Kulturë

Elbenita Kajtazi në tregim mallëngjimi e perfeksioni muzikor në Kosovë

Kur Elbenita Kajtazi kaloi nga biseda në këngë, u bë e qartë se zëri i saj ka fuqinë për ta transportuar audiencën në një fushë tjetër. Notat hapëse të “Allerseelen” nga Richard Strauss, i dhanë tonin një mbrëmjeje me shkëlqim muzikor
 

Mbrëmja me sopranon e shquar, Elbenita Kajtazi, ka qenë lloj bashkëbisedimi intim ku ajo shfaq mallëngjimin për vendlindjen ku rikthimi përherë jep ndjesi tjetër prej skenave botërore ku ka interpretuar. Pos interpretimit, publikut i ka rrëfyer copëza nga rrugëtimi i saj, e krejt mbrëmja ka qenë një udhëtim frymëzues në ndjekjen e ëndrrave. “Është dallim me botën, sepse këtu ndiej unë shumë dashuri për publikun dhe e marr atë dashuri”, ka thënë Kajtazi, të cilën edhe vitin që vjen e presin skena të tjera botërore. Njëra prej tyre – Opera e Vjenës

Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës – një skenë me jo fort kushte as për shfaqje madhore – ka pasur tjetër peshë me sopranon shqiptare e njohur botërisht, Elbenita Kajtazi. Mbrëmja jo vetëm që shfaqi aftësitë vokale të pamohueshme të Kajtazit, por gjithashtu dha një vështrim në udhëtimin frymëzues që e çoi atë nga ëndrrat e mëdha që kishte si studente në Kosovë deri te madhështia e skenave më prestigjioze të botës. Opera e Vjenës është një tjetër ëndërr e saj e cila realizohet vitin që vjen. Ka ardhur në edicionin e gjashtë të ngjarjes “Ta zbardhi ftyrën”, organizuar prej “KultPlusit” të hënën mbrëma.

Përpara se notat e performancës së saj të jehonin nëpër ambient, Kajtazi u fut në një bashkëbisedim të sinqertë dhe të përzemërt me publikun. Me një përzierje ndershmërie dhe humori, ajo ndau detajet e jetës së saj, duke ofruar një pasqyrë të rrallë në sfidat dhe triumfet që kanë formësuar karrierën e saj muzikore. Publiku, i mahnitur nga sinqeriteti i saj, u përgjigj me të qeshura dhe duartrokitje të gjata, duke krijuar një lidhje intime që do të përgatiste terrenin për një mbrëmje të tillë.