Agnus Dei fiton çmimin e 90-të në Portugal International Film Festival

Agnus Dei fiton çmimin e 90-të në Portugal International Film Festival

18 September 2017 12:01

Në Edicionin 2017 të Portugal International Film Festival, në programin zyrtar kanë garuar 44 filma në pesë kategori, nga më shumë se 6000 tituj filmash sa kishin konkuruar në këtë edicion. Në festivalin njëjavor i cili ka përfunduar të shtunden në Porto të Portugalisë, janë shfaqur filma nga SHBA, UK, Gjermania, Franca, Kina, Brazili, Australia, Italia, Irani, Kosova, Kroacia, Greqia, Holanda, Spanja, Argjentina, Zvicra, etj.

Filmi kosovar Agnus Dei është shfaqur në mbyllje të festivalit dhe është duartrokitur gjatë nga salla e mbushur plotë në Crowne Plaza të Portos. Poashtu, prezantimi dhe fjala e rastit e regjisorit Sopi, është pritur me duartrokitje të gjata dhe me ovacione. Eshtë hera e parë që z. Sopi ka udhëtuar në një festival filmi me një biletë të sponzoruar nga Ministria e Kulturës, për çfarë shfrytëzon këtë rast që t’i falenderon. Në natën gala të ndarjes së çmimeve, juria shtatë antarëshe e udhëhequr nga shkrimtarja Eliane Maciel, ka shpallur fitues filmin kosovar AGNUS DEI me skenar e regji të Agim Sopit. Filmi Agnus Dei është shpallur si Filmin më i mirë i metrazhit të gjatë / Best Feature Film – Blue Star Awards / dhe ka fituar çmimin Blue Star Award. Regjisori më i mirë në këtë edicion, është shpallur Gavin Irvine për filmin 20,40 to London nga Mbretëria e Bashkuar, çmimin e skenaristi më të mirë e ka fituar Scott Simpson për filmin The Mackenzie Breakout nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse filmi më i mirë i shkurtër është shpallur filmi City of my Heart me regji të Konstationos Petsas nga Greqia.

Para dhjetë ditësh, filmi Agnus Dei ka fituar çmimin për Skenarin më të mirë / Best Screenplay/ në Onoiros International Film Festival në Romë të Italisë.

Çmimi Blu Star Award për Filmin më të mirë që vie nga Portugal International Film Festival, është çmimi i 90-të jubilar për filmin AGNUS DEI, i cili ka përfaqësuar Kosovën në rreth 200 festivale në të katër anët e botës. Për filmin Agnus Dei janë shkruar me mijëra artikuj në mediat e shkruara dhe ato elektronike në të gjithë botën. Filmi është bërë pjesë e enciklopedive të ndryshme dhe listave të filmave më të mirë të dekadës. Me 90 çmimet e fituara nga të cilat mbi 60 çmime të para dhe me më shumë se 70 nominime, Agnus Dei cilësohet si njëri ndër filmat më të suksesëshëm të Ballkanit në gjithë historinë e kinematografisë.

Agnus Dei, shtjellon dramën e Petrit, një të riu rreth të tridhjetave,i cili bënë një jetë të dëshpruarish me të ëmen Maria dhe burrin e saj Stojanin në një fshat në Serbi. Petri, ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes nënes së tij Mari dhe babait shqiptar Dinit. Petri, cytet nga e ëma dhe rrethi që të shkoj në luftën e Kosovës. Ai do të ikën nga lufta për në perendim, por mobilizohet dhunshëm dhe regrutohet në një njësit ushtarak në luftën e Kosovës. Në një akcion të përgaditur në shenjë hakmarrjeje, Petri vret babane vet Dinin, të cilin nuk kishte arritur asnjëherë ta njoh. Duke mos mundur të duroj krimet arbitrare në njisitin e tij, Petri dezerton nga ushtria. Ai merr me vete të bijen e Dinit, Marien dhe ikën. Gjatë një rrugëtimi të vështirë, kur ata ndiqen nga palët e armiqsuara, Petri dhe Maria bien në dashuri. Ata arrijnë të kthehen në shtëpinë e Petrit. Gjat raporteve të tensionuara me të ëmen, Petri meson se ka vrarë babanë e vet biologjik dhe se është dashuruar në motrën e vet. Duke mos mundur ta përballoj dramen e papritur, ai ia merr vetes jetën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme