Kulturë

Akademikët e Shqipërisë zotohen për rritjen e cilësisë së botimeve shkencore

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, kryetari i këtij institucioni, akademik Skënder Gjinushi ka takuar kryeredaktorë të revistave albanologjike. Kryeakademiku Gjinushi ka paraqitur masat që janë propozuar nga grupi i punës i ngritur për të vlerësuar gjendjen aktuale e për të konkretizuar ndryshimet e domosdoshme për hyrjen e revistave akademike në komunikim shkencor ndërkombëtar, indeksimin e tyre sipas standardeve të kërkuara, funksionimin e këshillave botues e të redaksive shkencore, respektimin e rregullave procedurale transparente, që, në thelb, synojnë rritjen e cilësisë së kërkimit dhe botimeve shkencore.

“Grupi i punës do të paraqesë së shpejti propozimet për ndryshime në rregulloret ekzistuese, udhëzuesin për strukturimin e artikujve në përputhje me kërkesat për indeksim ndërkombëtar, rekomandimet për zgjedhjen e platformave të mundshme për aplikim, zgjedhjen e një sistemi unik referencash, rregullimin e periodicitetit, të raporteve midis redaksive e autorëve, të studiuesve vendës e të huaj”, shkruhet në njoftim. Po aty shkruhet se akademik Gjinushi ka njoftuar se disa masa do të zbatohen shpejt, sipas një kalendari të miratuar, duke përfshirë publikimin digjital të revistave në faqe të dedikuara, zgjedhjen e një platforme antiplagjiaturë, aplikimin e recensionimit të fshehtë, rregullimin e raporteve redaksi-autorë, përtëritjen e bordeve të botimit e të tjera.

“Disa nga revistat, si ‘Studia albanica’, ‘Albanian studies’ dhe ‘AJNTS’ të tentojnë indeksim të shpejtë ndërkombëtar, kurse revistat e tjera të avancojnë në regjistrimin e brendshëm sipas rregullores së miratuar”, citohet të ketë thënë Gjinushi.

Kryeredaktorët shprehën në mënyrë të detajuar shqetësimet e tyre për procesin e vështirë të kalimit në epokën e botimeve digjitale, duke përfshirë nevojën e regjistrimit të një shtëpie botuese digjitale akademike.