Kulturë

Akademik Feriz Krasniqi – dijetar botëror, emblemë e arsimit

Kontributi në botën shkencore është një kapitull i veprës së tij. Emri i akademik Feriz Krasniqit lidhet me historinë e Universitetit të Prishtinës, qe rektori i tretë në historinë e institucionit më të lartë të arsimit në vitet kur mori hov jeta akademike në vend. Kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, e ka cilësuar akademik Krasniqin i cili vdiq të premten, edhe si emblemë të Akademisë, burrë të urtë, mik të sinqertë, “i sjellshëm dhe i kulturuar, askush si ai!”

Akademik Feriz Krasniqi një jetë të tërë ua dedikoi shkencës e arsimit. Ishte personalitet i dalluar dhe i afirmuar që la gjurmë si biolog dhe jo vetëm. Emri i tij lidhet me historinë e Universitetit të Prishtinës e puna e tij u njoh edhe në qarqet botërore të shkencës. Qe i treti rektor në historinë e institucionit më të lartë arsimor, në vitet kur mori hov jeta akademike në vend. Autori i dhjetëra veprave shkencore – përfshirë libra shkencorë, literaturë shkollore e universitare dhe punë kërkimore – vdiq të premten në moshën 93-vjeçare.

Ka qenë familja e tij që dha njoftimin mortor, pasuar edhe prej Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, anëtar i rregullt i së cilës që prej vitit 2000. ASHAK-u ka njoftuar se mbledhja komemorative në respekt të jetës dhe veprës së akademik Krasniqit do të mbahet të dielën në orën 11:00 përderisa prej orës 11:30 deri në orën 13:00 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 14:30 në varrezat e Prishtinës.

Feriz Krasniqi u lind më 1931 në Tërpezë të Malishevës, ku kreu edhe shkollën fillore, gjimnazin e ulët e mbaroi në Prishtinë, ndërsa Shko­llën Normale në Gjakovë. Më 1954 diplomoi në Degën e biologjisë në Shkallën e Lartë Pedagogjike të Nishit, ndërsa më 1961 diplomoi po në degën e biologjisë në Fakultetin e Shken­cave Matematike-Natyrore të Universitetit të Shku­pit. Një kohë të shkurtër punoi profesor i lëndës së biologjisë në Shko­llën Normale të Prizrenit dhe më 1961 u zgjodh asistent në katedrën e biologjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Disertacionin e doktoratës “Vegjetacioni i pyjeve të rajonit kodrinor të Kosovës” e mbrojti në vitin 1968 në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1969 u zgjodh docent, kurse më 1980 profesor ordinar për lëndën: sistematika e bimëve të larta në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Prishtinës, ku punoi derisa u pensionua.

Në biografinë e tij, publikuar nga ASHAK-u, shkruan se ai ush­troi funksione të ndryshme: ishte prorektor i Universitetit të Prishtinës (1973-1975) dhe dy mandate rek­tor i Universitetit të Prishtinës (1975-1979). Kreu edhe disa funksione shtetërore: deputet i Dhomës të Kom­beve të Kuvendit Federativ dhe anëtar i Kryesisë së Kosovës.

“Akademik Feriz Krasniqi kërkimet shkencore i kishte orientuar në studimin e florës dhe të vegjetacionit spontan në tërësi, me theks të veçantë të atij të hapësirës kosovare. Që nga viti 1963 e deri së fundi, ka publikuar punime të shumta shkencore nga kjo lëmi, të cilat janë botuar në revista të ndryshme shkencore të qendrave të ndryshme universitare. Ka dhënë kontribut të vlershëm në studimin e florës dhe vegjetacionit të Kosovës”, shkruhet në biografi. Ishte i pari studiues vendor, “që mbi bazat shkencore u përfshi në studimin e gjithanshëm të florës spontane dhe vegjetacionit spontan autokton të kësaj treve”. “Gjatë kësaj pune, ai ka konstatuar një varg elementesh floristike të reja për florën e Kosovës e më gjerë, si dhe ka konstatuar dhe përshkruar variante e asociacione bimore të reja në trevën e Kosovës. Studimet e tij kanë rëndësi për hulumtimet më të thella në fushën e kërkimeve fondamentale dhe të mbrojtjes së ambientit dhe janë të lidhura ngushtë edhe me shkencat aplikative si agronominë, farmacinë, pylltarinë, veterinarinë, e të tjera”, ka shkruar ASHAK-u, duke shtuar se ai ka dhënë kontribut të çmuar si themelues i herbarit kombëtar të florës së Kosovës pranë Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës. Studimet e tij kanë lënë gjurmë edhe në shkencën botërore.

“Për shkallën e afirmimit dhe autoritetit që gëzonte akademik Feriz Krasniqi e vërteton edhe fakti i rëndësishëm që lloji bimor i ri për shkencën e floristikës i gjinisë Cynoglosum (Solenanthus) i zbuluar në masivin malor të Pashtrikut nga botanicisti i njohur T. Wraber emërtohet me emrin shkencor Cynoglossum Krasniqii T. Wrab., që bën të ditur se emri i akademik Feriz Krasniqit të jetë i përjetshëm në historikun e shkencës së floristikës”, shkruhet në biografi.

Kolegët e miqtë, akademik Krasniqin e kanë kujtuar si pionier të shkencës në Kosovë, intelektual elitar e studiues të pashoq.

“...burrë i urtë, mik i sinqertë”

Emblemë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e ka cilësuar akademik Krasniqin, kryetari këtij institucioni, akademik Mehmet Kraja.

