Kulturë

“Dielli” s’do të rikthehet pa sigurimin e fondeve për riparim

Prishtinë, 13 tetor - “Dielli”, i cili për më shumë se gjashtë vjet “shndriste” para Shkollës Amerikane në Kosovë, afër Pallatit të Rinisë në Kosovë do të rikthehet në vendin ku ka qenë vetëm nëse sigurohen fonde për riparimin e tij. Instalacioni i Alketa Xhafa-Mripës, të cilit ndër të tjera i është thyer xhami, së fundmi është larguar prej aty. Ishte inauguruar në mars të vitit 2011.

Kishte qenë “Rotary Club Prishtina” ajo që ia kishte kërkuar Xhafa-Mripës realizimin e një vepre arti, për ta vendosur në kryeqytet, dhe ishte marrë vendim që ajo të zinte vend në hapësirën para Shkollës Amerikane në Kosovë (American School of Kosova). Vepra e rrumbullakët me gjurmë shputash shumëngjyrëshe të fëmijëve, ishte punuar në pllakë solare e cila ndriçonte edhe natën. Tetë mijë euro kishte kushtuar ky projekt. Prej se u inaugurua “Dielli” nuk është mirëmbajtur.