Kulturë

“Goca e Kaçanikut” në ndërtim të mozaikut unik

Janë bërë më shumë se 10 ditë prej kur Opera e Kosovës ka nisur punën për ta inskenuar operën e parë kosovare “Goca e Kaçanikut” të kompozitorit Rauf Dhomi. Me në krye regjisorin e shquar, Nikolin Gurakuqi, dhe dirigjent Edon Ramadanin, vepra e parë e këtij lloji në historinë e Kosovës vjen mbi gjysmë shekulli pas, prej kur është kompozuar. Trupa e përkohshme e Operës aktualisht po punon për t’i dhënë formë veprës madhore

Opera e Kosovës do t’i shfaqë publikut rrëfimin e dytë operistik, 14 muaj prej inskenimit të operës “La Traviata” të Verdit, me të cilin institucioni debutoi. Shënon tjetër histori. E inskenon operën e parë kosovare – “Goca e Kaçanikut” të kompozitorit e akademikut, Rauf Dhomi. Me në krye regjisorin e shquar, Nikolin Gurakuqi, dhe dirigjent Edon Ramadanin, vepra e parë e këtij lloji në historinë e Kosovës vjen mbi gjysmë shekulli pas, prej kur është kompozuar. Trupa e përkohshme e Operës aktualisht po punon për t’i dhënë formë veprës madhore.

Pafika, që është simbol i gruas shqiptare në operë, i jep një goditje në kokë Rus Bashit, tradhtar i kombit. Derisa ky i fundit ngrihet shpejt në këmbë, merr goditje të dyfishtë, fatale. Dy “plumba” i përshkojnë trupin. Bie përtokë. Një zë dëgjohet nga ana tjetër e sallës. Është Trimori tek hedh hapat drejt gruas që dashuron.

Një zë festiv buçet. Dhjetëra anëtarë të Korit njëzëri sjellin harmoninë e frymën e lirisë. Ndërkohë, pranë Rus Bashit si karakter për tradhtinë formohet një rend njerëzish. Janë tradhtarë. Pjesa tjetër i këndojnë lirisë e dashurisë.

Kjo është veç një skenë e aktit të tretë të operës “Goca e Kaçanikut”. Mozaiku me lëvizjet skenike e partiturat muzikale e dramaturgjike të “Gocës...” po ndërtohet. Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë trupa po punon intensivisht kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në premierë. 53 vjet pas, opera vjen si ngjarje historike për artin e kulturën dhe vendin në përgjithësi.

Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë ishte inskenuar në vitin 1979 si produksion i plotë. Por në Kosovë, një vit më herët ishte shfaqur në formë koncertale dhe me partitura të shkurtuara. Ishte prezantuar me rastin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nën dirigjimin e kompozitorit e dirigjentit të shquar i muzikës shqiptare, Mark Kaçinari.

Autori i operës “Goca e Kaçanikut”, kompozitori e akademiku Rauf Dhomi, ka thënë se është befasuar kur ka parë provat e Operës.

“Më befasuan Kori dhe solistët, duke filluar nga sopranoja Adelina Paloja e të tjerët, ishin të nivelit evropian. Kori ishin të gjithë të rinj, por me tingëllimë shumë korale dhe skenike. Besoj se premiera do të jetë shumë e suksesshme mbi bazën e asaj tablo të vogël që e pashë, një provë e zakonshme. Lëvizjet skenike nuk ishin ende të definuara, pasi ishte prova e parë e aktit të tretë”, ka thënë Dhomi derisa e ka vlerësuar edhe punën regjisoriale e muzikore.

“Më befasoi koncepti regjisorial dhe dirigjenti që e kishte konceptuar dhe lexuar partiturën ashtu siç duhet, duke e treguar nivelin e tij të lartë”, ka thënë profesor Rauf Dhomi, autor i operave, meshave, kantatave, muzikës simfonike, partiturave filmike dhe muzikës teatrore.

Me këtë vepër premierë, regjisori Nikolin Gurakuqi, i cili për veprimtarinë e tij është dëshmuar me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Naim Frashëri i Artë”, ka thënë se me gjithë kushtet, ka vullnet, pasion, dëshirë e organizim. Ka treguar se ka më shumë se 10 ditë që po bëjnë prova. “Gocën...” e ka konsideruar ngjarje historike për vendin.

