Konferenca ndërkombëtare “Kujtesa e së ardhmes, ruajtja e historisë pa dëshmitarë”, në kuadër të aktiviteteve për “Ditët e kujtesës”, ka theksuar nevojën e dokumentimit të së kaluarës, hapjen e arkivave që kapituj të errët historie të mos përsëriten. Duke nxitur inkurajimin që duhet t’i bëjë politika përballjes me të shkuarën, ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, ka thënë se mesazhi që jepet nëpërmjet aktiviteteve kushtuar së shkuarës komuniste, është “Kurrë më”. Por, në ngjarje si kjo, është rikujtuar edhe një tentativë e para një dekade për ngritjen e një shtatoreje të Enver Hoxhës.
Ambasadori Bergner ka thënë se krimet e regjimit komunist në Shqipëri nuk duhet të ndodhin më.
“Ndaj duhet të kujtojmë, të dimë çfarë ka ndodhur. Kjo bëhet me kërkime në arkiva, me dokumentim të asaj që ka ndodhur, por vetëm të dish nuk mjafton. Duhet të kuptojmë se si sistemi shtypës mundi të ekzistojë, duhet të kuptojmë se cilat vendime individuale i bëri a i lejoi të ndodhin. Duhet edhe të njohim e vlerësojmë vuajtjet e viktimave dhe të zhvillojmë empatinë. Kuraja e atyre që kundërshtuan dhe paguan një çmim të lartë, dhe për këtë duhet mirënjohje”, ka thënë Bergner, kanë raportuar mediat në Shqipëri të martën.
Jonila Godole, drejtoreshë ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, ka thënë se ka disa sfida në dokumentimin e periudhës komuniste. “Duhen bërë publike ato që kanë ndodhur. Shifrat nuk janë të sakta mbi njerëzit e zhdukur, viktimat, të të internuarit. Mund të kemi nesër një histori pa dëshmitarë, pa vende kujtese, sepse vendet e kujtesës po rrënohen. Dhe mund ketë një narrativë të ndryshme nga kjo që ka ndodhur”, ka thënë Godole.
Por në të shkuarën ka pasur disa perceptime të administratës, veçmas asaj lokale.
Thomas Schrapel, ish-drejtor i fondacionit “Konrad Adenaur”, ka qenë ai që ka rikujtuar çështjen e shtatores së diktatorit Enver Hoxha. Sipas tij, në vitet 2013-2014 ka folur me përfaqësues të niveleve të larta politike dhe ka treguar një skenë jo pak absurde.
“Atëherë thoshin se donin të ngrinin një statujë të Enver Hoxhës në Tiranë. Do të shkruanin një tekst që kjo po bëhej për shkaqe pragmatike, sepse po të kemi një statujë të Enver Hoxhës do të vijnë shumë turistë në Tiranë, ndoshta vijnë kinezët dhe ata sjellin para”, ka kujtuar ai.
Në konferencë u paraqitën disa përvoja nga vendet e Lindjes sa i takon përballjes me të shkuarën.
Një ditë më parë Lekë Tasi, violonçelist dhe piktori që përfundoi i internuar në Lushnjë, kishte thënë se e sheh shqetësuese mungesën e vëmendjes dhe botimin e dëshmive mbi të shkuarën.
“Një neglizhencë e pajustifikuar dhe e padrejtë, ndofta dhe qëllimisht. Eksperienca historike e dokumentuar tregon se lufta nuk ka pushuar asnjëherë”, ka thënë Tasi (95)
Me praninë e ambasadorit gjerman, ambasadores së Zvicrës, atij të Austrisë dhe ish të përndjekurve politikë, “Ditët e kujtesës” vijuan me shfaqjen e një dokumentari për Stalinin, ndërsa deri më 26 shkurt promovime, filma, debate dhe performanca do të sjellin në vëmendje ngjarje e personazhe të historisë së trishtë të Shqipërisë.