Kulturë

“Berlinale” kthehet në arenë akuzash për antisemitizëm

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin krenohet me reputacionin e tij politik, por lejimi i kineastëve të shprehin qëndrimet e tyre personale për luftën Izrael-Hamas në ceremoninë përmbyllëse të çmimeve të shtunën tani ka ngjallur polemika mes politikanëve gjermanë dhe zyrtarëve izraelitë. Në këtë ngjarje disa kineastë kritikuan Izraelin për ofensivën e tij të vazhdueshme në Gaza, e cila ka vrarë rreth 30 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoritetit shëndetësor të enklavës të kontrolluar nga Hamasi.

Ndërsa njerëz të ndryshëm kërkuan një armëpushim në Gaza, ndoshta fjalimi që shkaktoi kritikat më të forta nga një numër politikanësh gjermanë erdhi nga regjisori amerikan Ben Russell, i cili pranoi çmimin duke mbajtur të veshur një simbol të solidaritetit palestinez.

“Sigurisht që ne gjithashtu qëndrojmë për jetën këtu dhe jemi kundër gjenocidit dhe për një armëpushim në solidaritet me të gjithë miqtë tanë”, ka thënë Russell, i mbështetur nga brohoritjet në audiencë. Regjisorët u kritikuan gjithashtu se nuk iu referuan rolit të Hamasit në konflikt dhe sulmet terroriste të 7 tetorit, në të cilat u vranë rreth 1 mijë e 200 izraelitë dhe më shumë se 240 njerëz, mes tyre gra dhe fëmijë, u morën peng nga grupi militant islamik. Hamasi është klasifikuar si një grup terrorist nga Izraeli, Gjermania, SHBA, Bashkimi Evropian dhe një sërë qeverish të tjera.

Regjisori izraelit me bazë në Jerusalem, Yuval Abraham, dhe kolegu i tij palestinez, Basel Adra, bënë gjithashtu deklarata që erdhën në qendër të vëmendjes mes polemikave. Të shtunën ata morën në emër të kolektivit të tyre izraelito-palestinez çmimin për dokumentarin e tyre “No Other Land”.

“No Other Land” dokumenton se si banorët e fshatit Adra në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë luftuar prej vitesh kundër shkatërrimit të shtëpive të tyre nga ushtarët izraelitë dhe kolonët e armatosur hebrenj. Teksa morën çmimin, Adra ka thënë se ishte e vështirë për të të festonte ndërkohë që bashkatdhetarët e tij në Gaza po “masakroheshin” dhe i bëri thirrje Gjermanisë “të respektojë thirrjet e OKB-së dhe të ndalojë dërgimin e armëve në Izrael”.

Gazetari izraelit Abraham vuri në dukje se edhe pse të dy qëndronin si të barabartë në skenë, ata do të ktheheshin pas dy ditësh në një vend ku kolegu i tij palestinez do të përballej me diskriminim të institucionalizuar, pa asnjë të drejtë vote dhe të kufizuar në lëvizjet e tij bazuar në targat e tij palestineze. Abrahami më pas bëri thirrje për t'i dhënë fund “këtij aparteidi, kësaj pabarazie”. Deklaratat e kineastëve u dënuan më vonë nga kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner.

“Ajo që ndodhi dje në “Berlinale” ishte një relativizim i papranueshëm. Nuk ka vend për antisemitizëm në Berlin dhe kjo vlen edhe për artet”, shkroi ai në X. Ron Prosor, ambasadori i Izraelit në Gjermani, kritikoi ashpër “të ashtuquajturën ‘elitë kulturore’”.

"Edhe një herë skena kulturore gjermane shfaq njëanshmërinë e saj duke shtrirë tapetin e kuq ekskluzivisht për artistët që promovojnë delegjitimizimin e Izraelit” shkroi ai në X, duke shtuar se “diskursi antisemit dhe antiizraelit u prit me duartrokitje”.

Një ligjvënës nga Partia Social Demokratike e kancelarit gjerman Olaf Scholz, Helge Lindh, e përshkroi duartrokitjen e audiencës të shtunën si “tronditëse”. “Më vjen turp të shoh se në vendin tim njerëzit sot duartrokasin akuzat për gjenocid kundër Izraelit”, ka thënë ai për të përditshmen “Die Welt”.

“Agjitacioni kundër Izraelit dhe hebrenjve në ngjarjet kulturore gjermane është bërë një rregullsi alarmante”, ka thënë Josef Schuster, kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani. “Pres që përgjegjësit e politikës më në fund të japin qëndrime dhe pasoja të qarta për promovimin e kulturës. “Berlinale” mbështetet nga komisioneri i Qeverisë Federale për Kulturën dhe Shtetin e Berlinit.

Ndërkohë ministri i Kulturës në Berlin, Joe Chialo, ka thënë se ceremonia e ndarjes së çmimeve ishte “karakterizuar nga propaganda antiizraelite e vetëdrejtë”.

Claudia Roth, komisionerja federale për kulturën dhe median, ka thënë të hënën se do të ketë një hetim mbi kritikat në skenë të ofensivës së Izraelit ndaj Gazës gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

Roth ka thënë se hetimi synon të përcaktojë nëse “Berlinale” e përmbushi pretendimin e saj se ishte një vend për diversitet, perspektiva të ndryshme dhe dialog.

Roth ka thënë gjithashtu se donte të sqaronte “si mund të sigurohet në të ardhmen që ‘“Berlinale”’ të jetë një vend i lirë nga urrejtja, gjuha e urrejtjes, antisemitizmi, racizmi, armiqësia ndaj myslimanëve dhe të gjitha format e mizantropisë”. Por Roth dhe kryebashkiaku i Berlinit, Wegner, në një fotografi të tabloidit “Bild” përshkruan se kanë duartrokitur fjalët e Adras pasi regjisori palestinez mori çmimin e tij për “No Other Land”.

Të dielën në mbrëmje “Berlinale” u distancua nga deklaratat e kineastëve, duke theksuar se ato nuk pasqyronin pozicionin e festivalit, por gjithashtu vuri në dukje se shprehjet e mendimit në ngjarje kulturore mund dhe nuk duhet të parandalohen në parim.