“Është operë kombëtare. Është ngjarje historike, për dallim nga ‘Traviata’ që është luajtur në gjithë botën. ‘Goca e Kaçanikut’ është luajtur në Tiranë në vitin 1979, në Kosovë tash për herë të parë. Është premierë absolute. Një vepër kombëtare që i bën nder Kosovës. Është një vepër e bukur, interesante, më pëlqen shumë. Kam qenë edhe në shfaqjen e vitit ’79. Kur më ftuan këtu, e pranova me shumë kënaqësi. Edhe pse e njoh veprën, edhe pse është vepër kombëtare”, ka thënë regjisori Gurakuqi. Ka thënë se vepra është dëshmuar për madhështinë e saj.

“Është vepër që e ka thënë fjalën e vet. Me muzikë të bukur, qëndron për nga ana dramaturgjike dhe është pjesë e kulturës muzikore dhe skenike e Kosovës. Është identitet kombëtar. Është shumë e rëndësishme të zhvillohet opera vendore që të sillen sa më shumë, të shkruajnë autorët”, është shprehur regjisori i mbi 80 produksioneve operistike vendore e botërore.

Ai e filloi aktivitetin e tij në Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në vitin 1979, fillimisht si korist e më pas si solist, ku realizoi një sërë rolesh të ndryshme. Pas specializimit në Francë në vitin 1992-1993, iu dedikua tërësisht regjisë në opera. Është autor i shumë veprave të vëna në skenën e TKOB, të Universitetit të Arteve, të disa qyteteve në Shqipëri dhe jashtë saj. Ka realizuar skenografinë e shumë shfaqjeve operistike si dhe ka bashkëpunuar me artistë të shquar shqiptarë dhe të huaj.

Regjisori Gurakuqi e ka theksuar mungesën e teatrit dhe trupës rezidente.

“Kjo hapësirë është e mirë, puna është se nuk ka teatër. Problemi është se nuk kemi teatër. Shpresoj të bëhet, që gjithë këta të rinj të kenë një institucion ku të punësohen. Të krijohet një trupë kori e orkestre stabile. Të krijohet edhe një trupë me solistë, sepse e shoh se bëjnë koncerte recitale, por jo për të bërë një operë”, ka thënë ai duke u shprehur se sheh një brez të ri që e do profesionin. Ka thënë se duhet punuar vazhdimisht në inskenimin e operave.

“Një teatër e rrit repertori. Jo të bëjmë një operë tash dhe pas një viti një tjetër. Ftohet hallva pastaj, ajo hahet sa është e nxehtë”, ka thënë regjisori Nikolin Gurakuqi në pauzën provash.

Dirigjenti Edon Ramadani ka vlerësuar se ky projekt është më i vështirë se ai paraprak.

“Është një projekt pak më i vështirë dhe më i veçantë se projektet e kaluara të operës për faktin se po përgatisim premierën e shfaqjes së operës së parë të shkruar në Kosovë. Është hera e parë që shfaqet në formë skenike. Ka pasur disa shfaqje në formë koncertale, por kjo është e parë në këtë formë”, ka thënë dirigjenti Ramadani.

Inskenimi i “Gocës së Kaçanikut” në një formë i kontribuon edhe konservimit të veprës. Dirigjenti Ramadani ka thënë se i është dashur të merret me korrigjimin e partiturave.

“Kemi pasur pak probleme me botimin e partiturave pasi kanë pasur probleme përbrenda dhe ndërkohë, është dashur të merremi me korrigjimin e komplet partiturës, sidomos asaj orkestrale”, ka thënë Ramadani duke theksuar rëndësinë që vepra të shfaqet origjinale edhe për shfaqjet më pas.

“Po bëhet fjalë për operën e parë kosovare prandaj duhet të jetë gjithçka në rregull. Pos se do të shfrytëzohet për këtë shfaqje do të mbetet për ato të radhës. Është sfiduese pasi është produksion i ri, do të jepet për herë të parë dhe në aspektin muzikor e regjisorial dihet se është më e vështirë sesa ato që janë inskenuar me qindra herë”, ka thënë ai.

