Arti japonez ka një marrëdhënie veçanërisht të ndërlikuar me të përkryerën. Për shembull nocioni kulturor i njohur si ‘wabi-sabi’, përqafon papërsosmërinë në art, duke argumentuar se është shumë më e preferuar dhe më e bukur që veprat e artit të kenë plasaritje dhe shenja të tjera që e vërtetojnë ekzistencën e tyre në botë. Këto gjëra evokojnë natyrën e përkohshmërisë dhe nënkuptojnë një humanizëm të nevojshëm dhe thelbësor.
Ekspozita e re dhe madhështore e hapur në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju-Jork titullohet “The Three Perfections”, si dhe përmban vepra të artit japonez mbi 1000 vjet të vjetra. Duke iu referuar arteve të poezisë, kaligrafisë dhe pikturës, të cilat ndonjëherë janë quajtur me këtë emër në kulturat e Azisë Lindore - kjo ekspozitë nderon veprat e artit që bashkojnë këto tre forma të veçanta të shprehjes.
“The Three Perfections” bazohet në historinë e muzeut “Met” të shfaqjes së ekspozitave të mëdha të artit japonez. Në vitin 2015, muzeu ishte nikoqir i ekspozitës madhështore “Discovering Japanese Art”, e cila përfshinte më shumë se 200 kryevepra nga një gamë vërtet mbresëlënëse e formave të artit dhe që tregoi se si institucioni ndërtoi një koleksion të klasit botëror të artit japonez, gjatë më shumë se një shekulli. “Japanese Bamboo Art” e hapur në vitin 2017, ishte një tjetër ekspozitë japoneze e mahnitshme që shfaqi artin e shportave të bambusë, duke i sjellë ato në një mori formash artistike.
Edhe një herë muzeu “Met” po e rrethon artin e tij titullar me një mori objektesh të tjera që synojnë ta mbështjellin audiencën në një ambient të theksuar të kulturës dhe estetikës japoneze, përfshirë këtu ndjenjat e vizitorëve në nivele sa më të larta të jetë e mundur.
“Kjo ekspozitë është një përvojë e vërtetë shumëshqisore”, tha Monika Bincsik, e cila shërbeu si kuratore e ekspozitës së bashku me John T Carpenter. “Kur krijon kaligrafi, ndien aromën e ngjyrës, prek penelin, ke një kuti të bukur shkrimi me llak. Ekzistojnë shumë e shumë pjesë në këtë ekspozitë që bëjnë bashkë të gjitha llojet e shqisave të njeriut”.
Secila nga 10 galeritë e ekspozitës krijon një humor të ndryshëm dhe i çon shikuesit në një periudhë të ndryshme kohore historike, duke ofruar një mundësi të mirë të të kuptuarit estetikën japoneze. Për shembull, një galeri është e mbushur me tinguj hipnotikë dhe magjepsës të poezive që këndohen sipas praktikës në shekullin e 11-të.
“Është shumë melodike dhe qetësuese”, tha Carpenter për këtë pjesë të ekspozitës. Dëgjimi i poezisë së kënduar transformon ritmet dhe kuptimet e saj, po aq sa duke e parë të gdhendur në vepër arti përmes praktikës së kaligrafisë.
Një tjetër dhomë u mundëson vizitorëve të jenë dëshmitarë në një konkurs poezie, në të cilin poezitë recitohen në një atmosferë konkurruese në përpjekje për të kthyer shikuesit në epokat kur mbledhje të tilla ishin të zakonshme. Një tjetër tregon vepra druri të lyera me llak të krijuara nga murgjit, të cilat fillimisht ishin objekte ndërvepruese adhurimi që besimtarë të panumërt do t’i preknin dhe përkëdhelnin me dashuri në faltoret Shinto dhe tempujt budistë.
“Mund t’i shihni shenjat ku duart e njerëzve e kanë fshirë llakun me kalimin e vjetëve”, tha Bincsik në një prononcim për media.
