Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Akademia suedeze në shënjestër të kritikave nga fondacioni i “Nobelit”

Stokholm, 13 prill – Këshilli drejtues i fondacionit të “Nobelit” ka kritikuar ashpër Akademinë suedeze, e cila ndan çmimin më prestigjioz për letërsi, duke theksuar se ky institucion e ka shkatërruar reputacionin e vet dhe kësisoj rrezikon edhe vetë çmimin “Nobel”, transmeton “Koha Ditore” raportimin e AP-së.

Disa orë më herët mbreti suedez ka thënë se dorëheqja e tre anëtarëve të Akademisë suedeze është “thellësisht fatkeqe” dhe “rrezikon të krijojë pasoja për ngjarje të rëndësishme” të këtij organi.
Fondacioni i “Nobelit” pas takimit të së enjtes të Këshillit Drejtues ka dalë me një komunikatë në të cilën ka shkruar se “besimi në Akademinë suedeze është cenuar keqas” dhe ka kërkuar që të ndërmerren masa konkrete për rikthimin e besimit.

Trazirat në Akademi kanë nisur të premten e kaluar, kur tre anëtarë të saj dhanë dorëheqje nga ky organ me 18 anëtarë, që votoi kundër përjashtimit nga Akademia të Katarina Frostenson, bashkëshorti i së cilës, Jean-Claude Arnault, akuzohet për keqtrajtim e dhunim seksual e zbardhjen e emrave të fituesve të “Nobelit”. Anëtarët e Akademisë emërohen përjetësisht dhe dorëheqjet janë të rralla. Arnos vitin e kaluar iu ndalua të merrte pjesë në ceremoninë solemne pasi një gazetë suedeze publikoi deklaratat e 18 grave të cilat pretendojnë se janë sulmuar e dhunuar nga ai, prej vitit 1996 deri më 2017.