Kulturë

Ritmi i romanit

Ridvan Dibra është autor postmodernist, i cili fokusohet në tema të vogla, por që te lexuesi ngjallin asociacione të mëdha.

Ai i përmbahet parimit të Ajsbergut, në sipërfaqe nxjerr pak, por leximi i vertikales semantike mundëson të shihet edhe pjesa nënujore, që është e madhe dhe frikësuese, shkruan Ag Apolloni, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Kjo është edhe arsyeja pse ai sot është një autor që çmohet lart nga kritika, por edhe nga lexuesit që, siç thotë Barthes, kënaqësinë tekstuale, apo orgazmën, atë jouissance (Barthes, 1973: 10) që e shkakton teksti, e kërkojnë jo te tekstet e lexueshme (lisible), por tek ato të shkrueshme (scriptible).

Narrativa inovative

“Nudo” nga vetë autori ka përcaktuesin kategorial: roman. Mirëpo, i parë në kontekst më të gjerë, ai për nga gjatësia hyn te novela, standardin e së cilës, sipas disa teoricienëve, në letërsinë botërore e caktojnë: “Metamorfoza” (Kafka), “Zemra e errësirës” (Conrad), “I huaji” (Camus), “Njerëz dhe minj” (Steinbeck), “Plaku dhe deti” (Hemingway), “Gjiri” (Roth) etj.

Në anglisht, romani quhet “novel”, kurse novela quhet “novella”, të dyja me origjinë të njëjtë te fjala latine “novella”, e cila shënjon “diçka të re”. Derisa te italianët novela (novella) domethënë “tregim i shkurtër i diçkaje të re”, në anglisht novela (novel dhe novella) ka kuptimin “narrativë e gjatë” që dallon nga “tregimi i shkurtër” (short story). (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)