Një nga frymëzimet tekstuale nga shumë prej objekteve të ekspozuara është “The Tale of Genji”, një vepër letrare klasike japoneze e cilësuar shpesh si romani i parë në botë. Edhe pse “The Tale of Genji” (Përralla e Genjit) u shkrua nga një grua, Murasaki Shikibu, tradita kaligrafike që doli nga ky libër përqendrohet rreth artistëve meshkuj, pasi burrat kanë tendencë të mbizotërojnë në radhët e atyre që shkruajnë vepra në kaligrafi.
Ekspozita “The Three Perfections” synon të bëjë njëfarë progresi drejt balancimit gjinor duke vënë në fokus Ono no Ozūn, një fisnike e shekullit të 16-të që u bë një nga artistet më të lavdëruara të periudhës Edo të Japonisë.
“Mendoj se ajo është edhe më e mirë se cilido nga tre kaligrafët e mëdhenj meshkuj të asaj kohe”, tha Carpenter. “Një nga qëllimet e kësaj ekspozite është ngritja e reputacionit në perëndim të kësaj gruaje të madhe poete”.
Megjithëse kaligrafia artistike ka tendencë të ndërtohet rreth thënieve thellësisht misterioze dhe medituese, të tilla si “duke qëndruar askund, lind mendja e zgjuar” ose “mos praktikoni të keqen, bëni vetëm të mirën”, shpesh synohet më pak të lexohet dhe më shumë të përfshiheni në të si një vepër e artit pothuajse abstrakt. Sipas Carpenterit, edhe specialistët që janë trajnuar për këto vepra arti nuk mund të lexojnë gjithmonë atë që thotë në të vërtetë kaligrafia.
“Duhet thjesht ta shijosh si një përbërje ngjyrash në letër. Ne inkurajojmë publikun që të mos ketë frikë nga pamundësia për të kuptuar poezitë. Pasi ta bëni këtë, do të filloni ta shijoni kaligrafinë si një nga tre përsosmëritë”, tha ai.
Një aspekt tjetër i kulturës tradicionale japoneze që implikon thellësisht traditën kaligrafike është ai i ceremonisë së çajit, pasi kaligrafia mund të marrë një rol qendror në raste të tilla. Për këtë ekspozitë, Bincsik ka rregulluar me kujdes artefakte të bukura të përdorura tradicionalisht për të krijuar atmosferën unike të bashkimit për të pirë çaj në kulturën japoneze, duke dhënë një pamje të rrallë në botën japoneze.
“Kaligrafia që shfaqnin atëkohë ishte e rëndësishme për krijimin e ambientit në mbledhjet e pirjes së çajit”, vuri në dukje Carpenter.
Edhe pse pjesa më e madhe e ekspozitës “The Three Perfections” mbulon periudha kohore të lashta, ka disa përpjekje për të përfaqësuar këto arte siç janë zhvilluar gjatë shekullit 20, duke shtuar një pamje më moderne. Këto pjesë të kaligrafisë rezonojnë me një energji dhe një forcë grafike. Ato ngjallin kuriozitet dhe dëshirë për të ditur më shumë se si këto tradita kanë vazhduar të evoluojnë në kohët moderne.
Përveç mundësisë për t’u zhytur në një kulturë të caktuar, publiku që viziton ekspozitën “The Three Perfections” ka gjithashtu mundësinë të largohet nga një ditë e ngarkuar, për të jetuar jetën me një ritëm më ndryshe. Veprat e artit të shfaqura në këto galeri janë të destinuara për t’u shijuar në një mënyrë medituese dhe paksa si në ëndërr, prandaj Bincsik deklaroi se shpreson që njerëzit të përfitojnë nga ekspozita e muzeut “Metropolitan” për ta bërë këtë.
“Duhet të ngadalësoni ritmin, të merrni kohën tuaj shtruar dhe pothuajse të imagjinoni sikur po e shikoni një copë arti në banesën tuaj. Kjo është shumë e ndryshme nga mendësia jonë e shekullit të 21-të, veçanërisht një stil jetese në Nju-Jork. Është një mundësi vërtet e mirë për t’u zhytur në një botë krejtësisht të ndryshme për nga ana estetike”.
Ekspozita me titull “The Three Perfections: Japanese Poetry, Calligraphy and Painting” nga koleksioni i Mary dhe Cheney Cowles vazhdon të qëndrojë e hapur në Muzeun Metropolitan në Nju-Jork deri më 5 gusht të vitit 2025