Jo rastësisht, koncerti për 20-vjetorin e “Kohës Ditore” është hapur me veprën “Në shpirtin e traditës”.
Derisa notat e këtij kompozimi zbërthejnë traditën e muzikës shqiptare që përmes tingujve rrëfen edhe historinë e Kosovës, Grupi KOHA vazhdon traditën me organizime të tilla për të shënuar jubileun e një gazete që ka bërë kthesë historike në gazetarinë shqiptare, e ka përcjellë përditë historinë e vendit dhe tashmë është bërë pjesë e historisë.
Me koncert vendosi standarde të organizimit të një ngjarjeje kulturore në skenën kosovare. Rrugëtimi jo fort i lehtë dhe zhvillimi i kësaj gazete korrespondojnë mirë me veprat e ngërthyera në program.
Performues të nivelit të lartë ishin rrëfyesit e këtij tregimi përmes interpretimeve të mrekullueshme me këngë, që dëshmojnë nivelin krijues në vend. Ndërsa përmes arieve të operave të njohura botërore u dëshmua se “Koha...” ndjek e promovon vlerat.
Katër soprano që jetësuan një ide të kamotshme të drejtoreshës së Grupit KOHA, Flaka Surroi, dhe producentit ekzekutiv të Kohavisionit, Dardan Selimaj, u bashkuan për të sjellë për herë të parë në Kosovë një format të quajtur “Sopranot”. Mysafiri special e orkestra e mbledhur enkas për këtë natë, bashkë me dy dirigjentët kosovarë, e kompletuan këtë ide. E ata që ishin prezentë u bënë pjesë e një nate të paharruar, e cila do të mbahet gjatë në mend.
Vula e vlerës
Udhëtimi nëpër kohë ka qenë ideja e programit të gala-koncertit, me të cilin u shënua 20-vjetori i “Kohës Ditore”. Në njërën anë për kohën nëpër të cilën ka kaluar vendi e në tjetrën për “Kohën...” si medium. 31 marsi i vitit 1997 do të shënonte lindjen e një gazete, e cila për dy dekada do të arrinte që të promovonte vlera dhe të jetë besnike ndaj lexuesve të vet.
Startimi i gazetës në kohën kur Kosovës po i kanosej lufta, raportimi në kohë lufte, dhe më pas ngritja e saj deri më sot, janë pasqyruar fort mirë përmes veprave muzikore dhe deklaratave të atyre që e themeluan e që vazhdojnë të punojnë në “Kohë...”, të transmetuara në dy ekranet anash skenës. Në këtë formë, të pranishmëve iu servua një copë historie dhe vlera të larta artistike. “Sopranot” si format i ri i prezantuar për herë të parë në Kosovë, dëshmuan jo vetëm nivelin muzikor në vend, por edhe atë që kjo gazetë mbështet dhe synon ta shtyjë përpara.
Zana Abazi-Ramadani, Marigona Qerkezi, Adelina Paloja dhe Arta Jashari, ishin sopranot e njohura kosovare që bartën mbi supe këtë detyrë. E realizuan për mrekulli. Mysafir special ishte violinisti virtuoz me prejardhje shqiptare, Elvin Hoxha-Ganiyev. Kjo ishte hera e parë që interpretoi para publikut shqiptar. Historia e tij lidhet mirë me gazetën. Ai është 20 vjeç - aq sa festoi edhe “Koha Ditore” - dhe tashmë e ka dëshmuar veten si violinist virtuoz - siç e ka dëshmuar gazeta profesionalizmin e saj. E koncerti ka qenë një vulë e radhës.
Dirigjenti i njohur kosovar Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, bashkë me dirigjentin Edon Ramdani, drejtuan orkestrën simfonike të formuar enkas për koncert. Jashari ka thënë se pjesëmarrja në këtë ngjarje, në shënimin e jubileut të gazetës, ka qenë nder për të.
“E kam ndier veten shumë mirë si dirigjent të jem pjesë e një eventi jo vetëm muzikor, por edhe si një dëshmi e një rrugëtimi të një gazete më të besueshme në vend”, ka thënë Jashari. Përshtatje perfekte e ka cilësuar koncertin me konceptin e gazetës.