“Sot iku në amshim akademik Feriz Krasniqi, njëri nga anëtarët më të moshuar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si të thuash emblemë e Akademisë, burrë i urtë, mik i sinqertë, i sjellshëm dhe i kulturuar, askush si ai! Kohëve të fundit, tragjeditë e jetës e bënë të vuajtur, por ai ishte i qëndrueshëm, u jepte kurajë edhe atyre që nuk gjenin ngushëllim. E kisha mik më shumë se koleg, i ndieja afër këshillat e tij, që ishin këshilla të përvojës dhe të urtisë”, ka shkruar akademik Kraja në “Facebook”.

Akademik Krasniqi, siç shkruhet në biografi, botoi punime të shumta në periodikun shkencor të kohës, mori pjesë në një sërë projektesh shkencore dhe ishte autor ose bashkautor i disa teksteve shkollore dhe universitare.

“Për kontributin e tij në lëmin e kërkimeve shkencore, në proce­sin arsimor-edukativ të shumë brezave, në sigurimin e literaturës së ne­vojshme nga lëmi i biologjisë, në zhvillimin institucional dhe afir­mimin e Universitetit të Prishtinës, u nderua me shumë çmime dhe mirënjohje: më 1975 u nderua me Shpërblimi Krahinor i Dhjetorit, çmimin ‘Naim Frashëri’ për tekstin universitar ‘Sis­tematika e bimëve të larta me elementet e filogjenisë’ të botuar në vitin 1985. Përveç mirënjohjeve të tjera, në vitin 1995 Senati i Universitetit të Prishtinës ia dha titullin e nderit Profesor emeritus, për merita të veçanta në zhvillimin dhe avan­cimin e Universitetit të Prishtinës”, shkruhet në biografi.

Shkencëtari shembull

Akademik Feriz Krasniqi ishte dëshmitar e kontribuues i themelimit të UP-së.

“Një ditë e paimagjinueshme”, do ta kujtonte akademik Krasniqi themelimin e UP-së, në një deklaratë për “Kohën Ditore” më 15 shkurt 2010, në 40-vjetorin e themelimit të këtij institucioni, në jubileun e kthesës historike për shqiptarët e Kosovës. “Fituam një entuziazëm, donim të arrinim ato që universitetet e tjera i arritën për 100 apo 200 vjet”, do të kujtonte ai.

Qerim Qerimi, rektor UP-së ka thënë për KOHËN se vepra që akademik Krasniqi ka lënë pas është dije për gjeneratat e reja.

“Profesor Ferizi i ka shërbyer me zell e përkushtim institucionit dhe arsimit të lartë në vendin tonë. Falë profesionalizmit dhe kontributit të tij, ai ka lënë pas vetes një krijimtari të gjerë shkencore dhe profesionale, e cila vazhdon të jetë ndriçues dije për gjeneratat e reja”, ka thënë rektori Qerimi.

Akademik Eqrem Basha e ka përmbledhur figurën e tij prej intelektuali si pionier të shkencës e të dijes.

“Ka qenë shembull i një shkencëtari, i një intelektuali të jashtëzakonshëm. Është një lajm shumë i hidhur për ne dhe humbje e madhe për shkencën e intelektualët e gjeneratës së tij. Ka qenë pionier i dijes e shkencës”, ka thënë akademik Basha.

Idriz Vehapi, dekan i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore ka shkruar se ishte me fat të ishte student i profesor Feriz Krasniqit, të cilin e ka vlerësuar si prijësin e tempullit të dijes.

“Përveç zhvillimit të arsimit, profesor Krasniqi u kujdes me përkushtim edhe për ndërkombëtarizimin e shkencës, ku ndër vite ishte bërë një me tokën, duke e studiuar florën e Kosovës për t’ia ofruar botës studimet e tij. Të gjitha këto, madje edhe kontributin e tij politik, i bëri edhe në kohë të vështira për ne dhe nga kjo botë shkoi si akademik”, ka shkruar Vehapi.

Sipas ASHAK-ut, akademik Krasniqi në sferën arsimore e edukative bënte vazhdimisht përpjekje për sigurimin e teksteve dhe të literaturës biologjike në gjuhën shqipe, në fillim si përkthyes e më vonë edhe si autor. Punimet e tij shkencore përfshijnë: “Kontribut njohjes së maleve të Drenicës” më 1963, “Veçoritë e florës dhe të vegjetacionit të Kosovës dhe problemi i mbrojtjes së tyre” më 1998, “Përshtatshmëria dhe përgatitja e bimëve për t’u mbrojtur nga ftohtësia dhe ngricat” i 1963-s e të tjera. Ka kontribuar në pasurimin e materialeve shkollore e universitare, ku ka përkthyer në shqip botimin “Dictionary of weeds of eastern Europe” të Akademisë së Hungarisë, ndërsa është bashkautor i botimit tjetër “Fjalor i emrave të bimëve”.

“Me punën dhe iniciativën e tij, kërkimet bashkëkohore në florën dhe vegjetacionin e Kosovës, kanë fituar një intensitet, kurse metodat e punës hulumtuese në këtë lëmi vazhdimisht janë përsosur dhe zgjeruar në drejtime të ndryshme. Ai në fillim vetë, e pastaj me ekip bashkëpunëtorësh ka grumbulluar material të pasur floristik dhe të dhëna të ndryshme për florën dhe vegjetacionin e Kosovës, duke i vënë kështu themelet e sigurta për kërkime të mëtejme në këtë lëmi. Mund të thuhet se dr. Feriz Krasniqi është nismëtar i parë vendor (kosovar), që me përkushtim dhe mbi bazat shkencore i rreket studimit të gjithanshëm të florës spontane dhe vegjetacionit spontan autokton të kësaj treve”, ka shkruar ASHAK-u.