Kulturë

“Ukraina: Një krim lufte“ në 50 imazhe sjell dramën e mbrojtjes së atdheut

Descriptive Text

Drama dhe përpjekjet e ukrainasve për të mbrojtur atdheun e tyre dhe demokracinë shpaloset në 50 imazhe fotografike në ekspozitën e hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë.

“Ukraina: Një krim lufte“, është titulli i ekspozitës që vjen në prag të dyvjetorit të agresioni rus në Ukrainë. Në vernisazhin e ekspozitës ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Eridana Çano, drejtoreshë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Svetlana Bachevanova, drejtoreshë ekzekutive e “FotoEvidence” si dhe kuratore e kësaj ekspozite, fotografët Christopher Occhicone, Oksana Parafeniuk, e të tjerë.

Kryeministri Rama ka kujtuar se kjo ekspozitë vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë.

“Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë ambasadorin e Ukrainës i cili është këtu bashkë me ne dhe patjetër dua të falënderoj ata që e morën përsipër këtë iniciativë dhe arritën që në një moment si ky t’i japin jetë”, ka thënë Rama në fillim të fjalës së tij, kanë raportuar mediat në Shqipëri. Ka vlerësuar faktin se ekspozita vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, një vizitë e cila është nga njëra anë një vizitë bilaterale, por nga ana tjetër është edhe një vizitë e cila do të kulmojë me një samit të vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën. “Në këtë samit do të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Evropës dhe ku presidenti Zelensky është bashkë me ne si bashkorganizator së bashku me mua për këtë aktivitet, që në kontekstin e sotëm ka sipas meje një rëndësi të posaçme”, ka thënë ai. Sipas tij, fjalët dhe përshkrimet për atë që ndodh në Ukrainë konsiderohen të tepërta sot, pasi ekspozita e përcjell përmes emocioneve të fotografive që ngjan si foto filmash.

Eridana Çano ka thënë në fjalën e saj se “ekspozita sjell pamje rrëqethëse e drithëruese që përçojnë dramën dhe përpjekjet e ukrainasve për të mbrojtur atdheun e tyre dhe demokracinë”.

“Këto dëshmi pamore sillen pa filtra e pa ndërhyrje, të vrazhda e të dhimbshme, të lënduara e përgjakura e ndoshta kjo ndihmon shikuesin të përfytyrojë dhimbjen e vërtetë të ngjarjes përtej lentës së ftohtë të aparatit fotografik njësoj si të ishim të gjithë aty duke përjetuar këtë plagë”, citohet të ketë thënë Çano.

Sipas saj, “ekspozita shoqërohet edhe nga libri me të njëjtin titull i botuar nga ‘FotoEvidence’ me dëshmi nga 93 fotoreporterë prej 29 vendeve të ndryshme, që paraqesin agresionin rus në Ukrainë”.

Drejtoresha ekzekutive e “FotoEvidence”, Svetlana Bachevanova, ka thënë se ekspozita rrjedh nga i njëjti libër prodhuar e botuar nga “FotoEvidence”.

“Libri ofron prova pamore të dhunës pa dallim dhe krimet e luftës të kryera nga rusët në tokën ukrainase. Ky libër është një deklaratë nga 93 fotoreporterë nga 29 vende që u bënë bashkë për të prezantuar dëshmitë e tyre në vetë të parë të pushtimit rus në Ukrainë nga këndvështrimi i tyre, që kanë detyrë ta dokumentojnë një gjë të tillë”, citohet të ketë thënë ajo, raportojnë mediat në Shqipëri.

“Ukraina një krim lufte” u botua për të shërbyer si një instrument i fuqishëm për mobilizim, si dhe një dokument historik.

“Rrëfen në fjalë dhe pamje histori intime të të mbijetuarve e të dëshmitarëve të masakrave duke dhënë një rrëfim që të lë pa frymë të shkatërrimit të luftës dhe pasojat mbi civilët ukrainas”, ka thënë Bachevanova.

Libri në vetvete përfshin mbi 360 fotografi dhe 30 dëshmi nga 93 fotoreporterë prej 29 vendesh të ndryshme, të cilët paraqesin dëshmitë nga këndvështrimi i atyre që do të dokumentojnë në vijim pushtimin rus të Ukrainës.

Imazhet dhe reportazhet sjellin momentet e konfliktit, katastrofën humanitare dhe hetimet e krimeve të luftës. Aty zbulohet jo vetëm zhvendosja e miliona njerëzve në një realitet drithërues, por edhe historitë e tmerrshme të shkatërrimit dhe viktimave, që do të mbeten gjatë në memorien kolektive të atij kombi, të cilat dalin në pah nga përvoja e terrenit në një zonë lufte, ku të parët që shkelnin territoret e çliruara ishin fotoreporterët e “FotoEvidence”.

Sipas përshkrimit “Ukraina: Një krim lufte” shërben si një dokument historik i vitit të parë të kësaj lufte. Në këtë libri rrëmohet thellë në lajmet për të treguar histori intime të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të mizorive.

Ekspozita dhe libri përfshijnë imazhe në të gjitha aspektet e luftës, nga e gjithë Ukraina, për të nxjerrë një përshkrim gjithëpërfshirës të shkatërrimit, numrin e civilëve viktima të luftës dhe krimet e kryera në tokën ukrainase.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 23 mars.