Kulturë

Demolli, shkrimtari që motivoi pasurimin e letërsisë bashkëkohore shqipe

Prishtinë, 7 mars - Letërsia bashkëkohore shqipe ka humbur njërin prej shkrimtarëve që motivoi pasurimin e saj me forma e modele të reja.

Poeti e prozatori Arif Demolli ka vdekur të hënën, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai ishte 68 vjeç. I vlerësuar me disa çmime, Demolli, sipas kolegëve të tij, ishte njëri prej më kontributdhënësve edhe në letërsinë për fëmijë.

Varrimi i Demollit do të bëhet sot, në orën 12:00.

I lindur më 2 maj 1949 në Gllogovicë të Prishtinës, mësimet e para i mori në vendlindje, kurse në Prishtinë mbaroi Shkollën e mesme Normale dhe studimet në Fakultetin Filozofik, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Pos në arsim, punoi në revistën “Bota e re”, në Televizionin e Prishtinës, në revistat “Fjala”, “Pionieri” dhe në kohën e fundit si zyrtar në Ministrinë e Arsimit. Tregimet e tij janë përfshirë në panorama dhe në antologji të ndryshme të prozatorëve shqiptarë. Librat “Ballkonet e një qyteze” dhe “Pëllumbat e kujtimeve” i janë ribotuar edhe në Tiranë. Më 1981 u burgos dhe u dënua me dy vjet burgim, kurse deri më 1990 mbeti pa punë dhe pa të drejtë botimi të veprave.

Për romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” mori çmimin “Pjetër Bogdani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse për librin “Pse gjirafa ka qafë të gjatë” mori çmimin letrar “Vehbi Kikaj”. Është autor dhe bashkautor edhe i disa librave të leximit. Duke u bazuar në krijimtarinë letrare, e cila përbëhet nga romane, përmbledhje tregimesh e poezish, shkrimtari Arif Demolli në shkurt të vitit të kaluar u nderua me çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli”, që e ndan Ministria e Kulturës.

Asokohe juria në përbërje të Anton Berishajt, kryetar, dhe anëtarëve Musa Ramadani, Nerimane Kamberi, Xhevat Syla dhe Agron Gashi, e kishte arsyetuar këtë çmim duke thënë se Demolli është autor i mbi 30 veprave letrare për fëmijë e të rritur, përfshirë prozën, poezinë, librat shkollorë, deri te rikrijimi i formave të tjera letrare.

“Vepra e tij letrare që nga vitet ’70 e këndej ka qenë ndër më të lexuarat dhe ka motivuar që letërsia bashkëkohore shqipe të pasurohet me laramani formash e modelesh, teknikash të rrëfimit letrar, duke ndërthurur më mirë se kudo faktin me fiksionin”, shkruhej në arsyetimin e jurisë. Krijimtaria e tij përshkruhej si e lidhur fort me sprovat individuale dhe kolektive, një univers i jetës brenda të cilit funksionojnë kode personale, nacionale biblike dhe orale.

Vetë Demolli asokohe kishte thënë se ky çmim do të jetë motiv për veprat e ardhshme.
“Vetë formulimi për vepër jetësore, pak më tingëllon si trishtueshëm, sikur erdha te një pikë, sikur ka marrë fund gjithçka. Mirëpo unë besoj, kam dëshirë, dhe uroj të gjithë ata që e kanë fituar këtë çmim dhe do ta marrin, që kjo pikë të bëhet presje, dhe jeta të na vazhdojë dhe të krijojmë diçka të re”, kishte thënë ai.

Shkrimtari Xhevat Syla e ka përshkruar Demollin si njërin prej shkrimtarëve më të mirë që ka vazhduar të kontribuojë në letërsi, duke vazhduar aty ku e lanë Agim Deva, Gani Xhafolli e të tjerë.

“Ishte pa dyshim më i miri prej atyre që kishin ngelur. Është shquar posaçërisht në prozë, si në atë për fëmijë edhe në atë për të rritur. Opusi i krijimtarisë së tij është mjaft i gjerë”, ka thënë Syla.

Sipas tij, Demolli ishte shkrimtar i pëlqyer nga fëmijët sidomos me veprën “Lushi si askushI”.

“I njohur dhe i pëlqyer nga fëmijët edhe për romanët e tjerë për fëmijë si ‘Lulevera dhe deti’, ‘Njeriu i blertë’ e ‘Kuçedra qyqare’”, ka thënë Syla. Demollin e ka përshkruar si një shkrimtar me talent të madh dhe shumë produktiv. “Veprën e tij letrare e karakterizon posaçërisht gjuha e pasur dhe e pastër shqipe dhe arti i shprehjes”, ka thënë ai.

Shkrimtari Ibrahim Kadriu ka thënë se të hënën, pasi kishte biseduar me kolegë që ta vizitonin Demollin në spital, mori njoftimin për vdekjen e tij. “U ndjeva shumë keq, të them të drejtën, sepse jo vetëm që vdiq një mik i ngushtë, por vdiq një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Kur e them këtë, mendjen e kam te veprat e tij, që kanë larushi temash, te veprat për fëmijë dhe te veprat për të rritur, të cilat përshkohen me një origjinalitet shprehjesh, me një humor e sarkazëm, dhe pikërisht për këtë shkak Arif Demolli ishte i veçantë, dhe na ka lënë vepra që do t’i qëndrojnë kohës”, ka thënë Kadriu. Ka nënvizuar se veprat e Demollit, pos në gjuhën shqipe, flasin edhe në gjermanisht, duke i ofruar opinionit gjerman një ambient autokton me një traditë që në kohën e sotme ka mbetur si relikt.

“Ai ishte një shkrimtar i drejtpërdrejtë, i cili e përcillte letërsinë, dhe e vlerësonte atë në mënyrën më origjinale, duke ia thënë autorit edhe vlerat, edhe jovlerat. Ishte një shkrimtar me të cilin viteve të fundit ishim bashkë në karvanin e shkrimtarëve ‘Agim Deva’, ku vizituam shumë ambiente të Kosovës para nxënësve të cilët e prisnin jashtëzakonisht mirë. Sapo ngrihej në këmbë të lexonte, nxënësit ia kujtonin romanin ‘Lushi si askushi’, domethënë ishte gjithkund i njohur dhe i pranuar”, ka thënë Kadriu.

Një mbledhje komemorative është paralajmëruar të mbahet sot (e martë) në orën 11:00 në bibliotekën e qytet “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, përderisa varrimi i Demollit do të bëhet në orën 12:00... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.