Kulturë

Komuna e Pejës kërkon ngrirjen e procesit të privatizimit të kinemasë

Prishtinë, 16 mars - Komuna e Pejës ka kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij qyteti që të ngrihet procesi i privatizimit të kinemasë “Jusuf Gërvalla”. Është kërkuar masë e përkohshme derisa ky institucion dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit t’i zgjidhin problemet e krijuara rreth këtij objekti. Por derisa Komuna po pret ngrirjen e procesit, AKP-ja planifikon të veprojë ndryshe.

Engelbert Zefaj, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se Komuna e Pejës nuk pajtohet me procesin e likuidimit të cilin tashmë e ka nisur AKP-ja.

“Ne si Komunë e kemi paraqitur masën e përkohshme në Gjykatën Themelore në Pejës, ku kërkohet ndalimi i veprimtarisë së secilës palë. Këtë e kemi bërë para pak ditësh, pasi kemi marrë një letër nga AKP-ja, ku na është thënë se na kanë ngritur padi. AKP-ja nga njëra anë thotë se objekti i takon AKP-së, e në anën tjetër na ka bërë padi dhe ka nisur likuidimin”, ka thënë ai.

Sipas Zefajt, Agjencia Kosovare e Privatizimit është duke vepruar në tri fronte në të njëjtën kohë. Ai ka thënë se fillimisht të dyja palët do të duhej t’i paraqisnin argumentet që posedojnë.

“Sipas dokumenteve kadastrale që kemi ne, figuron si pronë komunale. Ka pasur tendenca edhe të disa individëve që e kanë paditur Komunën, por Gjykata ka nxjerrë vendim që Kinemaja i takon Komunës së Pejës”, ka thënë Zefaj (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Tash gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.