“Goca...” do ta ketë premierën më 23 shkurt, ndërsa dy ditë më pas do të jepet reprizë. Në kuadër të programit “Arti në shkolla”, nxënësit e shkollave fillore dhe studentët e universiteteve publike e private të të gjithë vendit do të jenë publik në dy prova gjenerale. Në mungesë të kushteve, për produksion të tillë madhor, opera do të jepet premierë në sallë private në periferi të Prishtinës. Njashtu edhe provat gjenerale dhe repriza.

Shfaqja që premiera i ishte planifikuar në fund të vitit të kaluar, ishte shtyrë për në shkurt për shkak të zgjatjes së kohës së rinovimeve në sallën “1 Tetori”. Renovimet janë shtyrë prapë.

Zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se ajo hapësirë ishte më e përshtatshmja për një projekt të tillë.

“Atje ishin kushtet më të mira edhe për ‘Traviatan’ dhe ne e shtymë sepse nuk u fut në renovim salla 1 tetori. Por që kontraktori nuk e ka kryer punën ashtu si ka qenë e planifikuar dhe e ka shtyrë deri në muajin mars. Ne nuk deshëm ta shtyjmë shfaqjen për të dytën herë. Ka zgjidhje gjithmonë”, ka thënë Ferizi.

E ka konsideruar obligim inskenimin e veprave kombëtare.

“Për ne është edhe obligim si institucion për veprat kombëtare që t’i inskenojmë, por edhe përgjegjësi e madhe që pas asaj kohe, krahas atyre ikonave të këndimit, tash ta marrin përgjegjësi solistët e rinj. Jemi me fat që e kemi një regjisor me përvojë shumë të madhe, kjo është premiera e 80-të e tij me ketë vepër. Është prodhim komplet vendor me gjithë pjesët përcjellëse që ta kemi një produkt tonin dhe ta shëtisim në vendet e rajonit si në Shqipëri e Maqedoni. Pse jo më vonë edhe në skenën ndërkombëtare”, ka thënë derisa ka folur për operën “Goca...”.

Në këtë vepër bëhet fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë në fund.

Trimorin do ta luajë Ismet Vejseli nga Maqedonia e Veriut , në rolin e Plakës do të jenë Besjana Mehmeti, po ashtu nga Maqedonia e Veriut dhe Teuta Kurti. Plakun e luan Hektor Leka nga Shqipëria ndërsa Rus Bashin, Harris Bajraktari.

Rolin kryesor, atë të gocës së Kaçaniku, Pafikën, e ka përsipër sopranoja Adelina Paloja. Ka thënë se ndihet e privilegjuar që i është dhënë roli.

“Jam jashtëzakonisht e nderuar, krenare dhe me përgjegjësi shumë të madhe ta interpretoj rolin titullar të ‘Gocës së Kaçanikut’ – Pafikën – e cila do të vihet në skenë pas 53 vjetësh qysh nga krijimi i saj nga kompozitori Rauf Dhomi. Është një vlerë, shtylla kryesore për operën kosovare dhe jam më se e lumtur që më në fund po piqen kushtet për ta vënë në skenë”, ka thënë sopranoja Paloja.

Ka bërë të ditur se ajo në skenë do ta personifikojë figurën e gruas shqiptare si heroinë vetëflijuese ndër vite.

“Roli i Pafikës është roli që personalizon figurën e gruas shqiptare, e cila historikisht ka qenë dhe mbetet heroinë vetëflijuese dhe sakrifikim për një të ardhme më të ndritur për gjithë kombin. Me krenari shumë të madhe po e punoj dhe do ta vëmë në skenë më në fund. Është moment historik jo vetëm për artin e kulturën, por edhe për vetë Kosovën”, ka thënë Adelina Paloja.

Në dhjetor të 2022-s, Opera e Kosovës kishte bërë histori duke inskenuar operën e parë, “La Traviata-n” e italianit Giuseppe Verdi. Por tash historia ka tjetër dimension. Atë të operës së parë të Kosovës.