Kulturë

Muzeu virtual me artefakte të vjedhura – betejë kundër trafikimit

Në muzeun virtual synohet të ekspozohen së paku 600 prej 52 mijë eksponateve nga databaza e Interpolit për artefaktet e vjedhura. Synimi i këtij projekti është që “muzeu i artefakteve të vjedhura të mbyllet sa më parë”
 

UNESCO-ja dhe Interpoli kanë nismuar projektin e përbashkët për muzeun e parë virtual me artefakte të vjedhura. Publikut pritet t’i prezantohet nga mesi i vitit 2025, raportojnë mediat botërore. Hapja e muzeut virtual, në të cilin synohet të ekspozohen së paku 600 prej 52 mijë eksponateve nga databaza e Interpolit për artefaktet e vjedhura, qe paralajmëruar në konferencën për politikat kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm në Meksikë, kur 150 shtete do të miratonin Deklaratën historike për njohjen e kulturës si e mirë publike globale dhe fuqizimin e luftës kundër tregtisë joligjore me artefakte.

Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, kishte thënë se pas secilës vepër a fragment të vjedhur fshihet një copë historie, identiteti dhe njerëzimi që u shkëput prej mbrojtësve të saj, të paarritshme për t’u hulumtuar dhe tashmë në rrezik për t’u harruar tërësisht.