Kulturë

Aktorët e TKK-së në protestë në vend të festës për Ditën Botërore të Teatrit

Prishtinë, 27 mars – Aktorët rezidentë të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe një grup njerëzish të teatrit, kanë paralajmëruar që sot (e hënë) do të mblidhen para shkallëve të këtij institucioni. Jo për ndonjë projekt teatror, as për festë.

Dita Botërore e Teatrit, në kryeqytet do të shënohet me protestë. Në vend të leximit të një letre në nder të kësaj dite, që festohet për çdo vit, më 27 mars, aktorët kosovarë do të lexojnë listën me pakënaqësitë e tyre. Njerëzit e teatrit do të shfrytëzojnë këtë ditë për ta ngritur zërin për mosrealizimin e kërkesave të tyre. Pagat e aktorëve do të jenë një prej temave për të cilat do të flitet gjatë kësaj proteste, të cilën nëpërmjet rrjeteve sociale e ka mbështetur një grup artistësh.

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit kishte premtuar se do të shtojë një akt nënligjor në bazë të të cilit pagat e krijuesve dhe performuesve e punonjësve të kulturës do të rriteshin. Por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Ishte cilësuar diskriminues niveli i pagesës së krijuesve e performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore, i cili parashihet me Projektligjin për pagat që realizohen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Sipas kategorizimit që bëhet në këtë Projektligj, të miratuar nga Qeveria e Kosovës në ditën e 30-të të muajit të dhjetor të vitit të kaluar, i bie që performuesit e krijuesit artistikë varësisht nga niveli, të kenë pagë të njëjtë edhe me rojtar pylli, truprojë, kuzhinier e shitës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.