Kulturë

“Motrat tona” përgjak pikturën e 1883-ës në thirrjen kundër dhunës

Descriptive Text

E frymëzuar nga piktura “Motra Tone” e Kolë Idromenës, me “Motrat tona” Ms.Indefinite e ka rikthyer portretin duke e avancuar atë në formatin e fotografisë lëvizëse. Janë pesë video-instalacione në të cilat ajo imiton dukjen e personazhit të kryeveprës shqiptare. Shfaqet me veshje e qëndrim të njëjtë si “Motra Tone”. Në njërën portreti i vetë artistes ngadalë bëhet skelet. Pranë është portreti i saj me veshje e fytyrë të gjakosur. Aty janë edhe plagët e saj. Por ekspozita nuk përfundon me kaq

“Motrat tona” s’është vetëm ekspozitë e performancë. As elementet e saj s’janë vetëm vepra arti. Në tërësi është urgjencë për fatin e vajzës e gruas. Pasqyrim i dhunës e vrasjes me të cilën shikuesi përballet e sfidohet. Bazuar në veprën e parë realiste shqiptare realizuar fiks 140 vjet më parë – ikoniken “Motra Tone” të Kolë Idromenos – ekspozita e artistes Ms.Indefinite sjell prapaskenat e ngjarjeve të trishta. Është thirrje për ndërgjegjësim dhe një lloj eksperimenti se sa kanë rol veprimet e secilit.

Prej krejt veprave, janë dy instalacione që e vënë secilin në pozicion tjetër. Dy pasqyra të varura në mur të vendosura në korniza të fotografisë, poshtë së cilës janë qirinj të kuq të ndezur, sfidojnë dhe e vënë në mëdyshje fatin e vështruesve. Që në dukje ngjan e frikshme. Secili mund ta shohë veten aty, qoftë edhe pa dashur. Po ky qe veç një shembull.

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës vepra jehon që në hyrje. Audio- instalacioni i artistes Saranda Sadikaj vjen poetike. Në tekstin ku thuhet “unë, ti, ajo, vajzë, grua/ Ne, ju, ato, motrat tona”, përjashtohet gjinia e kundërt. Kombinohet me tinguj të violinës e të pianos dhe vokal minimalist. Ajo e përcjell përjetimin e ekspozitës e performancës dhe e përforcon kuptimin e saj. Poezia është edhe formë e artit të Sadikajt.

“Poezia është njëra nga format e artit me të cilat unë realizoj artin tim performues. Tri të tjerat janë muzika, koreografia dhe aktrimi. Pjesa e poezisë, për t’u ndërlidhur me konceptin e ekspozitës ‘Motrat tona’ është përdorur veta e parë, veta e dytë dhe duke u kuptimësuar në motrat tona, vajzë, grua”, ka thënë artistja.

Kur ekspozitës i është prerë shiriti, në njërën dhomë në katin e sipërm të Muzeut Kombëtar, ku zakonisht organizohen ngjarje të tilla, publikut i është hapur rruga me njoftimin e artit të artistes Ms. Indefinite. Ajo është shfaqur shpejt. Kanë qenë pesë pasqyra në dysheme të cilat i ka marrë rend e rend dhe në to ka hedhur ngjyrë.

Anash saj ka qenë e projektuar në mur tabloja “Motra Tone” e Kolë Idromenos. Trëndafili është brusha e saj. Në paletën në formë prej zemre vendos pasqyrën. Me lule vë ngjyrën e kuqe derisa hedh shikimin te tabloja. Kur njërën e lëshon, tjetrën e merr dhe vë ngjyrat aty. Nuk i përafrohet aspak një portreti. Me këtë ngjan se ajo nuk bindet për ta bërë atë që ka ndodhur dikur. Sikur hap një tjetër kapitull që vjen me artin e saj.

