Kulturë

Promovohet në Stockholm romani “1803” i autorit Besim Xhelili

Promovohet në Stockholm romani “1803” i autorit Besim Xhelili
 

Nën organizimin e Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Suedi “Iliria” dhe në bashkëpunim me krijuesit dhe intelektualët shqiptarë të Stockholmit me rrethinë, u mbajt një orë letrare për nder të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Me këtë rast u promovua romani në suedisht “1803” i autorit shqiptar që jeton në Vjenë, Besim Xhelili. I pranishëm në këtë manifestim letrar dhe kulturor ishte edhe përkthyesi i romanit, suedezi dhe miku i madh i shqiptarëve, Ullmar Qvick.

Për organizimin e këtij aktiviteti u përkujdesën Shuquri Sejdijaj, një aktivist i dalluar në këtë shtet, gazetar me vite të tëra i programit të gjuhës shqipe pranë radios shtetërore suedeze, Teuta Haziri, shkrimtare dhe Murat Koci, mësues, publicist dhe anëtar i kryesisë sëLidhjes së Shoqatave Shqiptare në Suedi “Iliria”.