Jehona e zërit të Ermonela Jahos

Jehona e zërit të Ermonela Jahos

02 April 2017 21:03

Çfarë testi ka vënë Puccini në “Madama Butterfly”. Ai kërkon një soprano që duket si 15-vjeçare, por e ka qëndrueshmërinë e vokalit të një 40-vjeçareje.

Duhet të duket si japoneze, por stili i saj i të kënduarit duhet të jetë italian. Ajo duhet të jetë e brishtë si një flutur, por e fortë si një kalë për të kalëruar orkestrën e tij të fuqishme, shkruan sot “Koha Ditore”. E sikur roli kryesor të mos ishte kaq sfidues, ne mbase do ta shihnim pak më shpesh këtë operë.

Audiencat janë gjithmonë aty kur jepet dhe për këtë ringjallje të 11 performancave, shtëpia operistike “Royal Opera House” ka angazhuar në kastë dy këngëtare në rol kryesor, Ermonela Jahon për gjashtë shfaqjet e para dhe Ana María Martínez në pesë të tjera. Dhe, siç e dimë prej performancave të saj që thyejnë zemrën, në rolin e Motrës së nderit, Angelica, Ermonela Jaho e di sesi të godasë deri në përlotjen e audiencës.

Ajo është në fundin më delikat të asaj që është e mundur për operën “Madama Butterfly”, me zërin drithërues e figurën e prekshme. Sopranot e tjera mund ta këndojnë me më tepër fuqi këtë rol, por mungesa e volumit nga Jaho asnjëherë nuk nënkupton mungesë të intensitetit dhe kur një këngëtare i jep të gjitha nga vetja, efekti është emocionalisht shkatërrues. Kështu që merrni një shami shtesë për t’i parë këto performanca.

Në operën e Puccinit vërehet se ka një raport të qartë ndërmjet saj dhe drejtorit të muzikës, Antonio Pappano. Në “Madama Butterfly” ata rivizitojnë lartësitë që kishin arritur së bashku me rolin e Motrës Angelica dhe kombinimi i brishtësisë së saj me lavën djegëse e rrjedhëse të zërit orkestral që arrin Pappano në operën e Puccinit është madhështor. Performanca e parë që u dha, ishte si zakonisht, një matine e mesditës.

Vetëm dymbëdhjetë orë më herët, Pappano ishte larguar me shkopin e vet nga një mbrëmje e mëparshme muzikore, në “Meistersinger”, që është goxha e vështirë. Opera e realizuar në produksion të Moshe Leiserit dhe Patrice Caurierit, e parë për të parën herë më 2003, është minimaliste dhe jo kontroverse, dhe asaj mund t’i bëhen krejt pak vërejtje... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme