ka përmendur se kontributi i tij ishte vlerësuar duke i bërë vend emrit të tij në emërtimin e një lloji bimor të zbuluar.
“Për shkallën e afirmimit dhe autoritetit që gëzon akademik Feriz Krasniqi e vërteton edhe fakti i rëndësishëm që lloji bimor i ri për shkencën e floristikës i gjinisë Cynoglosum Solenanthus i zbuluar në masivin malorë të Pashtrikut nga botanicisti i njohur Tony Wraber emërtohet me emrin shkencor ‘Cynoglossum Krasniqi’, ku në arsyetim përveç tjerash shkruan ‘kjo specie unike është emëruar për nder të botanistit Feriz Krasniqi, profesor i Universitetit të Prishtinës që ishte më meritori për njohjen e vegjetacionit të rajonit të Kosovës”, ka thënë Podvorica në fjalën e tij.
Derisa ka lexuar tekstin biografik të botuar në profilin e akademikut Krasniqi në ueb-faqen e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ka thënë se me punën e Krasniqit janë përsosur metodat e punës hulumtuese.
“Ai në fillim vetë, e pastaj me ekip bashkëpunëtorësh ka grumbulluar material të pasur floristik dhe të dhëna të ndryshme për florën dhe vegjetacionin e Kosovës, duke i vënë kështu themelet e sigurta për kërkime të mëtejme në këtë lëmi. Mund të thuhet se akademik Feriz Krasniqi është nismëtar i parë vendor që me përkushtim dhe mbi bazat shkencore i rreket studimit të gjithanshëm të florës spontane dhe vegjetacionit spontan autokton të kësaj treve. Gjatë kësaj pune ai ka konstatuar një varg elementesh floristike të reja për florën e Kosovës e më gjerë”, ka thënë akademik Podvorica.
Në mbyllje të fjalës së tij ka thënë se institucioni është me fat për melosin që Krasniqi ka lënë pas si trashëgimi shkencore.
“Me ndarjen nga jeta, familja e humbi prindin, gjyshin shembullor, ne e humbëm një anëtar të Akademisë me vlera shumë të veçanta si në aspektin e kontributit shkencor dhe në atë akademik e kombëtar, por njëherësh si familja e tij e respektuar, e edhe ne si institucion jemi me shumë fat se do të kemi në shfrytëzim trashëgiminë e tij shkencore shumë të begatë si dhe do të jemi përherë krenar me veprën e tij”, ka thënë anëtari korrespodent i Akademisë, Fetah Podvorica.
Familjen e institucionin e Kosovës i ka ngushëlluar për humbjen e anëtarit të tyre edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në telegramin e tyre shkruhet se akademik Krasniqi do të mbahet mend për veprën e tij kushtuar bimësisë së Kosovës, por edhe për rolin e tij si drejtues i suksesshëm i Universitetit të Prishtinës dhe i institucioneve të tjera.
“Akademia e Shkencave e Shqipërisë bashkohet në dhimbjen tuaj, të botës akademike në Kosovë, të bashkësisë intelektuale dhe të familjes së tij. Vepra e tij kushtuar florës ekskursioniste dhe të bimësisë spontane-endemike të Kosovës ishte qëllimi shkencor i jetës së tij dhe një trashëgimi e vyer e dijes shqiptare, që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm. Në mënyrë të veçantë kjo vepër do të jetë gjithnjë një bashkëbisedues i vlefshëm për kolegët e tij në Shqipëri: biologë, botanistë, specialistë të fitoteknisë e të shkencave bujqësore në tërësinë e tyre”, shkruhet në telegramin ngushëllues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që e ka lexuar nga anëtarja korrespodentë e AShAK-ut, Myzafere Limani.
Lirim Krasniqi, i biri i akademikut të ndjerë e ka kujtuar atë si vizionar e figurë fisnike.
“Sot shpirti i tij na bëri bashkë të gjithë neve këtu për ta kujtuar edukatën, mirësinë që shkëlqente çdoherë në fytyrën e tij dhe padyshim kontributin e tij. Për ne si familje humbja e tij është edhe më e rëndë kur e dimë se sa peshë kishte personaliteti i tij. Ishte i dashur, këmbëngulës dhe vizionar. Ashtu edhe e nisi karrierën e tij kur edhe arriti të kalonte përtej kufijve duke prekur pyjet e botës akademike. Edukata dhe dituria e tij do të na mbetet përherë udhërrëfyes në rrugën tonë si familje dhe gjithë juve”, ka thënë Krasniqi.
“Sot do ta përcjellim babanë, ashtu si ka qenë: fisnik, i qetë e me madhështinë që ka pasur ndikim pa e thënë as edhe një fjalë”, ka thënë ai mes emocionesh.
Akademik Feriz Krasniqi një jetë të tërë ia dedikoi shkencës. Emri i tij lidhet edhe me historinë e Universitetit të Prishtinës. Ishte rektori i tretë në historinë e institucionit më të lartë të arsimit në vitet kur mori hov jeta akademike në vend. Gjithashtu, ai kreu edhe disa funksione shtetërore, si deputet i Dhomës të Kombeve të Kuvendit të dikurshëm Federativ dhe anëtar i Kryesisë së dikurshme të Kosovës.
Është autor i dhjetëra veprave shkencore, përfshirë libra shkencorë, literaturë shkollore e universitare dhe punë kërkimore.
Akademik Feriz Krasniqi, i lindur më 1931 në Tërpezë të Malishevës, u varros pasditen e së dielës në Prishtinë.