Kulturë

“Rock për Rock” në edicionin e 22-të si skenë e muzikantëve të rinj

I përbërë nga djelmoshat Art Agani në bas, Art Bekolli në vokal e kitarë, Robert Pira në kitarë e Zog Berisha në bateri “Pathogen” premton shumë duke u nisur nga entuziazmi e muzika e tyre
 

Festivali “Rock për Rock”, një pikë referimi për entuziastët e rockut në Kosovë, transformoi me të 22-tin edicion hapësirat e teatrit ODA në një realitet euforik, ku valët e tingujve të kitarave elektrike, perkusioneve e vokalit përplaseshin me energjinë e adhuruesve të rockut.

Një ambient i mbuluar nga tymi i dendur skenik me nota të aromës së birrës në atmosferë, u bë një hapësirë e denjë për entuziastët e vërtetë të rockut në Prishtinë. Me ndriçim pulsues të zhytur në terrin e muzikës rock, vëreheshin vetëm siluetat e muzikantëve në skenë dhe turma që vallëzonin frenetikisht duke shijuar tingujt e bendeve pjesëmarrëse për këtë edicion. Grupi nga Ferizaj, "7me7" qe overtura e këtij edicioni përmes një rikthimi simbolik në këtë Festival, në edicionin e parë të të cilit kishin qenë ata vetë si djelmosha të rinj që e kishin hapur, ndërkaq tani u rikthyen si një bend i etabluar në skenën e rock muzikës në Kosovë, me vite eksperiencë mbi supe.