Kulturë

Mirush Kabashi – emblemë e aktrimit, idealist i artit

Mirush Kabashi (1948-2023)
 

Mirush Kabashi me recitimet e tij të poezive ka hyrë në çdo shtëpi shqiptare. Në njëfarë forme studiot televizive i shndërronte në skenë të monodramave. Nëpërmjet tyre përcillte porosi idealiste. Përtej kësaj, në karrierën mbi gjysmëshekullore në film e teatër do të bëhej një prej aktorëve më të pëlqyer, sidomos në komedi. Kolegë e miq vdekjen e tij e kanë përshkruar si një humbje të madhe për artin shqiptar. Trashëgimia e Kabashit është parë si peshërëndë, përderisa porositë e tij nëpërmjet artit si mesazhe të një artisti emblematik

Shqipëria e vitit 1997 bëri jehonë gati sa më 1991, kur u shemb komunizmi. Por në fund të shekullit të kaluar jehona qe për keq. Shteti përballej me një luftë civile, ku bandat kishin marrë nën kontroll shumë rajone. Por nëpërmjet artit, një aktor emblematik do të bëhej lajm ndërkombëtar për talentin dhe përkushtimin e tij. Asokohe “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis do të nxirrte në pah midis një mijë aktorësh Mirush Kabashin.

Monodrama në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të Teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit i kishte sjellë aktorit “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm. Qe një lajm suksesi në një prej viteve më të trishta të shqiptarëve. I trishtë qe edhe lajmi i së martës, kur u kumtua se Mirush Kabashi vdiq. Ai ishte 75 vjeç. Kumti është dhënë nga familja. Me një karrierë mbi gjysmë shekulli, vdekja e Kabashit është parë si humbje e madhe për artin e kulturën shqiptare.