“Gratë e Lybeniqit”, “Gratë e Kosovës”, shtatorja e Abdyl Frashërit, ajo e Ymer Prizrenit, janë vetëm disa prej veprave të thesarit të krijimtarisë së Agim Çavdarbashës. Në 23-vjetorin e vdekjes së tij, studentë të dikurshëm të maestros, miq e familjarë, e kujtojnë atë si themeltar të skulpturës moderne në këto anë, përderisa numërojnë kontributet madhore të Çavdarbashës
Data 20 tetor e 23 vjetëve më parë për historinë e artit shqiptar shënon humbje të madhe. Atë ditë u shua pionieri i skulpturës, themeluesi i Degës së Skulpturës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, maestro Agim Çavdarbasha.
Ani pse qe 55 vjeç kur vdiq, janë madhore gjurmët e jehona e artit të tij. Portretizoi figura të shquara si Sulejman Vokshin, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin e të tjerë, por edhe vetë funksionimi i Degës në Fakultetin që edukon skulptorët e rinj e bën të paharruar veprën e krijimtarinë e artistit e profesorit Agim Çavdarbasha.
Si prijës të skulpturës moderne në vend e rajon e skulptor të parë akademik në Kosovë, Çavdarbashën e konsiderojnë miqtë e ish-studentët e tij. Skulptura e tij do të vlerësohej arritje e rrezatim mbi sipërfaqet moderniste. Vetë vepra e Çavdarbashës ka hapur rrugët për të formuar një shkollë të re të skulpturës.
“Gratë e Lybeniqit”, “Gratë e Kosovës”, shtatorja e Abdyl Frashërit, ajo e Ymer Prizrenit, që gjallëron shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, tash e një kohë të gjatë reflekton bukurinë e punën mjeshtërore të artistit. “Familja”, “Sofra shqiptare”, “Nëna”, “Llapjani”, “Pejani” e “Syla” janë vetëm disa ndër shumë veprat me motive kombëtare.
Skulptori Ismet Jonuzi, i cili ka qenë student e asistent i Çavdarbashës, ka vlerësuar se shumica e skulptorëve pas viteve ‘70 kanë kaluar në duart e profesorit të ndjerë. E ka portretizuar si person me shumë ide, shumë plane për punë të reja që do të rreshtoheshin si thesar i kulturës kosovare, por që barrikadoheshin nga sëmundja që i rëndonte shëndetin çdoherë e më shumë. “Ai nuk ka bërë dallime politike e regjionale, ka qenë njeri shumë bashkëkohor. I ka dashur shumë ata që kanë punuar dhe kanë qenë serioz. Ka pasur marrëdhënie kolegjiale dhe gjithë kolektivin, ka qenë shumë komunikues e me energji shumë pozitive. Agimi ka qenë më largpamës, më bashkëkohor, të tillë e ka pasur edhe qasjen, më shumë sesa ideologjiken”, ka thënë Jonuzi, profesor në Fakultetin e Arteve në UP. E ka kujtuar maestron si njeri me shumë humor gjatë punës me studentë, por këshillues e edukator të vërtetë për nga ana akademike.
Guri Çavdarbasha, që po ndjek rrugën e njëjtë të të atit, e ka kujtuar si modest e këshillues në profesion. Ai e ka ditur se kush ka predispozita të merret me skulpturë.
“Unë pasi jam rritur në frymën e punës së tij dhe frymën artistike në përgjithësi, ka ndikuar indirekt që ta ndjek rrugën e tij. E kam pyetur shpesh për detyrat që na janë dhënë. Ka thënë se arti është në shumicën e rasteve relativ, sidomos kur je në shkollën e mesme”, ka thënë Guri Çavdarbasha, tashmë profesor asistent i Skulpturës në Fakultetin e Arteve në UP.
Agim Çavdarbasha u lind në Pejë, ku ka kryer edhe Shkollën e Mesme të Artit, derisa u diplomua në Degën e Skulpturës në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1969. Atë vit hapi ekspozitën e parë në Galerinë e Shtëpisë së Rinisë në Beograd dhe mori çmimin “Talentët e Rinj” të gazetës “Borba”. Dy vjet më pas kreu studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve të Universitetit të Lubjanës dhe mori çmimin e “Preshernit”.
“Puno, se puna mbetet e fjalët i merr era”, kishte qenë këshilla e profesor Çavdarbashës drejtuar studentëve të tij, e cila i shoqëron edhe sot.
Skulptori Adem Rusinovci ishte njëri ndër studentët nga gjeneratat që janë edukuar në klasën e Çavdarbashës, sot profesor. E ka vlerësuar profesorin e tij si themelues të skulpturës bashkëkohore shqiptare, por që themelet e saj i ka vënë në krejt trojet shqiptare.
“Ka qenë shumëfish më liberal sesa profesorët e tjerë e qendrat e tjera. Ka qenë super i afërt me studentë, ka qenë edhe shumë para kohës, ka kuptuar çdo nismë të studentit dhe e ka përkrahur. I ka interesuar vetëm puna, ka qenë i përkushtuar në avancimet e studentëve”, ka thënë Rusinovci.
Veprat e Çavdarbashës në galerinë e tij të hapur në Çagllavicë (Foto: Driton Paçarada)
Si pionier i skulpturës, Agim Çavdarbasha ka punuar në dru, gur, mermer, metal, derdhje plastike e të tjera. Veçanërisht njihet si mjeshtër i rrallë në mellë, shkathtësi që vërehet sidomos te skulpturat prej bronzi.
Akademik Eqrem Basha, mik i afërt me skulptorin e ndjerë, gjithashtu e ka përkufizuar figurën e tij prej themeltari të artit bashkëkohor.
“Veprat e tij janë të plota, me vlera të veçanta artistike. Çavdarbasha vërtet jetoi jo aq sa do të duhej, por megjithatë ka lënë në opusin e tij vepra të mëdha, që mbajnë ngjyrat e këtij vendi, këtij rrethi, që veçohen me gjithë karakteristikat”, ka vlerësuar akademik Basha.
Më 1974, artisti e profesori Agim Çavdarbasha u zgjodh profesor në Akademinë e Arteve Figurative në Universitetin e Prishtinës dhe themeloi Degën e Skulpturës, ku do të punonte deri në fund të jetës. Në vitin 1978 mori “Çmimin e Dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës dhe “Çmimin e Sallonit Pranveror” të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Prej vitit 1985 nisin shqetësimet me shëndetin, kur ishte shtrirë në Spitalin e Lubjanës në Slloveni, për t’u kthyer sërish dhe për ta realizuar pjesën tjetër të krijimtarisë së tij.
Ka marrë pjesë në disa simpoziume të skulpturës bashkëkohore, si në atë të mermerit në Arangjellovac të Serbisë (1969), në simpoziumin “Mozaiku në hapësirë” në ishullin Korçulla të Kroacisë e të tjera. Është edhe ideator i Simpoziumit të Skulpturës Bashkëkohore të Universitetit të Prishtinës. Më 1994 u zgjodh anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa pas dy vjetësh edhe anëtar i rregullt.
Më 1994 atelienë e tij në fshatin Çagllavicë të Prishtinës e shpalli si galeri të hapur. Në vitin 2004 ajo pëson në flakët e ngjarjeve të marsit dhe bashkë me të u dogjën shumë vepra të tij të realizuara në dru dhe një koleksion i gjerë vizatimesh. Prej atëherë, jo rrallë veprat e tij janë lënë në harresë prej institucioneve.
Krijimtaria e Çavdarbashës në vitin 2017 u prezantua në kuadër të ngjarjes së njohur të artit pamor “Documenta”. Dy kompozicione me shtatë skulptura fillimisht u trajtuan nga dëmtimet që u janë bërë nga një lloj insekti dhe ato janë të vetmet që kanë pasur fatin të trajtohen nga ekspertët.
Fondacioni “Agim Çavdarbasha”, i drejtuar nga bashkëshortja e tij, Sabahate Çavdarbasha, disa herë kishte kërkuar ndihmë nga institucionet për ta nisur trajtimin e veprave prej druri e mermeri. Në vitin 2018 për herë të parë, Ministria e Kulturës kishte ndarë buxhet prej 50 mijë eurosh për restaurimin e veprave dhe asokohe u tha se shpëtimi i skulpturave do t’u besohej ekspertëve vendorë. Veprimtaria krijuese e Agim Çavdarbashës konsiderohet pjesë e themelit të artit modern në Kosovë.