Kulturë

Kërcënimet largojnë veprën me Jezus Krishtin nga galeria

pikturat e Krishtit

“Jesus Speaks to the Daughters of Jerusalem” e cila skenave biblike ua vesh portretet e filmave vizatimorë nxiti debat te komuniteti i krishterë. Philjames, vepra e të cilit është përshkruar si surreale, ka thënë se nuk kishte vërtet ndonjë kuptim të veçantë prapa pikturës

Vepra e artit me Jezus Krishtin, mbi të cilin janë vendosur personazhe të animuara të “Looney Tunes”, u largua nga këshilli i qytetit të Sydneyt pas kërcënimeve për dhunë. Protestuesit në internet pretendonin se vepra tallte fenë e krishterë, derisa kryebashkiaku i Liverpoolit, Ned Mannoun, bëri thirrje që ajo të hiqej nga ekspozita “Blake Art”

Vepra e artistit australian, Philjames, me titull “Jesus Speaks to the Daughters of Jerusalem”, është larguar nga ekspozita e hapur së fundmi në qendrën e arteve “Casula Powerhouse” në Australi, pas kritikave të ashpra ndaj artistit dhe galerisë, vetëm dy ditë para përfundimit të ekspozitës tetëjavore.
Ekspozita ka për qëllim të nxjerrë në pah artistë bashkëkohorë vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët eksplorojnë idetë e fesë nëpërmjet artit dhe tërheq artistë nga të gjitha besimet dhe prejardhjet kulturore. Njëherësh, në fund të saj ndahet dhe çmimi i rëndësishëm i artit “Blake Art Prize”. Por në prag të përmbylljes së ekspozitës, protestuesit online pretendonin se piktura në litografi e realizuar në vitin 2023, tallet me fenë e krishterë dhe disa prej tyre e kërcënuan me dhunë muzeun dhe stafin e tij – shumë prej të cilëve janë vullnetarë.

Philjames ka thënë se ka marrë më shumë se 200 mesazhe të ndyra dhe kërcënuese në rrjetet sociale, derisa galeria ka pranuar mbi 60 telefonata nga protestuesit e acaruar.

“Më pëlqen të ngjall pak reagime me punën time, por jo deri në këtë masë. Niveli i dashakeqësisë dhe vëllimi i madh ishte në të vërtetë i frikshëm”, ka thënë 48-vjeçari. “Unë kam realizuar vepra të tilla arti për rreth 15 vjet dhe kam pasur një ose dy njerëz që janë shprehur të mërzitur për këtë, por asgjë si këto reagimet e fundit. Në fakt kërcënimet dhe sharjet e tyre karshi meje ishin të poshtra dhe veprimi i tyre aspak i krishterë”.

Madje një protestues e kishte paralajmëruar artistin që, galeria bën mirë t’i sigurojë “ekstra mbrojtje”. 
“Stafi i ngratë që punon aty nuk ka nevojë për gjëra të tilla. Nuk ia vlen”, deklaroi Philjames. 
Kryebashkiaku i Liverpoolit, Ned Mannoun, ka bërë thirrje për largimin e pikturës në fjalë, duke përmendur si shkas “ankesat e shumta nga banorët të cilët ishin neveritur dhe janë ndier të ofenduar që Këshilli i Liverpoolit po shfaqte këtë vepër arti”.

“Profeti i besimtarëve krishterë, Jezus Krishti nuk ka asnjë lidhje me personazhin e filmave vizatimorë, Goofy”, ka thënë ai në një deklaratë. 

Charlie Bakhos, themeluesi i grupit konservator katolik, “Christian Lives Matter”, u ka thënë mbështetësve në mediat sociale se “arti tronditës që tregonte mungesë respekti”, tashmë është larguar nga ekspozita.

“Ky është një tjetër sulm ndaj fesë së krishterë të cilin kemi arritur ta ndalojmë, falë përkrahjes së gjithë komunitetit. Le të vazhdojmë ta mbrojmë besimin tonë me respekt, dhe do të kemi rezultate pozitive në misionin tonë, duke qenë se Jezusi është në anën tonë”.

Në vitin 2007 dy vepra të ndryshme, pjesë e ekspozitës “Blake Art Prize”, u kritikuan ashpër nga politikanët e njohur australianë, John Howard dhe Kevin Rudd. Njëra e përshkruante Shën Mërinë të veshur me burka dhe tjetra (në foto) e shfaqte imazhin e Jezus Krishtit të zëvendësuar me fytyrën e Osama bin Ladenit

Kryeshefi ekzekutiv në detyrë i Këshillit të Liverpoolit, Jason Breton, deklaroi se vepra artistike u hoq si rezultat i qëndrimit të kryetarit të bashkisë, shqetësimeve për siguri dhe reagimeve të komunitetit.
Ndërsa Philjames ka thënë se ishte “absolutisht i lumtur të vinte sigurinë në rend të pare”, dhe se ai ndihet i shqetësuar se incidenti në fjalë mund të ndikojë në kufizimin e lirisë së shprehjes.

“Kjo për mua është gjëja më problematike: kryebashkiaku kërkoi që të hiqet, duke e vënë politikën përpara lirisë së shprehjes. Ku përfundojnë veprime të tilla”?

Në anën tjetër, Ned Mannoun ka thënë se e drejta e fjalës së lirë duhej të balancohej me të drejtën për të praktikuar fenë pa frikë, persekutim apo tallje.

“Liverpooli është një nga Shoqatat e Pushtetit Vendor më fetare në Sydney. Arti fetar duhet të jetë respektues dhe unifikues, jo përçarës dhe mosrespektues”. Tutje, ai ka thënë se do të bënte të njëjtat thirrje për veprat e artit që ai do t’i konsideronte si antisemite ose nënçmuese për çfarëdo feje.
Philjames, vepra e të cilit është përshkruar si surreale, ka thënë se është rritur duke ndjekur shkollën për edukim fetar, por nuk e praktikon fenë. 

“Më duket pak absurde e gjithë kjo. Ishte një vepër lozonjare. Më pëlqen të përfshij personazhe vizatimore në punimet e mia. Për të qenë i sinqertë, nuk kishte vërtet ndonjë kuptim të veçantë prapa pikturës”.

Po ashtu ka bërë të ditur se gjatë fundjavës ka pranuar mbështetje të madhe nga komuniteti artistik.
Në veprat e tij, artisti ka trajtuar në të njëjtën formë një sërë subjektesh, duke përfshirë Mbretëreshën Elizabeth II, Donald Trumpin dhe Christopher Reeven. Ai përfaqësohet nga galeria “Chalk Horse” në Darlinghurst dhe disa herë ka qenë pretendente për çmimin “Blake Art Prize”.

Organizatorët e ekspozitës që e ndanë çmimin “Blake Prize”, edhe në të kaluarën kanë shkaktuar polemika. Në vitin 2011, vepra e artistit Luke Roberts zgjoi reagime në komunitet. Në vitin 2007 dy vepra të ndryshme, pjesë e ekspozitës “Blake Art Prize”, u kritikuan ashpër nga politikanët e njohur australianë, John Howard dhe Kevin Rudd. Njëra e përshkruante Shën Mërinë të veshur me burka myslimane dhe tjetra e shfaqte imazhin e Jezus Krishtit të zëvendësuar me fytyrën e Osama bin Ladenit.

“Zgjedhja e një vepre të tillë arti është fyese për besimet fetare të shumë australianëve”, deklaroi atëkohë ish-kryeministri australian, Howard.

Marrë nga “The Guardian”.