Kulturë

“Kurrizi” i rezistencës

Muzikanti Ilir Bajri “Kurrizin” e viteve ‘90 e krahason me rrjetin social “Facebook”, derisa politikani Albin Kurti thotë se rreth kësaj hapësire të rinjtë mblidheshin njësoj sikur eshtrat përreth boshtit kurrizor.

Të dy ishin pjesë e asaj historie. Gjithçka ngjan brenda një dokumentari njëzetminutësh, të cilin e ka iniciuar një regjisore e re, shkruan sot Koha Ditore.

Nëpërmjet rrëfimeve e historive të shkurtra, protagonistët sikur e kompletojnë mozaikun e hapësirës urbane, gati suburbane të lagjes “Dardania”, që në vitet ’90 qe shndërruar në hapësirë paralele shoqërore e kulturore e të rinjve shqiptarë.

Ishte koha kur regjimi i Milosheviqit i kishte përjashtuar shqiptarët krejtësisht nga jeta institucionale, mësimi mbahej nëpër shtëpi private dhe kontakti me botën dukej i pamundur. Aty ishin koncentruar një varg kefeterish, por roli i tyre ishte ma i madh sesa që mund të kenë sot. Aty gjëllinte një soj subkulture.

Në këtë copë lagjeje do të krijohej historia që sot përbën një pjesë të rëndësishme për memorien kolektive të atyre viteve në Kosovë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)