Kulturë

Liria dhe improvizimi provojnë se në art nuk ka gabime

Për këtë sesion larg nga i zakonshmi dhoma në objektin e dikurshëm të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” është shndërruar në hapësirë ​​intime me jastëkë të shpërndarë nëpër dysheme, ndriçim të zbehtë, duke krijuar një mjedis ndryshe që fton audiencën të përfshihet nga afër me spektaklin e shpalosur. Aty shemben mure (Foto: Flamur Qorolli / Qendra për Praktikë Narrative)
 

Performanca “Was bleibt kollektiv | Gentian Doda” dhe Ilir Bajri erdhën si shfaqje eksperimentale lëvizjesh, tingujsh dhe imazhesh teksa e shndërroi Qendrën për Praktikë Narrative në hapësirë ​​intime për eksplorim unik e individual të shprehjes artistike. Në këtë sferë spontaniteti publiku nisi një rrugëtim të udhëhequr nga notat e Ilir Bajrit, shoqëruar nga lëvizjet e Rosella Pellicciottit dhe Fjorald Docit, nën udhëheqjen artistike të Gentian Dodës. Shfaqja nuk shemb vetëm konceptin e artit, por edhe atë të vetë njeriut. Një performancë si kjo, ndër të tjera, dëshmon se në art s’ka gabime

Rruga për te Qendra për Praktikë Narrative e mbështjellë me gumëzhimën e kryeqytetit në mbrëmjen e fundit të nëntorit i jep peshë edhe më tepër përditshmërisë, rëndomësisë bashkë me të. E në hyrjen e objektit të ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, i mbrojtur si monument, bëhet shkëputja nga krejt ky përjetim gati i mësuar përmendësh. Aty atmosfera është ngarkuar me elektricitetin e spontanitetit. “Was bleibt kollektiv | Gentian Doda” dhe Ilir Bajri janë aty për ta orkestruar një mbrëmje me ndërthurje lëvizjesh, tingujsh dhe imazhesh e për të shpalosur një përvojë eksperimentale të krijimtarisë që kapërceu kufijtë e artit konvencional.

Për këtë sesion larg nga e zakonshmja, dhoma është shndërruar në hapësirë ​​intime me jastëkë të shpërndarë nëpër dysheme, ndriçim të zbehtë, duke krijuar një mjedis ndryshe që ftoi audiencën të përfshihej nga afër me spektaklin e shpalosur.