Kulturë

U promovua monografia “Nëpër gjemba drejt yjeve”, i Shyqri Nimanit

Me rastin e 75-vjetorit të lindjes dhe 55-vjetorit të krijimtarisë artistike multidisiplinare të prof. Shyqri Nimanit, në prani të krijuesve të letrave shqipe, kritikëve letrarë dhe të fushës së artit, publicistë, e studentë u promovua monografia “Nëpër gjemba drejt yjeve”, të autorit Shyqri Nimani, botuar nga Shtëpia Botuese “Ars Albanica”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Lulzim Tafa, rektor i Universitetit AAB, tha se në librin e tij Nimani na sjell një autobiografi sa të bukur po aq edhe të dhembshme, një autobiografi edhe për një film, për përmasat e një fati njerëzor, duke u nisur që nga fëmijëria e tij e hershme e deri te kompletimi si një artist dhe shkencëtar, çfarë është Nimani.

“Autobiografia e prof. Nimanit është një rrëfim mjaft i prekshëm e i dhimbshëm, i shkruar me një vërtetësi dhe korrektësi maksimale dhe si e tillë që është kjo autobiografi është edhe një shembull se si njeriu, përkundër krajatave e shqetësimeve të mëdha të jetës, mund t’ia dalë mrekullisht, ashtu siç ia ka dalë prof. Nimani. Ai jo vetëm që arriti të dalë nga gjembat, siç e ka edhe titullin kjo autobiografi, por me shpirtin e tij prej artisti dhe me punën e tij të madhe prej hulumtuesi, arriti që kulturës e shkencës shqiptare në përgjithësi t’i japë shumë”, tha Tafa, duke shtuar se kjo është veti e njerëzve të mëdhenj, transmeton Koha.net.

Ndërsa, publicisti Adriatik Kelmendi, tha se ju ftoj t’ia bëni vetes pyetjen e sinqertë: A keni pasur ndonjëherë në dorë ndonjë autobiografi të këtillë? Nëpërmjet shkrimit të kujdesshëm që të mos paraqitet jomodest, nisur nga mbishkrimi i risjellur si lajtmotiv nga qyteti i Raguzës (Dubrovnikut), ‘Peshoret tona nuk lejojnë të mashtrohen, e as të jesh mashtruar-si e mas unë mallin, ashtu le të më masë vet Zoti’, profesori na fton njëkohësisht në së paku tri bashkëudhëtime. I pari, i natyrshëm për autobiografinë, udhëpërshkimi jetësor, ecejaket e një të riu ambicioz drejt realizimit të ëndrrës dhe misionit të jetës. I dyti, krejt i jashtëzakonshëm për autobiografitë: bashkëudhëtimin nëpër historinë e përgjithshme, si të artit e të kulturës. Dhe i treti, plotësisht i rrallë për autobiografitë: bashkëudhëtim me ilustrime e dizajn me përkujdesje për saktësinë matematikore për të bukrën, për artin”.

Kelmendi shtoi se monografia “Nëpër gjemba drejt yjeve”, është e kompletuar, shumëdimensionale, një enciklopedi e rrallë përvojash, dijesh e shijesh.

Duke i falënderuar të pranishmit dhe ata që e ndihmuan botimin e veprës, autori i librit, prof. Shyqri Nimani ka thënë se monografia e tij përbëhet prej tri shtyllave, familjes, atdheut, dhe krijimtarisë.

“Biografia ime jetësore mund të bazohet në trinomin i cili përbëhet prej tri shtyllave, familja, atdheu dhe krijimtaria. Jam shumë i lumtur që këtë parim e kam mbajtur deri në ditët e sotit, dhe gjithë veprimtaria ime ka shkuar në këtë drejtim ”, është shprehur Nimani.

Prof. Nimani tha se ne duhet të punojmë duke shkuar drejt Evropës, sepse historikisht i kemi dhe i takojmë botës perëndimore.