“Kemi qenë bashkudhëtarë nëpër kohë në një rrugëtim për të cilin është treguar nga ata që punojnë aty, nëpërmjet deklaratave pas çdo pike muzikore. Janë shkëmbyer njëra pas tjetrës duke u finalizuar, për të ardhur deri tek e sotmja: prezantimi i katër sopranove që ‘Koha..’ është munduar t’i proklamojë tash e sa vite”, ka thënë Jashari. Sipas tij, në këtë koncert janë prezantuar niveli i lartë artistik, por edhe i një pune 20-vjeçare të një gazete siç është “Koha”.
E meritat më të mëdha për këtë punë i ka producenti i programit në Kohavision, Dardan Selimaj.
“Sopranot, respektivisht koncerti në shënim të 20-vjetorit të ‘Kohës Ditore’ vë në Kosovë një standard tjetër në organizimin e koncerteve, por edhe në skenën kulturore të vendit”, ka thënë Selimaj. “Koha” në përgjithësi, sipas tij, gjithmonë ka qenë prijëse e standardeve të gazetarisë dhe këtë ai ka thënë se e bën çdo ditë.
“Mirëpo e rikonfirmon edhe në raste të tilla kur reflektojmë për kohën që kemi lënë pas, si në rastin e këtij përvjetori. Dëshmon vlerat që përfaqëson në këtë vend dhe jo vetëm. Për mua ka qenë nder të punoj në një koncert të tillë dhe në një format koncerti si ky të krijuar brenda ‘Kohës...’”, ka shtuar Selimaj. Ai ka thënë se të gjithë artistët e përfshirë në këtë koncert kanë qenë mbështetës në bërjen realitet të asaj që ishte menduar për një kohë të gjatë.
Një prej kontribuesve në këtë rast është edhe kompozitori Valton Beqiri. Jo vetëm me veprën e cila hapi koncertin, “Në shpirtin e traditës”, por edhe në atë të koordinimit. E vepra e tij është lidhur mirë me hapjen e koncertit.
“Mendoj që pak a shumë përshtatja ime me zhvillimin e Kosovës lidhet me atë të ‘Kohës Ditore’ dhe si duket ka qenë përzgjedhje adekuate për këtë rast”, ka thënë Beqiri. Duke qenë se për Grupin KOHA tashmë është bërë traditë që përvjetorët t’i shënojë me koncerte të mëdha, sipas Beqirit, ky i fundit vulosi gjithçka.
“Nuk është hera e parë që aktivitete të ndryshme që lidhen me Grupin KOHA të shënohen me koncerte. Gjithmonë ka tendenca të prezantimit të vlerave më të larta artistike. Shpesh është paraqitur zhanri i muzikës klasike, dhe për këtë 20-vjetor vazhdoi me frymën e njëjtë. Por kësaj radhe me një orkestër më të madhe, me solistë eminentë kosovarë, të cilët u prezantuan me një program të ngjeshur dhe të pëlqyeshëm për publikun, por edhe kërkues nga ana artistike”, ka thënë Beqiri.
Por kjo ishte vetëm vepra e parë. Rrëfimi i gazetës u shpalos me perlat e muzikës shqiptare si “Unë biri yt Kosovë”, “Për mu paska ken kismet”, “Agimet shqiptare”, “Kroi i fshatit tonë” e “Valsi i lumturisë”. Paraqitja e vlerave vazhdoi me ariet e operave të njohura si “Voice of the spring” nga opera “Frühlingsstimmen” e Johann Strauss, “Come scoglio” e Mozartit nga opera “Cossi fan tutte”, “Caro nime” nga opera “Rigoletto” dhe “Folie!Folie!...Sempre libera” nga opera “La Traviata”, që të dyja opera të Giuseppe Verdit.
Misioni që nuk ndalet
Kur Donjeta Krasniqi u ngjit në skenë për t’iu bashkuar orkestrës në interpretimin e veprës së radhës që ishte në program, përpara vetes pati një makinë shkrimi. Jo vetëm si simbolikë për gazetën, por edhe për të interpretuar në të. Për dekada me radhe “Typewriter” e kompozuar nga Leroy Anderson ka përcjellë gjithandej tingullin e zhurmës që bënin gazetarët e shkrimtarët.
Duket vepër e lehtë, por kërkon goxha seriozitet. Ashtu sikurse puna në gazetë.
Themeluesi i “Kohës Ditore”, shkrimtari e publicisti Veton Surroi, gjatë parakalimit nëpër tepihun e kuq para koncertit, ka thënë për KTV-në se kjo gazetë ka vazhduar të ruajë profesionalizimin për dy dekada.
“E para që më shkon ndërmend është, se sa mirë që ekziston një ekip i cili pas 20 vjetëve e mban një gazetë serioze me nivel të duhur në një situatë shumë të vështirë. ‘Koha Ditore’ ka qenë sinonim i lirisë. Liria e njeriut fillon me lirinë e shprehjes dhe ‘Koha Ditore’ ka qenë kultivuese e kësaj dhe një pjesë e lirisë sonë të përgjithshme është ingranuar me ‘Kohën Ditore”, ka thënë Surroi.
Kryeredaktori i gazetës, Agron Bajrami, e ka cilësuar ndjesi të mirë punën që është bërë në gazetë për këto vite dhe për rrugëtimin që e pret. Ai ka thënë se 20 vjet nuk janë shumë nëse synimi është i qartë.
“Synimi është me mbet jo 40 e jo 100, por derisa të ketë nevojë për një gazetë profesionale, ne do të jemi këtu. ‘Koha Ditore’ ka lindur si nevojë e një momenti shumë të vështirë të Kosovës”, ka thënë Bajrami, tek ka kujtuar momentet më të vështira nëpër të cilat ka kaluar kjo gazetë, prej kohës së para luftës dhe gjatë saj.
“Të gjitha ato vështirësitë pas vitit 1999 nuk na duken të vështira më. Shpeshherë dhe me shumë sportivitet i marrim kërcënimet dhe presionet që na bëhen, mirëpo po besoj se tërë ky rrugëtim është një fillim i ndërtimit të një ambienti jo vetëm të lirë për të folur, por edhe të përgjegjshëm, ku mediat i shërbejnë popullit dhe shoqërisë”, ka thënë ai.
Duke qenë se “Koha Ditore” gjithmonë ka pasur qëllim që të promovojë vlerat, një gjë të tillë është munduar ta dëshmojë edhe me koncertin e 20-vjetorit. E krahas detyrës së saj për raportim dhe ecjes përtej lajmit, përkrahja e talentëve të rinj është një tjetër synim.
Por sopranot, të cilat morën pjesë në koncert, qysh në fillet e karrierës së tyre kanë pasur vend në gazetë. Sopranoja e njohur kosovare Marigona Qerkezi, e cila ishte pjesë e formatit “Sopranot”, ka thënë se i është falënderuese kësaj gazete, e cila gjithmonë i ka përcjellë sukseset e saj.
“Një gazetë prestigjioze, me vlera në vendin tonë, ku e kam gjetur edhe veten në artikuj të ndryshëm. Vendit i duhen mediume të tilla sa më shumë. Ky koncert solli një nivel shumë të lartë dhe shpalosi vlera të bukura që publiku të kënaqej dhe njëkohësisht të shënonte këtë ditë për ‘Kohën Ditore’”, ka thënë Qerkezi.
Një tjetër soprano, e cila po ashtu ishte pjesë e koncertit, Zana Abazi-Ramadani, ka thënë se pjesëmarrjet në koncerte të tilla që organizon kjo kompani ia kanë hapur dyert e karrierës.
“E falënderoj ‘Kohën Ditore’ që gjithmonë i përkrah artistët e mirëfilltë dhe organizon koncerte të mëdha si ky. Më duhet të them se me pjesëmarrjen time në koncerte të tilla që organizon kjo kompani më janë hapur dyer në karrierë. Çdo herë që marr pjesë në këso gala-koncerte ndihem se do të arrij edhe më shumë. Me këtë është treguar se ky medium e vlerëson muzikën, artin, dhe duke e bërë këtë janë në hap me botën”, ka thënë Abazi-Ramadani.
Por nuk janë vetëm gjeneratat e reja që e vlerësojnë punën e kësaj gazete.
Bilbili i Kosovës, e madhja Nexhmije Pagarusha, e cila ishte e pranishme në koncertin jubilar, ka treguar se si kjo gazetë gjithmonë ka qenë e pranishme në shtëpinë e saj.
“E keni nderuar gjithë Kosovën. ‘Koha Ditore’ gjithmonë ka qenë një dhe e tillë do të jetë: gazeta më e mirë. Më parë mezi prisja në orën tetë të dilja dhe ta blija gazetën. Tani e kam pak më të vështirë, por prapë mbeteni më të mirët”, ka thënë Pagarusha.