Image
“Motra Tone” e projektuar në mur, vështron pasqyrat e përgjakura me trëndafil nga Ms. Indefinite

Nga një lule “të përgjakur” e ka vënë pranë secilës pasqyrë të pikturuar. Bënte nga një homazh për secilën derisa ajo pikturonte e qante. Tepihu shtruar me elemente kombëtare i jep tjetër konotacion. Atë të paragjykimeve e patriarkatit në shoqëri. Krejt ato kanë simbolikat me të cilat ndërtohet komplet rrëfimi i performancës.

“Është pasqyrim i vrasjeve të grave, pasqyrim i femicidit, plagëve që femicidi dhe mentaliteti shtypës patriarkal që ushtron te gratë. Ngjyra e kuqe është simbolikë e gjakut, e cila, siç e patë edhe te performanca gjaku përdoret prej zemrës, sepse prej aty nis ndërlidhja emocionale dhe gjithçka ndihet shumë dhimbshëm prej zemrës”, ka shpjeguar artistja Saranda Sadikaj.

E frymëzuar nga piktura “Motra Tone”, me “Motrat tona” e ka rikthyer portretin duke e avancuar atë në formatin e fotografisë lëvizëse. Janë pesë video-instalacione në të cilat ajo imiton dukjen e personazhit të kryeveprës shqiptare. Shfaqet me veshje e qëndrim të njëjtë si “Motra Tone”. Në njërën, portreti i Sadikajt shkon e ngadalë bëhet skelet. Tjetri pranë është portreti i saj me veshje e fytyrë të gjakosur. Aty janë edhe plagët e saj.

Pozita në pikturën “Motra Tone” ku ajo pikturohet duke mbajtur cepin e shamisë pranë fytyrës, e sjell Sadikajn në fakt duke fshirë gjakun që i rrjedh. Sytë e saj janë të mavijosur. Mbi të gjitha janë plagët brenda saj që shprehen me lot e gjak. Janë ekrane në korniza që i bëjnë ato edhe më artistike dhe zbërthejnë më të kuptueshëm konceptin e idenë e artistes. Qëllimi i punës së saj është sensibilizimi i publikut.

“Ditëve të sotme është me rëndësi që dhuna të mos fshihet brenda mureve të shtëpisë, mundemi me e raportu. Mund të gjejmë mbështetje, nëse jo tek burrat, partnerët. Janë ata që ushtrojnë dhunë sistematike, duke mos anashkaluar edhe institucionet. Gratë dhe vajzat duhet të gjejnë krah te njëra-tjetra. Siç quhet edhe ekspozita, gjithsecila jashtë meje është motër e imja”, ka thënë artistja Sadikaj me emrin artistik Ms. Indefinite. Ajo u diplomua në Universitetin Amerikan në Kosovë në shkenca dhe arte të aplikuara dhe vazhdon studimet për sociologji në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës.

Tabloja “Motra Tone” e Kolë Idromenos konsiderohet si një prej kryeveprave të artit shqiptar. Idromeno portretizoi portretin e motrës së vet, Tones. Historia e këtij portreti është treguar nga vetë piktori shumë herë në kohën sa ai ishte gjallë. Motra Tone ishte e vetmja motër e piktorit, një vit më e madhe në moshë. Ishte 24-vjeçare kur pozoi për këtë portret. Bashkëshorti i saj, Andrea Shkanjeti, i kishte kërkuar që ajo të vishej me kostumin “ala franga”, në një kohë që gjithë pajën e saj ajo e kishte me kostumet popullore shkodrane. Edhe martesën Tonia e kishte bërë me këtë kostum popullor. Ajo ia plotësoi dëshirën të shoqit, megjithatë, dëshira e saj ishte të vishej si shoqet e tjera me veshjen popullore. Duke e kuptuar këtë dëshirë të madhe të motrës së vet për kostumin popullor, Kolë Idromeno, në janar të vitit 1883, mendoi t'i realizonte një portret me veshjen që dëshironte ajo. Për afro një javë motra Tone, e veshur me kostumin kombëtar, pozoi në familjen e babait të saj dhe portreti më vonë qe përfunduar me sukses. Vepra tani ruhet në Muzeun e Louvreit në Paris.

