Në 14-të vjetorin e themelimit, teatri Oda shpalos pamjen e re

Në 14-të vjetorin e themelimit, teatri Oda shpalos pamjen e re

15 March 2017 09:45

I themeluar në fund të vitit 2002 me iniciativën e aktorit Lirak Çelaj dhe regjisorit Florent Mehmeti, Teatri Oda dje mbushi plotë 14-të vite punë.

Vite këto që kanë sjellë një frymë të re të kulturës, duke pritur në ambientet e tij shfaqje të ndryshme, ekspozita, filma, koncerte të rrymave të ndryshme, artistë nga vendet shqiptarë por edhe më gjerë.

Por, mbrëmë Teatri po festonte bashkë me miqtë e tij të cilët ishin mbledhur për të folur e festuar këtë rrugëtim të teatrit. Në këtë datëlindje, në një ekran të madh që ishte vendosur në ballë të teatrit, filloi të shpaloset disa nga arritjet më të mëdha të këtij teatri. Këto storie i përcolli drejtori i teatrit Florent Mehmeti, i cili tregonte për këto suksese dhe përjetimet që kishin në atë kohë.

“Ne kemi prodhuar më shumë se 50-të projektet kulturore, e në këtë skenë kanë kaluar shumë artistë që sot janë tejet të suksesshëm, por nuk kanë munguar as sukseset tjera sidomos në skenën ndërkombëtare ku gjatë pesë viteve të fundit jemi shumë më aktivë dhe një punë e madhe po bëhet në atë nivel e që shumë pak shihet në Kosovë”, u shpreh Mehmeti gjatë fjalimit të tij në hapje të këtij organizimi.

Oda është teatri i cili ka arritur ta vendosë Prishtinën në hartën kulturore së bashku me vendet e tjera ndërkombëtarë që tashmë kanë një kulturë me themele të fuqishme.

Kështu, Mehmeti ndau edhe disa momente të cilat sipas tij janë edhe një pasqyrim i një pjese të punës që Oda ka bërë. Ai kujtoi momentin kur pas shfaqjes “Muret e Padukshme” që për rrëfim ka izolimin, Robert McDowel i cili është pronar i “Summerhall”, një prej qendrave më të mëdha kulturore të Edinburg në shenjë respekti ka ngritur flamurin e Kosovës dhe atë Kombëtar në kulmin e “Summerhall”. Ndërsa tutje foli edhe për klipin që ka realizuar Qeveria e Kosovës, për urimin e 9 vjetorit të pavarësisë, e ku fëmijët që janë në këtë klip janë pjesë e grupeve të përhershme të teatrit Oda.

Por, e veçanta e këtij përvjetori ishte ndërrimi i pamjes, duke e përfaqësuar kështu ndërrimin e këtij teatri, sepse Oda ka ndryshuar nga viti në vit dhe tashmë është rritur në impakt, në programe, në qasje e në disiplina, ka ndryshua edhe në formë të qasjes artistike.

Andaj, Mehmeti shpalosi brendimin e ri të Oda, e ku në projektorin e madh, aty për aty, në prani të gjithë mysafirëve u bë ndërrimi i logos në profilin e facebook-ut të teatrit Oda, e gjithë kjo u përcoll me duartrokitje të shumta.

Krejt për fund, pasi që edhe ishte një festë, për t’i shoqëruar të pranishmit me muzikë, ishin ftuar Ilir Bajri, Arian Randobrava e Enes Bajramliqi (Trio Bibera), të cilët u ngjitën në skenë dhe filluar të ngrohin atmosferën me tingujt e muzikës që vetëm ata dinë t’i sjellin.

Ndërsa Mehmeti në fund foli edhe për KultPlus, ku edhe shpjegoi kuptimin e logos së re. “Inspirimi ka ardhur nga rrathët e amfiteatrit, prej antikë, lashtësisë dhe në të njëjtën kohë këta rrathë i kanë krijuar tri shkronja e që janë Oda. Por në të njëjtën kohë paraqesin maskat e teatrit. Gjithashtu këta rrathë paraqesin një lloj shumështresmërie që Oda e ka mbërri për këto 14 vite”, tregoi Mehmeti për KultPlus. Ku tutje theksoi se Teatri Oda, është me të vërtetë i pavarur në kuptimin e pavarësisë edhe fondeve, por edhe nga patronazhi artistik, por mospërkrahjen nga ana institucionale është e paarsyetueshme, sepse teatri Oda është në përkrahje të vlerave të vërteta si dhe hapësirë ku dalin artistë të shumë, e ku të rinjtë shpalosin idetë e tyre.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme