Kulturë

Akademik Ajeti kujtohet si shenjë identifikuese e gjuhës shqipe në botë

Një organizim i klubit “Trojet” nga Medvegja ka bërë që edhe drejtuesit e lartë institucionalë të Kosovës të jenë të pranishëm për ta kujtuar akademikun Idriz Ajeti. Asnjëri prej tyre nuk kishte gjetur kohë që më 13 shkurt, kur vdiq akademik Ajeti, të merrte pjesë në mbledhjen komemorative të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e as në ceremoninë e varrimit, shkruan sot Koha Ditore.

Kryeministri, kryetari i Kuvendit e presidenti nuk u panë as në mbledhjen komemorative të mbajtur në Institutin Albanologjik të Kosovës e as në atë që u organizua nga universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Por të premten kryeministri Haradinaj ka shkuar në organizimin e klubit “Trojet” me seli në vendlindjen e gjuhëtarit të madh. “Medvegja i jep lamtumirën birit të vet”, ka qenë fjalia në afishen e vendosur në mur.

Kryeministri Haradinaj ka cilësuar akademik Ajetin gardian të gjuhës shqipe. Me këtë nuk është pajtuar njëri nga studiuesit e pranishëm. Madje, sipas studiuesit Begzad Baliu, as vetë akademik Ajeti nuk do të pajtohej me këtë cilësim.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)