Image
Pasqyrat e varura në mur të vendosura në korniza të fotografisë, poshtë së cilës janë qirinj të kuq të ndezur, sfidojnë dhe e vënë në mëdyshje fatin e tyre e të atij që i del përballë

Punën me ekspozitën “Motrat tona”, autorja e saj, Saranda Sadikaj, e ka konsideruar si motërzim të kësaj vepre.

“Kam përzgjedhur që Motra Tone të ringjallet nën dukjen time dhe në të njëjtën kohë ajo duke u trupëzuar nën petkun e aspektit kombëtar, por në të njëjtën kohë me bashkëkohoren. Ekspozita ‘Motrat Tona’ motërzohet me Motrën Tone dhe pikërisht arsyeja pse është përzgjedhur është se ajo ka qenë një grua, e pikturuar nga Kolë Idromeno, ndërsa unë e kam sjellë në formë të re si ‘Motrat tona’. Ne flasim për motrat tona, për gratë dhe vajzat shqiptare të cilat kalojnë sistematikisht në dhuna të ndryshme në forma e trajta të ndryshme të dhunës”, ka thënë artistja Sadikaj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës deri më 4 dhjetor.

Drejtoresha e këtij institucioni, Vjollca Aliu, ka thënë se mesazhi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kësisoj Muzeu e ka konsideruar me vlerë për t’u hapur në hapësirat e tij.

“Temat ndonjëherë më duken sfiduese për shkak të ekspozitave që ka, por në anën tjetër si shoqëri kemi edhe obligim t’u japim hapësirë artistëve, në këtë rast edhe Sarandës. Aq më tepër që kjo ekspozitë vjen në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës si koncept artistik gjithsesi. Meqë aktivizmin e saj e shpreh përmes artit, Këshilli profesional i Muzeut Kombëtar të Kosovës e ka miratuar si të tillë”, ka thënë Aliu.

Fillimisht është dashur që vendimi të shqyrtohej nga Këshilli i Muzeut.

“Mesazhi sigurisht se është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i veçantë gjithmonë. Ne të gjithë duhet jo vetëm ta themi si mesazh, por ta luftojmë dhunën. Si koncept, gjatë shqyrtimeve që kemi pasur në Këshill profesional ndoshta unë personalisht nuk e kisha edhe shumë të qartë. Kemi pasur shumë kërkesa për informacione shtesë derisa Këshilli profesional i ka thënë përfundimisht ‘po’. Por sonte unë u ndava shumë e kënaqur”, ka thënë Aliu.

Image
Të pikturuarit aty për aty në katin e dytë të Muzeut Kombëtar, është pjesë e ekspozitës. Ky është aktivizmi i artistes. Pikturon dhe qan. Tepihu shtruar me elemente kombëtare i jep tjetër konotacion. Atë të paragjykimeve e patriarkatit në shoqëri

Artistja Tefta Hajdarhoxhaj e ka vlerësuar ekspozitën si të qëlluar.

“Mesazhi besoj është përçuar sesi është përshtatur atëherë dhe tash. Për mua ishte shumë emocionuese. Ka qenë një ndër ekspozitat e rralla që më ka bërë të ndihem kështu”, ka thënë ajo derisa e ka vlerësuar edhe aspektin vizual të veprave.

“Për mua ka qenë origjinale siç ka qenë në pikturë. Është përshtatur edhe tash. Si në veshje, në qëndrim, në dukjen e Sarandës, përshtatjen e qafores dhe të gjitha elementeve të tjera që e bëjnë pikturën të gjallë tash”, ka thënë artistja Hajdarhoxhaj për “Motrat tona” që gërsheton kritikën dhe aktivizmin kundër dhunës dhe zbulon ekstremet që arrijnë nëpërmjet saj.