Kulturë

“Nga Shqipëria” e Dervish Himës

I veshur si një dervish, duke shëtitur nëpër qytetet e vilajeteve të shqiptarëve, Ibrahim Mehmet Naxhiun të gjithë do ta njihnin si Dervish Hima.

Pasi kishte lënë studimet në shkollën mjekësore-ushtarake në Gylhane të Stambollit, për shkak se ishte gjendur në veprimtarinë ilegale xhonturke, Ibrahimi nga Ohri i vilajetit të Manastirit kthehet në Arnavutllëkun e shqetësuar nga neni i 23-të i Kongresit të Berlinit, shkruan sot Shasivar Kabashi, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Lidhja e Prizrenit ishte shpërbëre tashmë, meqenëse një tjetër do të ngrinte kokë në Pejë. Por, për intelektualët shqiptarë shpresa e vetme tashmë ishte organizata e Turqve të Rinj, e themeluar në përvjetorin e njëqindtë të Revolucionit Francez, nga po një shqiptar dhe mik i personazhit në fjalë.

I mbështetur në bastunin e një dervishi, ai do të vizitonte qytetet shqiptare nga Kolonja gjer në Dibër, duke propaganduar një zgjim shqiptar nën flamurin revolucionar xhonturk.

Edhe pse i maskuar nën petkun e një kleriku fetar, përsëri ai nuk i kishte shpëtuar syrit të hafijeve të Sulltanit, të cilët e mbanin nën vëzhgim. Por, ndoshta do të ishte një shkrim i Himës, i botuar më 2 dhjetor të vitit 1896 në gazetën “Meshveret”, organ ky xhonturk që botohej në Paris të Francës, i cili do t’ia pamundësonte atij qëndrimin e mëtutjeshëm ndër shqiptarë, që një vit më vonë e shohim tek vepron në koloninë e Bukureshtit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)